E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamdi Ferhati, kinooperatori i Hoxhës që agjëronte për Ramazan

SHKRUAN: Aida Tuci 27-10-2011 14:57

Pas fotos historike të Enver Hoxhës që hynte në Tiranën e çliruar së bashku me komunistët e tjerë, qëndron një emër që pakkush e kujton sot. Ai quhet Hamdi Ferhati dhe është kinooperatori i parë i Kinostudios “Shqipëria e re”. Arkivi Shtetëror Qendror i Filmit ka ‘shpluhurosur’ dje nga harresa duke e përkujtuar me një aktivitet të veçantë kinooperatorin e xhirimeve të para pas çlirimit, i cili u nda nga jeta në vitin 1989, i bindur si pjesa më e madhe e shqiptarëve në vijën e drejtë të partisë. Por pakkush e di që Hamdi Ferhati në fakt nuk ishte komunist, edhe pse koha në të cilën jetoi e drejtoi drejt propagandës së partisë në pushtet. Ai teksa xhironte metra të tërë filmi duke ndjekur çdo kongres të Partisë Komuniste, çdo hap që hidhte udhëheqësi ynë dhe çdo vizitë zyrtare të delegacioneve të huaja që hynin në Shqipëri si vëllezër e dilnin si armiq, fshihte edhe një sekret të madh. Ai besonte në Zot dhe lutej e agjëronte sa herë që vinte Ramazani. Familjarët sigurisht e kishin kuptuar me kohë një gjë të tillë, ndërsa kolegët vetëm sot rrëfejnë se edhe atëherë e dinin se Hamdi Ferhati ishte mysliman i devotshëm. “Ai ka qenë vërtet ‘Hero i Punës Socialiste’, por nuk ka qenë kurrë komunist. Ai ishte fetar dhe besonte në Zot. Ne e kuptonim sepse ai agjëronte që në atë kohë. Në kohën e Ramazanit, ai nuk pinte as alkool e as cigare. Babai ka pirë gjithmonë alkool dhe cigaren e dredhur nuk e hiqte nga goja, por gjatë Ramazanit ai nuk pinte as alkool dhe as cigare, këtë të fundit e mbante në gojë por kurrë nuk e ndizte gjatë agjërimit”, - kujton djali i tij, Nexhmi Ferhati. Hamdi Ferhati lindi në Tiranë, më 23 shtator 1918. Së bashku me bashkëkohësin, operatorin Mandi Koçi, xhiruan të parat kinokronika pas çlirimit të vendit në vitin 1947. Në vitet ‘47 –‘48 xhiroi dokumentarin e tij të parë “Hekurudha Tiranë-Durrës”. Gjatë punës në Kinostudio xhiroi qindra suzhete kronikash, punoi si bashkautor realizues i dhjetëra kinoditarëve dhe xhiroi në mënyrë autonome rreth 90 filma kronikalë e dokumentarë, ndër të cilët: “Qyteti i 1000 dritareve” 1959, “Kënga e Rozafës” 1960, “Teatri ynë” 1964, “Furra” 1970 etj.

Xhirimet e para, me një trofe lufte

Xhirimet e para të kinokronikave të Shqipërisë pas çlirimit janë bërë me një kamera, që Hamdi Ferhatit ia kishte lënë një operator i ushtrisë italiane. “Kameran e ka pasur gjënë më të shtrenjtë. Ndihmësit të tij nuk ia linte kurrë kamerën në dorë, vetëm këmbalecin dhe kameran e mbante vetë kudo në një çantë të madhe. Edhe baterinë e kameras e mbante në xhep dhe kushedi sa e sa herë pantallonat i bëheshin vrima-vrima”, - kujton i biri. Ndërsa për një nga regjisoret e para femra të Kinostudios, Marianthi Xhako, kujtimet me Hamdi Ferhatin janë të shumta. Ajo xhiroi me të dokumentarin e saj të parë mbi qytetin e Beratit. Kujton dhe kameran italiane me të cilën u xhirua filmi. “Ruaj kujtimet më të mëdha me Hamdi Ferhatin, me të cilin kam xhiruar filmin tim të parë për Beratin. Xhirimet i bëmë me atë kameran e luftës që ia kishte dhënë një operator italian, të cilin ai e mbante fort pranë vetes. Ishte një kamera italiane trofe e luftës, nuk e kujtoj markën, por me ato Hamdi Ferhati ka xhiruar kuadrot e para, ka xhiruar ato planet e hekurudhës Tiranë -Durrës, ja ashtu me vështirësi në baltë e rrugë të pashtruara. Nuk e di nëse sot është diku e ruajtur ajo kamera e vjetër apo jo”, - kujton me nostalgji Marianthi. Një tjetër bashkëkohës i tij, Dhimitër Lala kujton: “Ai ka qenë ndihmës i një operatori italian në Radio Tirana. Kur Italia fashiste kapitulloi, italiani iku dhe aparatin ia la Hamdiut. Atëherë ai filloi të xhironte vetë dhe ka xhiruar ardhjen e qeverisë nga Berati dhe hyrjen në Tiranë, prandaj dhe u shpall “Hero i Punës Socialiste”.

