Ligj i ri integral për mediat

Kryetarja e deputetëve të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj deklaroi dje se konfliktet e vazhdueshme të qeverisë me mediat kanë kosto për proceset integruese të vendit. Kryetarja e grupit kuvendar të PS-së, njëkohësisht kryetare e Komisionit Kuvendar të Medias theksoi domosdoshmërinë e një ligji integral për mediat. “Si kryetare e Komisionit Kuvendar, për mediat, jam ndër nismëtaret dhe nxitëset për të hartuar një ligj integral për mediat elektronike, duke rakorduar me BE dhe Këshillin e Evropës për standartet e ligjit”- deklaroi ajo. Numri një i socialistëve në kuvend sqaroi se aktualisht ka një projekt paraprak, i cili është në komision, për të cilin është marrë edhe mendimi i të gjithë aktorëve që lidhen me mediat elektronike. Leskaj, theksoi faktin se është rënë dakord edhe me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me BE-në, KE-në dhe me OSBE-në, për këtë paktet integrale. “Është një paketë integrale e cila do të përfshijë edhe çështje që kanë të bëjnë me pronësinë në media, me çështje të burimit të financimit, me çështje të transparencës dhe natyrisht me të gjithë elementët e tjerë që sjellin një përmirësim në ligjin aktual për mediat elektronike”- shtoi Valentina Leskaj. Drafti është në përgatitje për t’ju paraqitur KE-së, e më pas komenteve, siç tha ajo, do të zhvillohet një tryezë me të gjithë aktorët e interesit. Por, kryetarja e Grupit Kuvendar të PS-së, e cilësoi si të dëmshëm për proceset integruese rishfaqjen e problemeve të lirisë së medias e të të drejtave të njeriut. “Ndërkohë që partnerët tanë ndërkombëtarë po përpiqen të përshpejtojnë procesin e ratifikimit, për anëtarësimin e vendit në NATO, mesazh që unë e kam marrë edhe në takimet që kam patur ditët e fundit në Departamentin Amerikan të Shtetit, qeveria, në vend që të kontribuojë në këtë kahje, jep mesazhe që shkojnë në kahje të kundërt. Ne besojmë se thellimi i këtij eksesi antidemokratik të Qeverisë do kishte kosto për zgjedhjet në Shqipëri dhe rrugën drejt NATO-s dhe BE-së”- tha, Valentina Leskaj. Ajo i bëri edhe një herë thirrje mazhorancës, në emër të PS-së, të mos provokojë konflikt, por të zbatojë ligjin. Sipas lideres së socialistëve në sallën e kuvendit, kryeministri, Berisha ka shkelur ligjin me spotin e tij, e po ashtu me gjobën ndaj Neës 24, duke abuzuar me pushtetin. Ndërkaq, në emër të PS-së, Leskaj, i kërkoi shefit të qeverisë, të ndalojë transmetimin e spotit të tij dhe penalizmin e subjekteve jo politike, për të shmangur rikthimin e tensioneve në Kuvend. Sipas Leskajt, nervozizmi i kreut të qeverisë ka si burim, dështimin në luftën ndaj korrupsionit.