E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kriza e industrisë së autoveturave është vërtet e rëndë"

Në një intervistë me revistën gjermane "Der Spiegel", numri një i kompanisë "Volkswagen", Martin Vinterkorn, flet për paketat qeveritare të ndihmave për prodhuesit e veturave, rënia e fortë e kërkesës në të gjithë botën dhe shanset e kompanisë së tij për t‘i mbijetuar krizës.

Zoti Vinterkorn, duhet ta ndihmojë qeveria gjermane "Opel"-in?

Qeveria duhet të distancohet. Është legjitime që një qeveri t‘i shkojë në ndihmë një kompanie duke bërë garantin për huat e saj, por diçka e tillë duhet bërë vetëm për periudha të caktuara tranzicioni. Qeveria nuk mund të kthehet në një organizatë ndihmëse për kompanitë që rrezikojnë falimentin.

"General Motors" dhe "Chrysler" janë thuajse të mbaruar. Numri një i "Fiat"-it ka thënë se kompania nuk mund të mbijetojë pa u ndihmuar. "Saab"-i ka nisur procedurat e falimentimit. Mos po merr jetë një proces eliminimi në industrinë e autoveturave?

Duket se po. Sapo jam kthyer nga Kina ku ekzistojnë rreth 200 prodhues autoveturash. Atje po zhvillohet një proces martesash mes shoqërive.

Nuk ju shkon për shtat gjendja e vështirë e konkurrentëve, duke qenë se kjo ia lehtëson gjërat grupit "Volkswagen"?

Sigurisht, nëse një prej lojtarëve zhduket nga fusha të tjerëve u jepet shansi të përmirësohen. Por askush nuk i shpëton dot kësaj lloj krize. Nis me uljet e çmimeve, gjë që i bën prodhuesit të shpresojnë se do rrisin shitjet. Më pas vjen radha e furnitorëve. Nëse një prej prodhuesve rrëzohet, "Bosch", "Mahle", "Conti" e të tjerë do të kenë probleme. Fabrikat e tyre nuk do punojnë me kapacitete të plota dhe për "Volkswagen" vështirësohet blerja e pjesëve me çmime konkurruese.

Shumë qeveri po planifikojnë paketa ndihme miliarda dollarëshe për prodhuesit e makinave. Ka të ngjarë që në fund të mbijetojnë ato kompani që ndihmohen më shumë nga qeveritë?

Kjo mund të ndodhë dhe unë e shoh si çështje shumë kritike në kuadrin e programeve të ndihmës nga ana e qeverive. Ato janë një hap mbrapa. Pas së gjithash, cilët jemi ne? Jemi të gjithë në Evropë dhe kemi Bashkimin Evropian. Në këto rrethana, Franca nuk mund të mbështesë industrinë e vet të autoveturave dhe në të njëjtën kohë t‘u kërkojë prodhuesve të mbyllin fabrikat në Evropën Lindore.

Punoni në industrinë e autoveturave që prej 30 vjetësh. Keni parë një krizë të tillë?

Askush nuk ka parë kurrë të ndodhë diçka të tillë. Kemi pasur kapacitet të tepruar në të shkuarën, por qemë në gjendje ta mbanim nën kontroll. Pastaj u shfaq kriza financiare. Edhe kompanitë e shëndetshme e kanë shumë të vështirë të marrin kredi prej bankave. Kjo ka krijuar një përzierje shpërthyese, askush nuk e di me saktësi çdo vijë më pas.

Do jetë i detyruar "Volkswagen" të shkurtojë vende pune e të mbyllë fabrika? Prodhimi rritet me 5-10 për qind çdo vit dhe për të ruajtur 329 mijë vendet e punës kërkesa duhet rritur. Tani po pakësohen edhe shitjet.

Deri në këtë pikë kompania nuk ka qenë e detyruar të shkurtojë vende pune. Jemi në gjendje të mbajmë nën kontroll thjesht duke pakësuar orët e punës.

