Qirjako: Gramozi shpreson, në Mamurras ndahemi me humbjet
Ekipi kolonjar ka mbyllur dje paradite përgatitjet për ndeshjen e sotme me Mamurrasit dhe, në orën 13:00, është nisur drejt qytetit të Durrësit, ku ka kaluar mbrëmjen. Një rezultat pozitiv në Mamurras do të zgjonte shpresat e Gramozit qëndrimin në kategorinë e parë, ndaj dhe lojtarët e tij do të përpiqen me të gjitha forcat për ta prishur serinë e humbjeve. Trajneri Ilir Qirjako është shprehur me rezerva për takimin e sotëm për vetë faktin se ekipi gjatë gjithë fazës së dytë nuk ka bindur në lojë, duke mos marrë asnjë pikë.
Do të bëjmë çështë e mundur për një rezultat pozitiv, edhe pse e kemi të qartë që do ta kemi tepër të vështirë në këtë transfertë. Jemi munduar gjatë gjithë javës ti bindim lojtarët se shpresat për mbijetesë ekzistojnë. Madje morali, edhe pse ekipi vjen nga humbja në humbje, qëndron ende në nivelin e duhur. Shpresojnë që në fund të kampionatit të zëmë një vend, që të na mbajë në kategorinë e parë.
Kemi menduar të bëjmë ndryshime në formacion, duke aktivizuar shumë lojtarë vendës. Megjithatë, lojtarët kyç të ekipit do të jenë që nga minuta e parë. Pozitiv për ne është fakti që rikthehen tre titullarë, të cilët kanë munguar në javët e fundit, siç janë mbrojtësit Kodra dhe Ismolli, dhe kapiteni Shupe, që është riaftësuar dhe është gati, ka bërë të ditur trajneri Qirjako.
Mungesat Nga ana tjetër, Arapi, Omeraj dhe Ahmetaj nuk do të jenë të pranishëm në Mamurras. Ata gjatë gjithë javës nuk kanë qenë të pranishëm edhe në stërvitje, por drejtuesit e Gramozit nuk kanë dëshirë të shprehen për pozicionin e tyre. Formacioni i mundshëm për ndeshjen e sotme është: Bello, Ismolli, Peçi, Mydini, Kodra, Caka, Musabelliu, Shupe, Çelikja, Hysolli dhe Saliko.
