E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drenica kërkon pikë në Prishtinë

Pas humbjes së pësuar nga Liria, Prishtina do të përpiqet t’u kthehet fitoreve të shtunën përballë Drenicës dhe ta vazhdojë marshimin drejt titullit të kampionit. Por, bardhekaltrit nuk do ta kenë të lehtë ta arrijnë objektivin përballë kuqezinjve të rrezikuar. Drenicasit do të përpiqen ta shfrytëzojnë krizën e kryeqytetasve dhe të fitojnë pikë ndaj tyre.

Në këtë fundjavë do të zhvillohet xhiroja e njëzetenjëtë e Superligës së Kosovës në futboll, në kuadër të së cilës do të zhvillohen disa duele shumë interesante.

Takim i tillë do të jetë edhe ai i së shtunës, që do të zhvillohet në kryeqytet, ku kandidati për titull të kampionit, Prishtina do të përballet me Drenicën, e cila po lufton për të mbijetuar në elitë.

Pas humbjes së pësuar në Prizren nga Liria, Prishtina do të përpiqet me çdo kusht që t’i fitojë tri pikë të plota përballë kuzezinjëve, të cilat i duhen për ta ruajtur pozicionin e saj në krye të renditjes tabelore, që po ia cenon posaçërisht Trepça ’89 e Drita.

“Të shtunën duhet ta japim maksimumin të gjithë futbollistët që t’u kthehemi fitoreve dhe ta vazhdojmë rrugën drejt titullit. Jemi të përgatitur, atmosfera në ekip është e mirë dhe besoj se do t’ia arrijmë objektivit”, ka deklaruar për Express kapiteni i bardhekaltërve, Azem Ahmeti.

Mirëpo, prishtinasit nuk do ta kenë aspak të lehtë ta arrijnë këtë qëllim, sidomos tani kur ekipi i tyre po kalon nëpër një krizë të rezultateve, por edhe të lojës për dallim prej sezonit vjeshtor, kur dominonte absolutisht në Superligë.

Por, bardhekaltërve edhe më shumë ua vështirësojnë punët apetitet e drenicasve, të cilët nga kjo përballje synojnë të fitojnë pikë, të domosdoshme për t’ia lehtësuar vetes punët për të mbijetuar.

“I kemi disa mungesa. Na mungojnë tre – katër lojtarë standardë të lënduar e të prekur nga gripi. Por, kjo nuk do të thotë se jemi të dorëzuar. Me një lojë të mirë synojmë të dalim të pamposhtur nga stadiumi i Prishtinës”, ka deklaruar për Express trajneri i njohur i kuqezinjve, Bylbyl Sokoli, ekipi i të cilit aktualisht gjendet në vendin e dhjetë të tabelës me 22 pikë, pesë më shumë sesa KEK-u i fundit.

Mt: Udhëtim i vështirë për Trepçën ‘89

Njërin prej kandidatëve më serioz për titull të kampionit, Trepçën’89 të shtunën e pret një udhëtim i vështirë, pasi në Prizren do ta pretë Liria, skuadër kjo që nuk di për humbje në këtë pranverë dhe e cila ka shënuar më së shumti gola.

Pas triumfit në duel me Prishtinën, prizrenasit do të pëlqenin ta mundin edhe Trepçën ’89 për ta bërë edhe një hap të madh drejt mbetjes në elitë. Në anën tjetër, fitorja u nevojitet edhe ‘Xehetarëve’, nëse duan që ende t’i ofrohen titullit. Lehtë nuk do ta ketë as Drita, të cilën do ta presë KEK-u shumë i rrezikuar.

Superliga, xhiroja e 21-të

E shtunë

Prishtina – Drenica 13.15

Liria – Trepça’89 14.00

KEK-u – Drita 14.00

E diel

Besa – Hysi 13.15

Gjilani – Vëllaznimi 14.00

Trepça – Lepenci 14.00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›