E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamzaj: Do të jem protagonist në fitoren me Adën

Nga ERJON SALIU

Sulmuesi Romeo Hamzaj shpreson të shënojë përsëri përpara tifozëve kuksianë bashkë me kolegun e sulmit Julian Malo

Kuksianët u kanë dhënë dje dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen me Adën, që do ta zhvillojnë sot në stadiumin Zeqir Ymeri. Në kampin kuksian mbizotëron optimizmi, falë edhe fitoreve të javëve të fundit. Trajneri Shahin Berberi është i kënaqur me gjendjen e futbollistëve dhe dëshirën e tyre për fitoren e radhës. I pyetur se si e parashikon 90-minutëshin e sotëm, ai përgjigjet:

E kemi vlerësuar maksimalisht. Dua që ekipi të tregojnë vlerat më të mira dhe të fitojë para tifozëve kuksianë. Nuk e lëshojmë vendin e dytë. Në fushën tonë i kemi mundur edhe rivalët, kështu që Adën nuk duhet ta diskutojmë, pasi edhe objektivi nuk na lejon të bëjmë asnjë hap fals. Trajneri Berberi ka besim të plotë te sulmuesit Malo dhe Hamzaj. Ai pret edhe sot golat e tyre.

Hamzaj Romeo Hamzaj, i cili ka shënuar 4 gola në dy ndeshjet e fundit, shprehet: Jam i bindur që do të fitojmë me Adën, që e kemi vlerësuar si çdo kundërshtar. Kam dëshirë të shënoj sërish edhe për faktin se luajmë përpara tifozëve kuksianë. Ekipi është thuajse i plotë, gëzon një gjendje të mirë fizike dhe psikologjike, kështu që nuk ka asnjë arsye pse të mos marrim 3 pikët e radhës.

Kam shumë besim se bashkë me Malon do të jemi protagonistë në fitoren e Kukësit. Jemi që të dy në formë dhe duhet të flasim përsëri me gjuhën e golave. Hamzaj erdhi në Kukës gjatë merkatos së dimrit dhe deri tani ka shënuar 4 gola për ekipin e tij të ri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›