E Shtunë, 31 Tetor 2026

Han: Unë, kurrë trajner i Holandës

"E gjeti Shqipërinë në vendin e 103-të në tabelën e renditjes botërore të FIFA-s për kombëtaret dhe pas një fillimi të mirë në eliminatoret e Botërorit 2010 e ngjiti atë në vendin e 83-të", shkruante dje revista sportive holandeze "VoetbalPrimeur.nl". Sigurisht që bëhet fjalë për Ari Hanin, trajnerin e kombëtares shqiptare që prej muajit janar të 2008-ës. Edhe vetë tekniku holandez, në një prononcim të dhënë për revistën sportive, e ka konfirmuar faktin se nën drejtimin e tij Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Sipas "VoetbalPrimeur.nl", "pa Hanin, shteti i vogël ballkanik ishte thuajse i panjohur".

I suksesshëm - "Sigurisht, nuk është një koincidencë fakti që kjo ka ndodhur gjatë kohës në të cilën kam qenë unë në krye të saj", do të thoshte Han për revistën holandeze në lidhje me klasifikimin e kuqezinjve tanë në renditjen e FIFA-s. "Shikojeni të kaluarën time: Kudo që kam shkelur, kam qenë i suksesshëm, - ka theksuar ai. Me Anderlehtin arrita të shpallesha kampion i Belgjikës në 1985-1986, me Standardin e Liezhit munda të fitoj Kupën e Belgjikës në sezonin 1993-1994 dhe në atë luajtëm edhe në kupat e Evropës. Më pas shpëtova dy skuadra nga shpërbërja totale, ndërkohë që me Kinën për pak sa nuk arrita kualifikimin për në fazën finale të Botërorit. Kjo konfirmon ngritje të nivelit të lojës, apo jo".

Puna e mirë - Sipas Hanit, mjafton të shikosh edhe rezultatet që ai ka arritur në klubet apo me kombëtaret të cilat ka drejtuar edhe pas largimit të tij, kjo tregon se ai ka krijuar baza të mira për ecurinë e këtyre ekipeve. "Skuadrat kanë vazhduar ecurinë e mirë edhe direkt pas largimit tim, ilustron Hani. Shembuj të tillë janë Fejenordi, Anderlehti apo edhe Shtutgarti. Këto rezultatet të mira kanë ardhur edhe për shkak të punës së mëparshme të mirë që kam bërë unë te këto skuadra".

Holanda - Pavarësisht punës së mirë dhe rezultateve që ka arritur, Ari Han pretendon se ai nuk vlerësohet maksimalisht në Holandë. Këtë konsideratë të tij ai e ka rrëfyer në prononcimin e tij për revistën sportive. "Këtu (në Holandë) është shumë ndryshe në krahasim me vendet e tjera, atje ku mua më njeh e gjithë bota, sqaron Han. Në çdo anë të botës, kur isha nëpër hotele apo nëpër restorante, të gjithë njerëzit më njihnin dhe e vlerësonin punën që unë bëja. Madje, në disa raste më kanë pyetur edhe pse nuk jam emëruar asnjëherë trajneri i kombëtares holandeze. Por unë mendoj se, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë, sepse drejtuesit e futbollit, mbi të gjitha ata që vërtiten përreth kombëtares holandeze, vështirë se do të më zgjedhin mua për të drejtuar tulipanët".

Reputacioni - Ish-futbollistit profesionist të kombëtares tulipane, nuk i ka rënduar ndonjëherë fakti që nuk e kanë marrë në konsideratë për rolin e trajnerit. "E di se si funksionojnë gjërat. Personalisht, nuk kam asgjë në dorë, nuk kam se çfarë të bëj më shumë, rrëfen trajneri aktual i Shqipërisë. Këtu ndikojnë edhe opinioni dhe Holanda nuk ka një konsideratë të lartë për mua. Më besoni: vetëm me një reputacion të mirë mund të arrish të bëhesh trajneri i Realit të Madridit apo i Barcelonës. Në të kundërt nuk ke asnjë shans. Nëse Krujfi nuk do të kishte dalë garant për Rajkardin, ky i fundit nuk do të ishte bërë asnjëherë trajner i Barcelonës".

E ardhmja

I njohur në gjithë botën, Han nuk ndihet i vlerësuar si duhet në vendlindjen e tij, Holandë. "Mendoj se unë trajner i Holandës nuk kam për t‘u bërë kurrë, sepse drejtuesit e futbollit, mbi të gjitha ata që vërtiten përreth kombëtares holandeze, vështirë se do të më zgjidhnin mua për të drejtuar tulipanët".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›