GERD VASO. “Gjenerali i ushtrisë së balerinëve...”
Petrika GROSI
Në intervistën e radhës, “Albania Weekend” ftoi balerinin e njohur Gerd Vaso, i cili foli mbi jetën e tij brenda dhe jashtë skenës, njohjen dhe lidhjen me Enada Hoxhën, mbi të thënat dhe të pathënat për këtë çift, projektet, familjen, pasionet dhe për shumë detaje të tjera. Për më tepër, na ndiqni në intervistën që vijon.
Me çfarë po merret aktualisht balerini Gerd Vaso?
Kemi disa projekte në teatër. Po merremi me “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një vepër që është vënë dhe më parë, por besoj se koreografi Agron Aliaj do të sjellë diçka ndryshe. Puna ka rreth tri javë që ka nisur dhe premiera do të jetë gati në datën e planifikuar.
Çfarë roli do të keni ju në këtë pjesë?
Ende nuk dihet, por besoj se do të jem në rolin e gjeneralit.
Nga çfarë karakterizohet ky lloj roli?
Është një vepër e realizuar që në atë kohë, e shkruar nga një shkrimtar i madh si Kadare dhe me muzikë potente nga Nikolla Zoraqi. Pak a shumë njerëzit e dinë historinë e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”. Unë ende nuk kam nisur të hyj brenda rolit ndaj ndonjë gjë konkrete mund ta zbuloj më vonë.
Projekte të tjera?
Së shpejti fillon “Star Akademia”, një projekt i gjatë deri në mes të qershorit dhe shumë impenjativ. Veç kësaj presim dhe kontratat që kemi lidhur që në sezonin e parë në Itali.
Në cilat teatro do t’ju shohim, apo ende nuk është vendosur?
Ende nuk është vendosur përfundimisht se në cilat teatro do të kërcejmë, por në sezonin e parë shfaqjet tona u dhanë në Leçe, Bolonja dhe Modena.
Vetëm Italia është në planet tuaja?
Po. Vetëm Italia.
Pse kjo zgjedhje???????????
Kjo nuk është zgjedhja??????? Jonë, sepse vetëm një kompani italiane ka ardhur dhe na ka ftuar. Nuk është se na kanë kontaktuar kompani të tjera dhe ne nuk kemi vajtur.
Ndoshta e keni menduar me vete se si ka mundësi që vetëm Italia ju ka ftuar?
Këtë nuk e di, por në përgjithësi punët e shumë artistëve shqiptarë janë të lidhura me vendet fqinje.
Kalojmë te fillimet tuaja me baletin. Çfarë kujtoni?
E kam nisur jetën time me baletin që në moshë të re. Është një profesion që e kam dashur, jam rritur me të dhe jam ndier gjithmonë mirë. Po të kthehesha edhe një herë në moshë të re, asnjëherë nuk do ta ndryshoja zgjedhjen për baletin.
Lidhja me baletin ka qenë rastësore?
Jo. Në fakt, nëna ime ka qenë balerinë. Ishte ajo iniciatorja që sot unë jam balerin. Për këtë gjë e falënderoj shumë.
Po babai çfarë planesh kishte për ty?
Edhe babai ishte tepër i kënaqur që unë do të bëhesha balerin. Nuk ishte balerin vetë, por lidhjet me artin nuk i mungonin. Ai ishte operator i filmave multiplikativë. Gjithsesi, them se kam bërë zgjedhjen e duhur pasi është një art shumë i dashur dhe i vlerësuar.
Por është një art që lidhet pashmangshmërisht me moshën. E keni menduar ndonjëherë?
Çdo gjë ka kohën e vet. Në momentin kur unë nuk do të mundem më të kërcej, do të bëj koreografin ose pedagogun, por gjithë jetën do ta kem të lidhur me baletin.
Po për karrierën jashtë mendon ndonjëherë?
Të them të drejtën nuk e kam menduar asnjëherë. Nuk është e thënë se duhet të shkosh pa tjetër jashtë shtetit që të bësh karrierë. Karriera mund të bëhet edhe këtu, siç e kemi bërë unë dhe Enada. Jam ndier mirë, shumë krenar dhe i vlerësuar, sepse kam kërcyer në një teatër me vlera, para artistëve e koreografëve më të mirë. Kështu, nuk e kam parë të arsyeshme që unë të largohem dhe të jem pjesë e botës jashtë.
