Han: Filozofi holandeze ndaj Suedisë

TIRANË - Natyrisht nuk kërkon që të jetë aventurier, por gjithashtu nuk ka dëshirë të heqë dorë nga filozofia e futbollit që e ka frymëzuar për gjithë jetën. Ari Han deklaron se Shqipërisë duhet të përpiqet të luajë në mënyrë holandeze, të shënojë një gol dhe pastaj të mendojë edhe për të ruajtur rezultatin.
Trajneri nuk pohon përfundimisht për skemën 4-5-1, por as nuk e hedh poshtë, kur gazetarët e pyesin për këtë gjë. “Në këtë nivel duhet të kemi një mënyrë tonën të lojës, - thotë ai, - ne duhet që filozofinë holandeze ta kuptojmë sa më shpejt. Ne duhet të shënojmë një gol dhe pastaj të shikojmë çfarë do të ndodhë”.
“Suedia me 4-4-2”
Hani i anashkalon debatet suedeze mbi taktikën që do të përdoret në Tiranë. “Nuk besoj se Lagerbeku do të bëjë eksperimente me një skemë të re, - tha ai, - ju flisni për 3-5-2, por unë mendoj se 4-4-2 është më e provuar për Suedinë dhe me këtë skemë ajo do të luajë ndaj nesh. E pashë ndeshjen ndaj Francës, u provua edhe 3-5-2, por më pas do të kthehen sërish tek skema tradicionale”.
Një sulmues enigmë dhe disiplinë taktike
“Kam shumë besim te skuadra ime se do të luajë ashtu si bëri pjesën e parë kundër Lihtenshtejnit, shumë e organizuar. Mendoj se mund të arrijmë një rezultat të mirë, pasi është i rëndësishëm një start i mirë. Kërkoj të kem një skuadër të tërë në fushë e jo të bazohem të individët. Formacionin që do të zbresë në fushë ende nuk e kam përcaktuar, pasi kemi në dispozicion edhe një seancë stërvitore”. Ky është mesazhi i trajnerit të 19-të në historinë e Kombëtares shqiptare, holandezit Ari Han, në prag të ndeshjes së parë kualifikuese të Botërorit 2010, ajo kundër Suedisë. Han pranoi gjatë konferencës së tij për shtyp se tifozeria do të ndikojë shumë në përformancën e skuadrës sonë, por nuk mendon se ajo do të ndikojë negativisht te lojtarët kundërshtarë: “Të gjithë ata luajnë jashtë dhe kanë shumë eksperiencë, janë mësuar me publik”
Sulmuesi enigmë
Trajneri e ka bërë të ditur se do të luaj me një sulmues të mirëfilltë, duke i mëshuar më shumë lojës në krahë të mesfushorëve të avancuar me karakteristika ofensive. Por, edhe pse ka pasur në dispozicion pesë ditë stërvitje trajneri Holandez ende nuk e bëri publike formacionin që do të hedhë në fushë kundër Suedisë. Pikëpyetjet më të mëdha kanë të bëjnë me lojtarin e vetëm që do të jetë në sulm. Han është një “dhelpër” e vjetër. “Zyrtarisht nuk mund t’ua konfirmoj. Më duhet të shoh edhe njëherë lojtarët. Kemi ende edhe nje seancë stërvitore. Kam tre sulmues në dispozicion (Bogdanin, Kapllanin e Salihin). Nëse do ta përcaktoj që tani, ai ndoshta mund të dëmtohet në stërvitjen e fundit, e më duhet të vendos tjetrin”.
Disiplinë taktike
Pasardhësi i Oto Bariçit lëshoi një konsideratë jo shumë optimiste përballë nordikëve. “Kërkoj një disiplinë të fortë taktike nga lojtarët. Me skuadrën që kam është paksa e vështirë. Lojtarët individualisht duhet të sjellin rezultate të mirë në funksion të skuadrës. Nëse dikush bën një paraqitje të mirë të mirë personale, por nuk i shërben skuadrës, atëherë, unë si trajner nuk përfitoj aspak. Lojtarët duhet të mësohen, që vetëm kur fitohet ne kemi lojtarë të mirë”. Përballë një skuadre me lojtarë të nivelit të lartë, ish-trajneri i Kinës e Kamerunit pohoi edhe rebusin e tij: “Skuadër ofensive? Varet ç’kuptoni ju. Do të kemi një skuadër me lojtarë ofensivë, apo do të luajmë në mënyrë ofensive. Pasi mund të kesh edhe 7 në mbrojtje e 3 në sulm. Në luajmë në fushën tonë dhe pa dyshim që do të bëjmë një lojë sulmuese”.
Shigjeta Skelës
Ish-partneri i Johan Krujfit e Teo de Jongit (aktualisht ndihmës i Hanit në Kombëtaren shqiptare) sqaroi edhe një herë çështjen (Besart) “Berisha”, duke theksuar se arti i lojës së tij është jashtë konceptit të tij, pasi mbizotëron teprimi i mbajtjes së topit. “Madje edhe Ervin Skelës i kam thënë të njëjtën gjë, në lidhje me mbajtjen e gjatë të topit. I kam thënë se ti nuk luan në një skuadër të mirë (Shqipëria). Nëse je një lojtar i lirë, duhet të bësh më tepër për skuadrën. Vetëm nëse qarkullojmë topin mirë, nuk e teprojmë me veprime individuale atëherë mund të jemi të rrezikshëm. Pak a shumë këtë i kam kërkuar Berishës. Këtë do i kërkoj në vazhdimësi skuadrës”.