Skënderbeu garanton titullin, Kukësi i dyti
Kuksianët mundin 21 Tiranën. Humbje shokuese 3-0 e Flamurtarit në Krujë
Altin Manallari
Skënderbeu mund 2-0 Besën dhe bëhet gati të festojë titullin. Ndërsa ndizet lufta për zonën Europa League, ku humbja 3-0 e Flamurtarit në Krujë ndaj Kastriotit i ka dhënë mundësinë Kukësit, që me fitoren 2-1 ndaj Tiranës, të ngjitet në vendin e dytë.
Pas dy ndeshjesh zhgënjyese, më në fund Skënderbeu është rikthyer te fitorja pas triumfit 2-0 në shtëpi ndaj Besës me golat e Souzës dhe Fagut. Por ky rezultat u ka mundësuar korçarëve të garantojnë në kasafortë titullin e tretë radhazi, pasi kur u duhen edhe katër ndeshje për tu luajtur, korçarët janë 12 pikë larg nga vendi i dytë. Tani në mendjen e skuadrës së drejtuar nga Mirel Josa është vetëm ndeshja e kthimit gjysmëfinale në Ballsh ndaj Bylisit, që në ndeshjen e parë në Korçë i ndali te një barazim 1-1. Ndërsa supersfida e kësaj jave pritej të ishte ajo mes Kukësit dhe Tiranës në qytetin verilindor. Të dy skuadrat e përfshira në luftën për një vend më të mirë në zonën e Europës i kishin shpallur luftë njëra-tjetrës që nga minuta e parë. Këtij objektivi ia kanë arritur verilindorët, falë golit të Julian Brahjes afër fundit të ndeshjes, i barazuar nga i porsafuturi në lojë për miqtë, Mirel Çota, tri minuta para fundit të lojës, ndërsa mrekullinë e ka bërë Popoviç minutën e fundit të kohës së rregullt. Brenda dy minutave ka ardhur kundërpërgjigjja e sulmuesit serb, që ka shënuar dhe i ka dhënë skuadrës së Cungut një fitore dramatike, por tepër të çmuar. Duke shfrytëzuar edhe dështimin e kuqezinjve të Vlorës në Krujë, kuksianët rrëmbejnë vendin e dytë përkohësisht, derisa të luajë një ditë më pas Teuta ndeshjen kundër Vllaznisë në Loro Boriçi. Kjo humbje e ndërlikon gjithnjë edhe më shumë objektivin e Tiranës për një vend në Kupat e Europës, pasi distanca mes tyre dhe vendit të dytë është 5 pikë. Surprizën e ka bërë dje Kastrioti që ka mundur 3-0 Flamurtarin në Krujë, në një ndeshje shumë luftarake, me raste të shumta për shënim në të dy portat, por që u buzëqeshi vendasve. Fillimisht i ka zhbllokuar shifrat në minutën e 38-të Vilfor Hysa, pastaj Karapici në të 50-ën, derisa shkodrani Shaba shoi çdolloj shprese të kuqezinjve për ndonjë mrekulli në minutën e 64-t. Një humbje shokuese për vlonjatët që janë parakaluar në renditje nga Kukësi. Në Peqin ka pllakosur mërzia e rënies nga Superiorja. Edhe pse ende jo matematikisht, bardhekaltrit duket se e kanë vulosur fatin e tyre të keq me barazimin 1-1 në Fier. Sot luhet ndeshja e fundit e javës së 22-të, Vllaznia-Teuta.
Superiore (Java XXII)
DJE
Skënderbeu-Besa 2-0
Souza 35, Fagu 68
Kukësi-Tirana 2-1
Brahja 79, Popoviç 89 / Çota 87
Kastrioti-Flamurtari 3-0
Hysa 38, Karapici 50, Shaba 64
Apolonia-Shkumbini 1-1
Dushku 45 / Sekseni 83
TË PREMTEN
Luftëtari-Laçi 0-3
Vucaj 49, 85 (11-m), Zefi 90
Bylis-Tomori 4-1
Arbri 21, Bakiu 42, 45, Prifti 77 / Mitraj 53
SOT
17:00 Vllaznia-Teuta
Klasifikimi
Skuadra P N
1. Skënderbeu 22 52
2. Kukësi 22 40
3. Flamurtari 22 39
4. Teuta 21 39
5. Tirana 22 35
6. Laçi 22 34
7. Vllaznia 21 32
8. Kastrioti 22 31
9. Bylis 22 29
10. Besa 22 27
11. Shkumbini 22 20
12. Luftëtari 22 18
13. Tomori 22 12
14. Apolonia 22 10
Skënderbeu garanton titullin, Kukësi i dyti burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email