E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë na mësoi rruga Egnatia

Në vendin e tij, regjisorin Davide Barletti e kanë quajtur ndryshe edhe një nomad. Në Tiranë ai vjen si anëtar i jurisë së konkursit ndërkombëtar në Tirana International Film Festival, por edhe si regjisor i filmit me metrazh të shkurtër "Radio Egnatia". Historia nis prej Durrësit. Aventura në gjurmët e rrugës së hershme lind me një histori romantike, siç ishte romantike edhe vetë ideja e krijimit të saj. Në qendër është Nikolin Xhoja, historia e aktorit shqiptar, babai i të cilit ishte italian, ndërsa nëna shqiptare. Në mënyrë simbolike, regjisori ka zgjedhur këtë ngjarje duke sjellë një histori emigrimi ndryshe. "Ne kemi dëgjuar për shqiptarët që vijnë në Itali, por asnjëherë për italianët që vijnë në Shqipëri", tregon regjisori italian Davide Barletti.

Me historinë e aktorit shqiptar, ai u njoh rreth 11 vjet më parë, ndërsa realizonte një tjetër film me temë nga Shqipëria. Ishte viti 1997, kur me rastin e rrëzimit të skemave piramidale në vend, ai kontakton dhe njihet me vajzën e Artistit të Popullit, pianisten Aksinja Xhoja, e cila na tregoi historinë e babait të saj. 11 vjet më pas, Davide Barletti iu kthye sërish kësaj historie për të bërë pjesë të filmit të tij "Radio Egnatia". "Historia e Nikolinit ishte në një farë mënyre edhe vetë fillimi i këtij udhëtimi. Me historinë e tij ne kuptojmë se para luftës dhe para vendosjes së komunizmit në Shqipëri, marrëdhënia mes dy vendeve tona ishte shumë më e afërt dhe më vëllazërore. Historia e Nikolinit, megjithatë, është vetëm një mes shumë të tjerash", shton Barletti.

Për rreth dy vjet, Davide Barletti i ka rënë kryq e tërthor asaj që dikur quhej rruga Egnatia për të realizuar një film dokumentar me metrazh të shkurtër. "Radio Egnatia" ka nisur prej Durrësit, për të kaluar më pas në Maqedoni, Greqi e Turqi. Ai së bashku me Matteo Frattini-n ka përshkruar atë që dikur ishte një rrugë antike romake e ndërtuar për të lidhur Romën me Kostandinopojën, dy kryeqytetet e Perandorisë Romake të Perëndimit dhe të Lindjes. Ata realizuan "Radio Egnatia", një film që dokumenton historinë ende të gjallë të identitetit mes territoreve dhe popujve të Mesdheut. Sepse Egnatia, para se të jetë një shprehje gjeografike, është një vend shpirtëror, një fije lidhëse rreth tremijëvjeçare mes Lindjes dhe Perëndimit. Filmi i Davide Barletti-t është një kryqëzim mes ndjesish, por edhe kulturash, është një thirrje që kultura e sotme mund të kontribuojë dhe të na lirojë nga frika konstante që sot kemi ndaj tjetrit. "Në fakt, ideja fillestare nuk ishte për realizimin e një filmi. Fillimisht Egnatia ishte një projekt artistik. Me këtë projekt ne dëshironim të bashkonim arkitektë, urbanistë, artistë dhe njerëz të zakonshëm, për të folur, për të arsyetuar mbi temën e rrugës Egnatia. E nga ky projekt, së bashku me një tjetër artist, Matteo Frattini lindi edhe ideja për realizimin e këtij filmi", tregon regjisori italian Davide Barletti. Pas kësaj nisi edhe udhëtimi. "Sa herë që hasnim një histori, apo një këngë nga vendet ku ne shkelnim, në një farë mënyre ishte njësoj sikur shtronim nga një pllakë të re në rrugë. E sa herë që ne depozitonim nga një gur të ri, krijohej një marrëdhënie shumë më intensive me njerëzit që takonim", vazhdon ai. E për Daviden, më e rëndësishme se vetë realizimi i filmit është ajo çka mësuan gjatë udhëtimit në gjurmë të Egnatias. "Ajo që ne mësuam është humanizmi i madh që gjendet në të gjithë Evropën. Mësuam se mes këtyre vendeve ka diçka të përbashkët, që i mban të lidhur të gjithë këta popuj nëpër të cilët rruga Egnatia kaloi. Populli italian, shqiptar, maqedonas, grek dhe turk, pavarësisht problemeve të mëdha që kanë pasur me njëri-tjetrin në të kaluarën, mendoj se kanë qenë mjaft të lidhur. Po kaq interesant është edhe fakti se në rrugën Egnatia ka pasur edhe një parakalim të besimeve të ndryshme fetare. Në film rrëfehet më së miri edhe pjesa e takimit të feve. Aty takon disa besime fetare, takon fenë katolike, ortodokse, myslimane, hebraike", vazhdon më tej regjisori.

Më vonë lindi edhe ideja e radios si një rrëfim zanor të të gjithë aventurës që përjetuan pjesëmarrësit, gjatë kohës së udhëtimit. "Radio Egnatia" është një stacion imagjinar radiofonik, e cila rrëfen tinguj dhe informacione reale, si relike të programeve të ndryshme radiofonike nga vende dhe zona ku kaloi rruga Egnatia. Nëpërmjet radios, mësohen dëshmi dhe ngjarje, episode, ku secili prej tyre në mënyrë simbolike përfaqësohet prej një pllake, e cila krijohet dhe "humbet" sapo nis një dëshmi e re përgjatë kalimit në rrugën e vjetër romake. Çdo pllakë rrëfen një histori njerëzore, ose të një territori, të një komuniteti, apo të traditave që janë duke u zhdukur; rrëfen një takim mes njerëzve që vijnë prej zonave të ndryshme. "Ajo është një radio imagjinare, që do t‘i moderonte të gjitha këto histori, me të cilat ne u njohëm gjatë udhëtimit tonë. Radioja shërbeu për të mbajtur të lidhura të gjitha këto histori", shprehet Davide, i cili në të njëjtën kohë është edhe anëtar i jurisë së konkursit ndërkombëtar. Si i tillë, Barletti e vlerëson tepër Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të shkurtër në Tiranë. "Jam shumë i kënaqur që më është dhënë mundësia të shikoj shumë filma me metrazh të shkurtër. Janë filma me një interes të dukshëm. Puna që është bërë në këtë festival është e pabesueshme, sepse këto ditë kam parë filma të një niveli mjaft të lartë dhe kjo është për t‘u vlerësuar. Mendoj se do të jetë e vështirë për të bërë përzgjedhjen e filmave fitues", thotë regjisori italian, Davide Barletti. "Radio Egnatia" është një prodhim i vitit 2008.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›