Hamasi: Bisedimet në Jordan“ farsë dhe humbje kohe”

Grupi palestinez Hamas deklaroi se takimi i parë në 16 muajt e fundit ndërmjet negociatorëve izraelitë dhe palestinezë për ringjalljen e bisedimeve të paqes ishte “një farsë” dhe “humbje kohe”.
Favzi Barhum, zëdhënësi i grupit islamik, që kontrollon Rripin e Gazës, tha se bisedimet e së martës në Jordani “janë në kundërshtim me shpresat dhe aspiratat e popujve tanë”.
Kryengociatorët izraelitë dhe palestinezë kanë mbajtur të martën takimin për të diskutuar perspektivën e ringjalljes së bisedimeve të paqes.
Takimet u mbajtën krahas takimit të përfaqësuesve të Quartetit ndërmjetësues ndërkombëtar për Lindjen e Mesme -Bashkimit Evropian, Rusisë, Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara.
Bisedimet për paqen, të mbështetura nga SHBA u ndërprenë në shtator të 2010-ës.
Ndërkohë Palestinezët kanë paralajmëruar se do të rifillojnë bisedimet vetëm nëse Izraeli ngrin ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Ndërsa Izraeli nga ana tjetër thotë se bisedimet duhet të rifillojnë pa kushte.