Thatë se ishte dëshira e nënës suaj që ju u bëtë balerin. Megjithatë, nuk mjafton shtytja po mungoi talenti...
Përderisa më futën në balet, ata panë diçka tek unë. Kisha një figurë të mirë për atë pozicion. Megjithatë, nuk mendoj se talenti është kryesori që vendos. Duhet të kesh një vullnet të jashtëzakonshëm për këtë profesion, sepse vetëm kështu mund të arrish gjithçka.
Që në klasën e pestë fillore u lidhët me baletin. ǒmbani mend nga ajo kohë?
Nuk është se kam shumë kujtime. Isha i vogël. Në atë moshë, njeriu ka ëndrra të ndryshme...
Po tjetër, çfarë mbani mend nga vogëlia?
Me këtë shkollë që bëra mbaj mend vetëm që në momentin kur u futa aty, baleti nuk m’u nda asnjëherë. Ndryshe nga gjithë të tjerat, baleti nuk të lë kohë që të ndahesh prej tij. Mbaj mend se më duhej të privohesha nga shumë gjëra, me të cilat ndoshta janë kënaqur fëmijët e tjerë.
Pra, duhen sakrifica. Sa kohë në ditë ju merrte përgatitja me baletin?
Normalisht, shkoja në shkollë në mëngjes dhe dilja në orën katër ose gjashtë të pasdites. Sakrificat kanë qenë shumë të mëdha.
Pra, keni qenë larg daljeve me shoqërinë, futbollit, festave të rinisë?
Të them të drejtën, ia kam krijuar mundësinë vetes që të shijoj edhe gjëra të tilla. Nuk është se i kam lënë pas dore miqësitë, shoqërinë dhe ndonjë të dalë për të luajtur futboll.
Cili ka qenë momenti kur e keni parë veten më keq?
Në ç’aspekt pyesni?
Në atë profesional.
Zhgënjime të mëdha në profesionin tim nuk kam pasur. Nuk flas për periudhën që kam qenë në shkollë, por për periudhën artistike. Shumë gjëra që kemi dashur për t’i bërë, bashkë me Enadën, ia kemi dalë mbanë. Pastaj, shumë pjesë ose momente pune kanë vështirësitë e tyre për t’u futur brenda rolit, vështirësitë e krijimtarisë, por që këto nuk mund të quhen shqetësime dhe as zhgënjime.
Po në jetën tuaj cili ka qenë momenti më i vështirë?
Momente të vështira kemi plot: kur përgatisim koreografinë me Enadën... kur je në krijimtari e sipër për të realizuar një pjesë ka gjithmonë vështirësi.
Gjithë kohën duke kërcyer dhe duke realizuar figura nga më të ndryshmet apo të vështirat. Nuk keni frikë nga incidentet?
Incidente mund të ndodhin edhe po të mos jesh balerin. Nga kjo anë unë ndihem mirë. Jam munduar ta ruaj veten dhe të punoj në mënyrë të tillë që të mos e shkatërroj trupin tim.
Si ia arrini kësaj?
Kuptohet, ka të bëjë shumë zgjuarsia në mënyrën se si punon.
E frekuentoni palestrën?
Patjetër që po.
Sa orë kaloni aty?
Kjo varet nga koha që më merr puna. Por shpesh mundohem që të mos e lë trupin të më rëndohet. Në shumicën e rasteve puna jonë shkon e stërzgjatur. Ato që na bashkojnë në shtëpi janë dreka dhe darka.
Ushqimin, sa problem e keni?
Ha çdo gjë, por me një masë të caktuar.
Cili është synimi që keni për të arritur në jetë?
Të mirat asnjëherë nuk kanë fund, sidomos në profesionin tonë. Sa më shumë të punosh, aq më mirë është. Për momentin, objektivi kryesor është që ta mbajmë ritmin kështu siç është dhe të jemi në majat e baletit.
Sa kohë keni që njiheni me Enadën?
Rreth 14 vjet.
E mbani mend momentin kur jeni takuar për herë të parë?
Absolutisht që po.
Kur ka qenë?
Para 14 vitesh. (Qesh)
Cila ishte atmosfera, vendi ku u takuat?
Me Enadën jemi njohur në institucion. Kemi kërcyer bashkë që pa u lidhur dhe ndoshta kjo ka qenë shtytja që u bashkuam më shumë me njëri-tjetrin.
