E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rrjeti i dopingjeve, i organizuar si sistemet mafioze"

Për vite Riçard Paund ka qenë zyrtari më i lartë i Anti-dopingut në rang global. Në një intervistë të dhënë për revistën gjermane "Der Spiegel", ai paralajmëron për mundësitë e frikshme që shtrihen përpara këtyre substancave, për hapësirën që gjejnë dopingjet në botën e sportit dhe përvojën personale gjatë tetë viteve të qëndrimit në detyrë.

Zoti Paund, nuk jeni më në detyrë si presidenti i Agjencisë Botërore të Anti-dopingut (WADA) që prej 11 muajsh. Ju mungon puna?

Është bukur të jesh në krye të diçkaje. Më pëlqen të kem në dorë diçka, të bëj të ndodhin gjëra, të drejtoj njerëz. Por a ia ndiej mungesën punës? Jo. E bëra për tetë vite. Ishte çasti për t‘u larguar. Varrezat janë plot me njerëz që mendonin se qenë të pazëvendësueshëm.

Një prej detyrave tuaja të fundit zyrtare qe takimi me Viktor Konte, i cili për vite furnizoi atletët amerikanë me një lloj të pakapshëm dopingu. Konte ju tregoi adresën dhe numrin e telefonit të një trafikanti dopingu që punon me atletët xhamajkanë dhe se u këshilloi të nisnin një hetim. Si vepruat?

Në atë kohë fola me Konten për mënyrën si operon sistemi i dopingut, si funksionojnë laboratorët e nëndheshëm. I premtova të mos publikoja asnjë detaj të bisedës sonë. Mund t‘ju them se Konte më tregoi gjëra shumë interesante, të cilat qenë jashtë dijenisë sime. Më tha gjithashtu se zotëronte dokumente që mund të na i jepte në dorë vetë gjatë këtij viti. Kjo ndodhte dy javë para se të lija detyrën. Materialin ia kalova drejtorit të WADA-s.

Çfarë ju shkoi në mendje në çastin kur atleti xhamajkan, Usain Bold, vendosi rekorde të reja në garat e njëqind dhe dyqind metrave?

Epo... ç‘mund t‘ju them, qe një arritje e jashtëzakonshme.

Besoni se Bold është i pastër?

Do preferoja të mos i përgjigjesha kësaj pyetjeje. Në përgjithësi, në ditët e sotme, të gjithë ngrenë dyshime kur një atlet arrin rezultate të larta e shkëlqen.

Në Xhamajkë nuk janë zhvilluar teste të pavarura dopingu. Përse?

Për Karaibet krijuam një agjenci rajonale anti-dopingu. Nuk e di se në ç‘shkallë janë neglizhuar testet.

Ka forcë WADA të ndërhyjë për të vendosur rregull?

Jo. Por mekanizmat e rëndësishëm sportivë botërorë mund t‘i përjashtojnë nga pjesëmarrjet në olimpiada.

Gjatë Lojërave Olimpike të Pekinit pati dyshime për rezultatin e testeve kundër dopingut. Që të gjithë kampionët po testohen përsëri për drogën CERA. Çfarë rezultatesh prisni?

Nuk e di. Ajo që dihet është se CERA u përdor gjatë "Tour de France" (turit çiklistik), kështu që nuk do hidhja poshtë idenë se mund të jetë përdorur edhe gjatë lojërave olimpike. Gjithsesi, që kur gjatë turit u kap çiklisti Rikardo Riko, dinë se tani jemi në gjendje ta dedektojmë këtë lloj dopingu.

Trafikanti i dopingjeve, Angel Heredia, thotë se gjenden laboratorë të panumërt, që në fshehtësi prodhojnë droga të cilat nuk mund të kapen nga testet. A mos i ka hyrë WADA-ja një beteje që nuk mund ta fitojë?

Gjithnjë do ketë një garë mes hileqarëve e atyre që duan rregulla të ndershme loje, por po punojmë për këtë. Synimi ynë është që 99.9 për qind e atletëve të mos përdorin substanca të ndaluara dhe të kapim ata 1 për qind që e bëjnë.

Si ka ndër mend të veprojë WADA me krimin e organizuar të dopingut?

Sistemi i shpërndarjes së dopingut është i organizuar si sistemet mafioze. Kështu që kemi nevojë për bashkëpunim të afërt me policinë e autoritetet. Armët tona janë shumë të kufizuara. Mund të testojmë vetëm urinën e gjakun. Hetuesit e policisë mund të përgjojnë telefonat, komunikimet në internet. Megjithatë, së fundmi po punojmë me Interpol-in. Po bëjmë para hap pas hapi.

Si ish-kreu i WADA-s, kryegjuetar i përdoruesve të dopingut, duhet t‘i keni bërë vetes shumë armiq. Patët reagime të ashpra gjatë kohës që ishit në detyrë?

Sigurisht. Çiklisti Lens Armstrong dikur u kërkoi autoriteteve më të larta sportive në rang global që të largohesha nga detyra ose së paku të kaloja në një pozicion më të ulët. Kam marrë shumë email-e ku më fyejnë e më kërcënojnë duke më kërkuar t‘u rri larg sporteve. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e njerëzve besojnë te sporti i ndershëm e pa substanca të ndaluara, kështu që kam shumë më tepër miq se armiq.

Nga dërgoheshin email-et armiqësore?

Nga tifozët, gjyqtarët, atletët. Profesionistët e hokejit në akull qenë veçanërisht të ashpër karshi meje. Unë hyra në një betejë të vërtetë me Ligën Kombëtare të Hokejit në Kanada, pasi thashë se në këtë vend as që ekzistonte një program anti-dopingu. Në Kanada hokej në akull është besim fetar; thuajse më shkishëruan e më kryqëzuan për herezi. Por këto gjëra nuk më shqetësonin atëherë e nuk më shqetësojnë as sot. E prisja që do hasja kundërshtime e reagime të forta. Ai pozicion e mbart me vete këtë rrezik.

Makthi për një hetues dopingjesh duhet të jetë përmirësimi i rezultateve sportive përmes inxhinierisë gjenetike. Kur mendoni se do ndodhë?

Nuk e di. Por që tani kemi dëgjuar për çështje gjyqësore për manipulime gjenetike, kështu që është një kërcënim i cili duhet marrë tepër seriozisht. Pasi një gjë është e qartë: nëse dopingu gjenetik është i mundshëm, atëherë këto hile që përdoren tani do të duken si të një epoke tjetër, si ato pikturat parahistorike që shohim nëpër shpella. Në Pitsburg është një shkencëtar, i quajtur Li Suini, i Universitetit Mjekësor të Pensilvanisë, i cili ia ka dalë të rrisë me 35 për qind masën muskulore të një miu falë modifikimit të gjeneve të kafshës. Gjysma e email-eve që i vijnë janë dërguar nga atletë të cilët i shkruajnë: "Testojeni tek unë". Kur Suini u përgjigjet se punon vetëm mbi kafshë dhe se as që e ka idenë për mënyrën si do reagonte organizmi njerëzor ndaj një ndërhyrjeje të këtij lloji, i përgjigjen: Nuk ka kurrfarë problemi, testojeni tek unë gjithsesi". Bota e njerëzve që përdorin doping është botë e sëmurë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›