E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamilaton shpallet kampion bote në Formula 1

Interlagos (Start)- Ljuis Hamilton është kampioni më i ri i botës në Formula 1. Gara e mbuluar e gjitha nga ethet, në fund ka bërë të lumtur vetëm një njeri, Ljuis Hamilton. Britaniku është renditur i pesti në garën e djeshme, vend që i ka dhënë të drejtën për t’u shpallur kampion bote.

Vendimtare për garën kanë qenë 300 metrat e fundit, ku djaloshi arriti të parakalonte pilotin e Tojotas, Glok, për t’u renditur i pesti. Rivali i tij deri në sekondat e fundit, Filipe Masa, megjithëse doli i pari në garën përpara publikut të tij Brazilian, nuk i fshehu dot lotët për humbjen e titullit. Piloti i Ferrarit e udhëhoqi këtë garë që nga fillimi, pa e vënë asnjëherë në dyshim vendin e parë.

Megjithë spektaklin e dhuruar nga të “gjithë”, ëngjëlli i Ron Denisit tek MekLareni, Ljuis Hamilton, është njeriu më i ri në moshë që shpallet kampion bote në Formula 1. Piloti anglez sezonin e shkuar, i cili ishte edhe debutimi i tij, arriti të zinte vendin e dytë, duke e lëshuar të parin vetëm në fundin e kampionatit.

Pas 22 garash, Hamilton grumbulloi gjithsej 98 pikë, 2 më shumë se braziliani Filipe Masa i Ferrarit. Në vendin e tretë u pozicionua “ish-kampioni”, Kimi Raikonen, me 75 pikë. Ferrari ngushëllimin e vetëm dje mund ta gjente tek fitorja e skuterisë, e cila u rendit e para këtë vit me 172, duke lënë pas MekLarenin me 151.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›