Ju mendoni se kriza do kalojë në dy vjet dhe shitjet e automobilave në tregun botëror do nisin të rriten. Por rritja deri tani ka qenë e bazuar te një flluskë krediti. Nuk duhet të mësoheni me faktin se edhe nëse do ketë rritje në të ardhmen, kjo në rastin më të mirë do të jetë minimale?

Në Kinë, për shembull, rritja nuk do jetë aq e shpejtë sa pritej, të paktën jo hëpërhë. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të dobëta për momentin. Po Amerika do jetë gjithnjë një treg gjigant automobilash. Pa makinë atje je i pashpresë. Ose merrni Rusinë: është një treg që sot numëron 3 milionë makina, por ka të ngjarë që së shpejti të numërohen pesë deri gjashtë milionë vetura.

Por edhe Rusia sot është goditur rëndë nga kriza...

E di, e di, por mos jini kaq pesimistë. Është e qartë që kriza e kredisë ka goditur rëndë Rusinë. Por risia zotëron rezervat më të mëdha natyrore në botë. Në terma të gjata kohore tregu do rimëkëmbet dhe "Volkswagen" do përfitojë prej tij.

Me gjithë respektin e duhur për optimizmin tuaj, "Volkswagen" ka makinat e duhura për të ardhmen? Ju i keni vënë bastet te "Bugatti", "Bentley" dhe "Lamborghini", makina 12 cilindërshe. Por tani kërkohen makina me pak shpenzime e që ndotin më pak ambientin.

Para dhjetë vjetësh hodhëm në treg 3 litërshen "Lupo". Vetëm pak gazetarë erdhën për ta parë atë model. Por kur shfaqëm modelin "Bugatti" gazetarët vinin turma-turma aq sa thuajse shtypën njëri-tjetrin. Por sot ndoshta ka ardhur vërtet koha për makina me pak shpenzime. Në shoun e Gjenevës do shfaqim "Polo"-n e re që harxhon 3.5 litra për 100 kilometra.

Kriza ka ndryshuar shijet për makina të shumë njerëzve. Sot konsiderohen më pak status simbol dhe më shumë mjet transporti. Mos ju duhet të rishikoni politikat e modeleve?

Duhet të ndryshojmë pak pikat ku vëmë theksin. Po kërkohen motorë më të vegjël. Sot njerëzit arrijnë të imagjinojnë për shembull një "Audi A8", katër cilindërshe, me naftë, që konsumon diçka më shumë se 5 litra për 100 kilometra. Por nga ana tjetër nuk do lejojmë që linjat e prodhimit "Lamborghini" apo "Bentley" të vdesin për këtë motiv.

Por klientët më të rëndësishëm të këtyre markave janë zhdukur për momentin: bankierët.

Po, dhe është kjo arsyeja për të cilën po shesim pak makina të tilla sot. Por ndërkohë, po pyesim veten edhe si duhet të duken këto makina në të ardhmen. Ndoshta "Bentley" ka nevojë për trup alumini, gjë që do ta bënte 300-400 kilogramë më të lehtë. Ose "Lamborghini" mund të ketë nevojë për trup me fibër karboni. Sido që të venë gjërat ne do të vazhdojmë t‘i zhvillojmë këto marka.

Mund të parashikoni cilët prodhues të pavarur makinash do jenë ende në treg pas tre vjetësh?

Do jenë dy amerikanë, një apo dy japonezë, një kompani franceze dhe ndoshta një kompani e madhe kineze. "Daimler" dhe "BMW" do ekzistojnë. Por në këtë çast gjërat janë aq në lëvizje sa parashikimet e sakta janë shumë të vështira.

Nuk përmendët "Volkswagen"-in. Jeni pesimist për grupin tuaj?

Përkundrazi, e shoh të fortë. Sigurisht, kriza nuk po na kalon afër pa na prekur. Gjithsesi, jemi në pozicion të mirë dhe nuk kam dyshim që do të dalim më të fortë nga kriza.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›