E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Renato Terrusi prezanton librin në vendin e tij të lindjes

Në nëntor të vitit 1993, katër dekada pasi ishte larguar nga Shqipëria ku lindi dhe kaloi disa vite të fëmijërisë, ai kthehej së bashku me dajën e vet, Xhakomo Pozeli (Giacomo Poselli), ish- portieri i shquar i skuadrës së “Flamurtarit” dhe i përfaqësueses shqiptare, fituese e Ballkaniadës së vitit 1946. Tashmë pothuajse 50-vjeçar, Aldo Renato Terrusi vinte në vendin e tij të lindjes në kërkim të eshtrave të babait të tij, drejtues i disa bankave në Shqipëri në vitet ’30-’40, i cili kishte vdekur në burgun famëkeq të Burrelit, ku ishte dënuar nga diktatura komuniste. Këtu do të nisë edhe ajo histori interesante, që do të pasqyrohej vite më vonë në librin e Terrusit, “Kthim në vendin e shqiponjave”, në variantin italisht “Ritorno al Paese delle Aquile”. Një koincidencë, një detaj jetësor i rastësishëm do të bëhej ndoshta preludi i fatit të mëtejshëm të familjes që sapo kishte hedhur themelet e saj. Ishte vetëm 17-vjeçare Aurelia, kur rastësia bëri që ajo të njihej me Enver Hoxhën. Ishin komshinj në qytetin e Gjirokastrës, ndërkohë që udhëheqësi i ardhshëm i Shqipërisë komuniste, në atë kohë 22 vjeç, studionte në Paris, por që ushqente simpati për bukuroshen italiane. Nga kryeqyteti francez, ai i dërgonte përkushtime përmes së motrës, 17 vjeçares, por merrte vetëm kundërshtimin nga ana e saj, që i griste të gjitha letrat. Dhe një libër me përkushtimin e Hoxhës, ka mbetur si një argument për të sjellë përpara publikut, ndoshta shkakun e fatkeqësisë së mëpasme të familjes Terrusi. Vlora mbetet një nga stacionet e bankierit të njohur, që së bashku me bashkëshorten e tij do të kalonte këtu disa vjet, në krye të Bankës Italo-Shqiptare, që ishte vendosur në godinën e Bankës së sotme Tregtare në “Sheshin e Flamurit”, ku edhe banonin. Këtu do të lindte më pas edhe Aldo, si një qytetar vlonjat. Familja kishte edhe një banesë ngjitur me godinën e bankës. Por, ardhja e diktaturës komuniste ishte edhe paralajmërimi për fatin e saj. Xhuzepe arrestohet kur Aldo ishte ende foshnjë dhe burgoset fillimisht në burgun e Vlorës, për t’u transferuar më pas në atë të Burrelit. Ndoshta refuzimi dikur i Aurelias për diktatorin ishte në themel të burgosjes dhe hakmarrjes së tij. “Babai u akuzua si fashist, që e kishte ndihmuar atë për grabitjen e pasurisë së popullit”, - thotë Aldo përpara auditorit. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ai vendos të kthehet të kërkojë origjinën e familje së tij, të kërkojë eshtrat e babait të tij, të shikojë vendin ku kishte lindur dhe kishte kaluar disa vjet të fëmijërisë. Mbërrin në Shqipëri me dajën. Takojnë së bashku njerëz që i kishin njohur dhe kishin mbetur gjallë. Takojnë ish-lojtarë të shquar të Shqipërisë, si Xhavit Demnerin, Spahiun, Llambin, Boriçin, me të cilët Pozeli kishte luajtur dhe fituar trofe. Takojnë bashkëvuajtës të babait nga Vlora, Engjëll Kokoshin e Petrit Velajn, i cili kishte varrosur edhe trupin pajetë të bankierit të shquar italian, pranë një qershie, diku në skaj të burgut famëkeq. Shëtitën në të gjithë vendin, shkuan edhe në Burrel, erdhën edhe në Vlorë. Kështu, Terrusi rikthehet tek vetvetja. Prandaj dhe ai vendos të shkruajë një libër, ku përcillen mesazhe të shumta. Libri u prezantua dje në mjediset e bibliotekës së Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, në një aktivitet të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, konsulli Sergio Strozzi, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Institutin e Studimeve mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Autori përcolli mbresat e tij për të pranishmit, gjithçka që ai ka fiksuar në këtë libër të tij, historinë e tij personale kur ai ishte vetëm një fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i mbylli të atin në burgun famëkeq të Burrelit, ku vdiq pa mundur t’i japë lamtumirën e fundit të birit dhe së shoqes. Në këtë takim folën dhe përcollën mbresat e tyre, akademik Kolec Topalli, president i Këshillit Administrativ të Institutit të Studimeve mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Dr. Pjetër Pepa, Gëzim Peshkëpia, Çelo Hoxha. Ndërkohë, ish-futbollisti i shquar Mexhit Haxhiu solli kujtime për ish-portierin e shquar të kombëtares, Xhakomo Pozeli. Prof. Spiro Caushi, familja e të cilit ka qenë fqinje me familjen Terrusi në Vlorë, solli kujtime nga fëmijëria e tij me bashkëmoshatarin Aldo Terrusi dhe dajën e tij.

“Nuk duhet harruar e keqja, sepse në të kundërt nuk mund të ndërtohet e tashmja dhe e ardhmja”, - ishte një nga mesazhet e këtij takimi. Ervin Haruni

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›