Fotoja e komunistëve që hyjnë në Tiranën e çliruar

Fotoja e hyrjes së Enver Hoxhës me komunistët në Tiranën e çliruar, a është fotografia e babit tuaj?...”Po, ai ishte fotografi”, - përgjigjet e bija Meliha Ferhati. Familja e kinooperatorit të parë njihet dhe si të paktat familje shqiptare që gjatë kohës së luftës i hapën dyert për të pritur dhe fshehur heronjtë. Por vajza e tij Melihaja thotë se vetëm ka dëgjuar në shtëpi për një fakt të tillë. “Po të ishte gjallë nëna ime, do të tregonte shumë më shumë për këtë fakt, sepse kjo ka ndodhur gjatë luftës e ne nuk kishim lindur akoma”, - shfajësohet në njëfarë mënyre ajo. Por fatkeqësisht, familja e Hamdi Ferhatit sot nuk ka asgjë të ruajtur nga arkivi i babait. Asgjë nuk kemi nga arkivi i tij. Ai ka dalë në pension në vitin 1976 dhe në atë kohë nuk merrje dot asgjë nga punët e tua, se konsideroheshin “pronë” e partisë. Edhe ato pak fotografi që na kanë mbetur nga babai i ka vëllai i madh”, - tregon e bija, Melihaja. Ndërsa një ish-nxënës i tij, Ilia Terpini e kujton mësuesin e tij si një njeri pasionant. “Kam pasur fatin që me Ferhatin të njihem që në vitet e para dhe kam qenë nxënës i tij dhe i një tjetër operatori po aq të madh, si Mandi Koçi. Hamdi Ferhati, Mandi Koçi, Mihal Çarko, të tërë këta operatorë kanë qenë fotografë të mirë dhe janë bërë operatorë të mirë. Një kameraman që të bëhet i tillë, duhet të jetë në radhë të parë një fotograf i mirë”, - kujton Terpini

Propaganda në kinokronikat e para

“Punohet për ndërtimin e një faqeje të re në Shqipëri”, - kështu nis kinokronika ku shfaqet i madh dhe i vogël duke punuar për ndërtimin e hekurudhës “Tiranë-Durrës”. Treni i parë që inauguron hekurudhën ka në krye të lokomotivës fotografinë e Enver Hoxhës me Stalinin. Ata të dy janë “makinistët” e Shqipërisë komuniste. Në po të njëjtin vit Shqipëria festonte 1 Majin, baballarët e komunizmit Marksi, Engelsi, Lenin, Stalin ishin zbukurimet në kryeqytetin shqiptar dhe populli gëzonte me fotografitë e tyre në duar. Në një tjetër filmim titulluar “Zhurnal Nr.1” i vitit 1947, populli i gëzuar shkon në votimet për Frontin. “Populli duke shprehur dashurinë e madhe për Partinë, shokun Enver dhe shokun Stalin, shkon i gëzuar në votime”, - thotë skenari i “Zhurnalit” teksa shfaqet në kutinë e votimit edhe një i sëmurë që e kanë sjellë bashkë me krevatin e spitalit për të hedhur votën e tij për Partinë Komuniste. “Ashtu ishte koha. Hamdi Ferhati ishte profesionist dhe me kameran e tij jepte gjithçka me realizëm”, - tregon Ilia Terpini një ish- nxënës i Ferhatit. Futbolli duket se ka qenë ndër argëtimet e pakta të shqiptarëve. Në një fushë (që nga pamja dukej të ishin fushat e Xha Tomit, që sot nuk u ka mbetur as nam, as nishan) luhej ndeshja e Kampionatit mes Partizanit dhe Vllaznisë. Shkallët e stadiumit plot e për plot, ushtarakë, punëtorë, madje dhe shumë vajza që bëjnë tifo për ekipin e zemrës. E sidomos në këtë lojë popullore nuk mund të mungonin fotot e udhëheqësve...Ndeshja përfundon 2-1 për ekipin e Ministrisë së Mbrojtjes. Një tjetër kronikë e vitit 1952 teksa e sheh sot të lë një shije paksa të hidhur. Është ceremonia e inaugurimit të Kinostudios “Shqipëria e Re”. Një ndërtesë që u ngrit me ndihmën bujare (siç thotë dhe skenari i kronikës), një pamje e mrekullueshme e asaj ndërtese tërësisht të bardhë, që sot fatkeqësisht është përdhosur. Filmimet e para të Kinostudios “Shqipëria e Re” i përkasin pikërisht Hamdi Ferhatit. Por nuk mungon në këtë montazh që solli dje Arkivi i Filmit për të përkujtuar operatorin Hamdi Ferhati edhe vizita e Ansamblit shqiptar në Algjeri dhe Marok. Mes 90 filmave kronikalë dhe dokumentarë, arkivi ishte munduar të zgjidhte ato pak metra film ku propaganda dominonte më pak...shumë pak ia kishin arritur në fakt.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›