Thonë se balerinët nuk para tërhiqen shumë nga femrat, sidomos nga ato me të cilat kërcejnë. Si ka mundësi që e kundërta ndodhi në rastin tuaj?
Nuk e di kush e ka thënë.(Qesh) Por kjo nuk ka të bëjë fare me ne. Nëse ndien diçka për një njeri, nuk ka rëndësi asgjë tjetër. Normalisht, na qëlloi fati që të jemi të dy në një institucion dhe kjo gjë na ka ndihmuar shumë.
Çdo moment, thuajse gjithë kohën, në punë e në shtëpi, bashkë me partneren. A nuk bëhet ndonjëherë e bezdisshme kjo gjë?
Absolutisht jo. Nëse do të ishte e bezdisshme, as ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Me këtë lidhje, ne kemi fituar dashurinë për njëri-tjetrin dhe për profesionin që kemi.
Nuk ju bezdis ideja e të qenurit gjithë kohën nën kontrollin e partneres?
Siç jua thashë, ne ndihemi shumë mirë kur jemi bashkë dhe nuk ka asnjë problem.
Pra, xhelozia nuk ekziston?
Nuk ka pse të ndodhin probleme të tilla nëse një çift shkon mirë.
Nuk më thatë, kur ka qenë momenti i parë që e kuptuat se ndienit diçka për Enadën?
Ndoshta Enada nuk e ka kuptuar, por e kam kuptuar unë para se ta kuptonte ajo, sepse isha unë ai që e mori iniciativën. Të them të drejtën, Enada filloi ta kuptojë ndjenjën time me kalimin e kohës dhe gjithçka erdhi natyrshëm. Nuk do ta kisha menduar se gjërat do të ecnin aq bukur dhe aq ngrohtë.
Enada ju ra në sy me shikim të parë, apo...?
Përderisa e kam zgjedhur, them se ishte vajza më e veçantë që kam takuar dhe do të takoj.
Çfarë e bën atë kaq të veçantë?
Është një vajzë me botë të madhe, e ndjeshme, më ka qëndruar gjithmonë pranë dhe më ka ndihmuar në çdo lloj aspekti.
Tipat e kundërt zakonisht ndodh që mes tyre të tërhiqen. Ju, si çift, keni më shumë të përbashkëta, apo të veçanta?
Unë jam një tip shumë i qetë, shumë alegro, ndërsa Nada është tepër serioze dhe melankolike. Këto dy pole të kundërta e zbukurojnë më shumë lidhjen tonë.
Kush nga ju i merr iniciativat?
Varet nga lloji i iniciativës. (Qesh)
Thatë se nuk josheni shumë nga skenat e huaja?
Na pëlqen më tepër kjo lloj pune që bëjmë në Shqipëri. Kur shkojmë jashtë e bëjmë me ftesa për projekte të ndryshme dhe kthehemi prapë këtu.
Mos ka të bëjë kjo edhe me ndarjen tuaj nga Enada nëse ndonjëri prej jush do të kishte ofertë për të punuar jashtë?
Ka ndodhur që Nadës i është bërë një ftesë dhe ka dalë e ka kërcyer jashtë. Në aspektin profesional, kjo gjë nuk na pengon.
Po nëse njëri prej jush do të shkëputej për një kohë të gjatë?
Nëse do të shkëputesh jashtë për një kohë të gjatë do të thotë se duhen lënë shumë punë këtu. Të dy kemi qenë jashtëzakonisht të impenjuar me kontrata e angazhime të ndryshme këtu, kështu që nuk e kemi ndier nevojën për të shkuar jashtë.
E kisha fjalën për t’u bërë, pse jo, të famshëm jashtë Shqipërisë?
Kush tha se jashtë Shqipërisë merr famë dhe këtu brenda jo?! Varet pastaj se si e kërkojnë njerëzit famën dhe çfarë kërkojnë të bëjnë që të marrin famë. Neve na ka pëlqyer të kërcejmë në Teatër, pasi për ne Teatri është shumë i shenjtë. Për të shtuar famën jemi angazhuar edhe në televizion dhe e kemi arritur këtë gjë.
E kisha fjalën për famë jo vetëm për shqiptarët.
Po edhe ata që kërcejnë jashtë nuk kanë famë në të gjithë botën...
Atë dëshirë që kemi pasur për të kërcyer në skena të ndryshme të botës tashmë e kemi realizuar. Shumë pengje nuk na kanë mbetur. Kemi bërë të gjitha rolet e mundshme që mund të kenë baletet botërore. Po kështu, kemi realizuar edhe role që balerinët që mund t’i realizojnë numërohen me gishta.
