E Shtunë, 31 Tetor 2026

Han: “Presidenti Duka më bindi të drejtoj Shqipërinë”

I qeshur. I sigurt. Optimist. Legjenda holandeze Ari Han tregoi shumë nga karakteri i tij prej kampioni të madh përballë interesimit të jashtëzakonshëm të medias në hotel "Rogner Europark" (ora 15:00). Në krah të presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, Arben Bici dhe dy zëvendëspresidentëve Bujar Kasmi dhe Lutfi Nuri, ish-nënkampioni i botës me Holandën në vitet 1974 dhe 1978 rrëfeu edhe arsyet përse pranoi bankinën shqiptare.
"Kisha shumë oferta përpara se të pranoja të merrja detyrën e trajnerit të Kombëtares shqiptare, por edhe pasi pranova atë, m'u ofruan shuma edhe më të mëdha, madje edhe Kina, ku kisha drejtuar në vitin 2004 më kërkoi sërish si trajner", - tha midis të tjerash trajneri i 19-të i Kombëtares shqiptarë. "I kisha thënë ‘Po' presidentit Duka dhe nuk mund t'ia ktheja fjalën. Kisha thënë gjatë tratativave herë ‘po' herë ‘jo', por ishte karizma e presidentit që më bëri të vendos për të marrë drejtimin e Shqipërisë.
AUTOKRITIKA E DUKËS - Presidenti i FSHF-së pasi uroi të pranishmit për vitin e ri 2008 dhe suksese të mëtejshme për futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare, nuk harroi të përmendte vlerat e mëdha si futbollist të holandezit Han, por edhe karrierën e tij të gjatë si trajner. "Shpresoj se me Han ne do të përmirësojmë atë imazh jo të mirë që ne krijuam me dy ndeshjet e fundit me Kombëtaren dhe për t'u rikthyer në traditën tonë me lojëra të bukura", - tha Duka, duke iu rikthyer edhe
njëherë dy ndeshjet e fundit të humbura të Shqipërisë nën drejtimin e Oto Baricit.
PËRGJIGJE POZITIVE - "Pata një takim në Vjenë me presidentin Duka dhe krijova një përshtypje dhe një ndjenjë shumë të mirë për të", - deklaroi Han në fillim të fjalës së tij. "Kam hezituar jo pak për të pranuar detyrën e trajnerit, fillimisht thashë ‘po', më pas ‘jo', por duke reflektuar më shumë vendosa t'i përgjigjem pozitivisht ofertës së bërë nga federata shqiptare". Presidenti Duka ka qene sipas holandezit faktori më thelbësor që ai vendosi ditën e dytë të bisedimeve të pranonte stolin e Shqipërisë. "Ne nuk bëmë asnjë kontrata apo parakontratë me federatën shqiptare dhe unë mund të refuzoja të nënshkruaja për Shqipërinë, por ishte përshtypja e mirë që më krijoi presidenti Duka që vendos përfundimisht". Han tregoi se nuk trembet nga fakti se Shqipëria është një vend i vogël në futboll. "Edhe Holanda para viteve 1970 ishte një vend i vogël në botën e futbollit, por ju besoj se i njihni sukseset e saj. Ajo që ndodhi me Holandën mund të përsëritet edhe në Shqipëri. Unë kam bindjen se do të arrijmë të krijojmë një kombëtare të mirë".
BAZAMENT I MIRË- "Shqipëria ka qenë më mirë në ranklistën botërore, por tani në rast se nuk mund të gaboj ajo duhet të jetë midis vendeve 80-82. Edhe kur fillova punën si trajneri i Kinës, mu bë e njëjta pyetje, dhe në përfundim të kontratës sime me kombëtaren kineze arrita ta ngjis atë shumë vende më lart. Këtë besoj se do ta bëj edhe me Shqipërinë. Është natyrshme, se nëse do të bëjmë ndeshje të mira edhe situata jonë do të jetë më e mirë. Unë shpresoj se Shqipëria ka një bazament do të zhvillohet shpejt. Nëse do të jesh trajner te Reali i Madridit, padyshim që do të kesh një ekip të mirë, por edhe objektivat do të jenë të mëdha".
