Hamburgu kërkon Canën për mbrojtjen
Lorik Cana është në tratativa për të kaluar te Hamburgu. Lajmi është bërë i ditur dje nga mediat gjermane, sipas të cilave klubi i Bundeligës po planifikon rindërtimin e skuadrës dhe mbi të gjitha, përforcimin e mbrojtjes, ku shpeshherë në këtë sezon ka shfaqur paqëndrueshmëri. Drejtori sportiv, Frank Arnesen, prej kohësh po merret me zbatimin e këtij plani ku në krye të listës së lojtarëve të preferuar qëndron pikërisht ylli shqiptar i Lacios, Lorik Cana. Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë mund të luajë si mbrojtës qendre, por edhe si mesfushor shkatërrues para mbrojtjes, por gjithsesi Hamburgu e planifikon si një përforcim të domosdoshëm për mbrojtjen. Cana nuk është një lojtar i panjohur për këtë klub. Në 2009-n, ai ishte shumë pranë kalimit te Hamburgu. Në atë kohë, marrëveshja dështoi dhe Cana u transferua nga Marseja (ku ishte kapiten) tek Sanderlendi. Që në verën e 2011-s, ai luan për Lacion. Ditët e fundit, Hamburgu ka pasur kontakte me 29-vjeçarin dhe babain-menaxher të tij, Agim Cana. Gjatë ndeshjes së Europa League të Lacios në Shtutgart, Cana është vëzhguar nga drejtuesit e Hamburgut. Kostoja e transferimit të tij mund të kapë shifrën 2.8 milionë euro. Sipas mediave gjermane, Cana ka shprehur dëshirën për tu transferuar sa më shpejt në Gjermani.
Hamburgu kërkon Canën për mbrojtjen burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email