Thatë se keni bërë të gjitha baletet e botës?!
Them të gjitha rolet e baleteve klasike, të cilat janë më specifike. Baleti modern është i gjerë dhe më pak i njohur.
Pasion tjetër veç baletit?
Më pëlqen shumë sporti dhe e ndjek futbollin. Ka qenë pasioni im, por në momentin që në mes u fut baleti, futbolli nuk mbeti më si një dëshirë.
Keni menduar ndonjëherë t’i hyni kinematografisë, siç bëjnë edhe shumë artistë të tjerë?
Nuk është se kanë munguar ofertat, madje ka pasur dy herë të tilla. Nuk u bë gjë në këtë sens për efekt të kohës së zënë nga impenjimet e shumta. Po të më ofrohej një kontratë kinemaje, do ta bëja me kënaqësi, por dua të them që nuk është se e kam ndonjë fiksim.
Po me librin çfarë raportesh keni?
Të jem i sinqertë, nuk është se ulem shpesh të lexoj. Mund të lexoj gjëra rreth historikut të baletit apo rreth asaj vepre që mund të kem për ta vënë në skenë.
A bëni jetë nate bashkë me Enadën, apo edhe me shoqërinë?
Tani që më pyesni po e mendoj dhe vetë... U bë kohë e gjatë që nuk bëjmë jetë nate. Nuk jemi nga ata çifte që e shijojnë jetën e natës.
Nuk i frekuentoni fare pub-et?
Kur ishim më të rinj dilnim më shpesh, por me kalimin e kohës njerëzit mendojnë edhe për gjëra të tjera. Profesioni ynë është i tillë që nuk të lë mundësi të shijosh shumë gjëra që dëshiron. Kemi një punë të lodhshme që kërkon patjetër regjim.
Dilni shpesh jashtë kryeqytetit në kohën e lirë?
Momentet e relaksit mundohemi t’i shijojmë gjithmonë në maksimum. Lëvizim jashtë Tirane, në Pogradec ose në Durrës, apo edhe jashtë Shqipërisë. Madje, kemi pesë vjet që pushimet dimërore e verore i kalojmë jashtë. Kuptohet, në verë na pëlqen bregdeti, në dimër mali.
Ju pëlqen të bëni ski?
Nuk është se kam pasur rastin, por do ta bëj edhe një gjë të tillë.
Po me parashutë a do të hidheshit po t’jua kërkonte Enada?
Këtë e kam bërë. Jam hedhur një herë.
Ka qenë e thjeshtë?
Asnjëherë gjërat e veçanta nuk janë të thjeshta. Ishte tepër e vështirë, por diçka e bukur.
Si e ndani kohën tani që jeni bërë prindër?
Në momentet e lira, gjëja e parë që na shkon në mendje është djali. Duam që të kalojmë sa më shumë kohë me të.
Duke qenë se duhen bërë shumë sakrifica, a do t’ia uronit djalit që të bëhej balerin?
Nuk është se ia uroj këtë gjë. Ai është ende shumë i vogël dhe është herët për të menduar se çfarë do të bëjë ai. Tani duhet rritur dhe edukuar e më pas duhet të studiojë dhe ta shohë se çfarë mund të bëjë. Nëse do t’i pëlqejë baleti, nuk jam kundër.
Familjen e keni mbyllur me djalin, apo do ta shtoni?
Ndoshta më vonë, një vajzë do të ishte mirë. Kësaj gjëje nuk i dihet, por tani jemi duke marrë frutet dhe kënaqësinë që na jep ky djalë.
Pra, do të dëshironit më shumë një vajzë?
Edhe në fillim dëshironim një vajzë, por na erdhi një djalë që tani nuk do ta ndërronim me asnjë vajzë tjetër. Fëmijës nuk i dihet. Këto punë i di vetëm Zoti.
Zakonisht, sidomos në Shqipëri, prindërit fëmijën e parë e kërkojnë djalë. Si ka mundësi që ju e donit vajzë?
Nuk është se i zbatoj shumë traditat.
Dmth. besoni në Zot?
Besoj atëherë kur duhet. Normalisht njerëzit e përdorin Zotin për shumë gjëra, unë them se duhet përdorur atëherë kur duket dora e Tij.
7 Shkurt 2009