BOTËRORI 2010- "Ajo që të gjithë ju prisni është se si do të ecim në (eliminatoret) Botërorin 2010. Nëse ju të gjithë prisni që unë ta bëj Shqipërinë kampione bote, atëherë unë më mirë të largohem. Duhet të punojmë me ngadalë që dhe Shqipëria të bëjë një figurë të mirë. Grupi ynë nuk është i lehtë. Portugalia, Suedia janë nga ekipet më të mëdha në botë. Edhe Danimarka është një ekip i fortë dhe unë kam pasur Poulsenin në një nga ekipet e mia. Danimarka është një skuadër e rrezikshme, por nuk mund të thuash më e madhe. Shqipëria bën pjesë ne grupin e dytë të skuadrave së bashku me Hungarinë dhe Maltën. Ne nuk mund të fitojmë një ndeshje, nëse nuk do të luajmë për 90 minuta. Kemi kundërshtarë të fortë në grup, por qëllimi ynë është të marrim pikët maksimale me kundërshtarët e vegjël (Hungarinë e Maltën)".
PYETJET E GAZETAREVE
Bledar Kuka (Korrieri): Cfarë synon Han në aspektin e renditjes?
Han: - "Është e vështirë ta parashikoj tani. Nëse do të luanim dhjetë herë kundër Portugalisë, jam i bindur se në një prej tyre do të luanim shumë mirë dhe do ta fitonim atë takim. Ne duhet ta vëmë në jetë këtë ndeshje të mirë dhe sigurisht që do ta na japë mundësinë të shpresojmë. Besimi në forcat e tua zhvendos edhe malet".
Ylli Aga (Supersport): Zoti Duka, a ka ndonjë kusht specifik në kontratën e trajnerit Han në lidhje me rezultatet?
Duka: "Kontrata për drejtimin e Kombëtares është për dy vjet, ashtu sic e kam theksuar edhe më parë. Janë përcaktuar shpërblimet sipas renditjes së skuadrës. Kuptohet për cdo pikë të marrë, apo qoftë edhe një kualifikim ka masa të ndryshme shpërblimesh.
Ylli Aga (Supersport): Cili do të jetë raporti i tij me Shqipërinë; a do të qendrojë këtu për të ndjekur nga afër zhvillimet e futbollit shqiptar?
Han: "Sigurisht që do të jem në Shqipëri për të ndjekur nga afër kampionatin, por është e natyrshme që do të ndjek jashtë Shqipërisë në zhvillim e sipër të gjithë lojtarët jo vetëm të kombëtares, por dhe ata kandidatë të tjerë. Kjo është një praktikë e njohur. Unë do të vij në Shqipëri për të parë lojtarë të U-21 dhe U-19 të cilët mund të më shërbejnë në të ardhmen për ekipin e parë".
Altin Kodra (TVSH): Paraardhësi i tij (Oto Baric) dha dorëheqjen duke cituar faktin se nuk mund të besonte më te ky grup lojtarësh. E pret Ari Hanin ky fat?
Han: "Nuk mund të nis një punë nga mendimet apo konsideratat e të tjerëve. Për mua është e rëndësishme që lojtarët duhet të kuptojnë se duhet të mësojnë akoma".
Jagert Dyrmishi (Ora Neës): Për datat e lira të UEFA-s për ndeshjet miqësore, trajneri Han ka ndonjë preferencë për kundërshtarët?
Han: "Për mua vlen cdo ndeshje, sigurisht që një kundërshtar të vështirë do ta dëshiroja më shumë pasi dhe lojtarët do të mësonin më shumë nga ata, ata do të thoshin, paska lojtarë edhe më të mirë. Është e rendësishme që lojtarët tanë të krijojnë besim".
Gjergji Stefa (Sport Ekspres): Presidenti Duka ka deklaruar në mënyrë sistematike se trajner më të mirë se Baric Shqipëria nuk mund të ketë më. Cfarë duhet të bëjë trajneri Han për t'ia ndryshuar këtë opinion?
Duka: "Unë kam thënë se Oto Baric ka qenë një trajner shumë i mirë dhe ka punuar shumë mirë në Shqipëri me një eksperiencë të madhe, madje në takimin e parë që kam pasur me trajnerin e ri të Shqipërisë, i kam thënë se është e vështirë të lësh emër në Shqipëri, pasi vjen pas dy trajnerëve shumë të mirë. Kështu dëshiroj të them për cdo trajner që do të vijë në Shqipëri".
Jetmir Halilaj (Panorama Sport): Doja ta pyesja trajnerin sa nga lojtarët e kombëtares dhe kush do të jetë kapiteni i ri?
Ju e dini se kush jam unë dhe besoj se më mjafton një kohë e shkurtër për të njohur ekipin. Sigurisht që unë e njoh kapitenin e Shqipërisë, i cili luan në Gjermani".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›