Han e nis me humbje, por testi polak është me vlera
Polonia mposht kuqezinjtë 1-0. Trajneri Ari Han u jep mundësi aktivizimi thuajse të gjithë lojtarëve
Në debutimin zyrtar me kuqezinjtë, holandezi Han nuk ka arritur të marrë një fitore, siç predikonte para ndeshjes. Sidoqoftë, e ka krijuar tashmë një bindje për të besuarit e tij, të cilët zhvilluan mbrëmë një pjesë të parë jo fort pozitive, ndërsa në të dytën u përmirësuan shumë. Polonia mund të ketë shërbyer si një test njohjeje për trajnerin e kombëtares, por jo si një frymëmarrje për të punuar i qetë në vazhdim. Fatkeqësisht, jemi jo pak të vonuar në përgatitje, falë edhe pezullimit të përkohshëm të FIFA-s, prandaj Polonia duhet të përbëjë njëfarë alarmi para startit të eliminatoreve të Botërorit 2010. Trajneri Ari Han duhet të mendojë edhe për moralin kuqezi. Ndryshe, pa kohën e mjaftueshme për të implementuar idetë e tij në skuadrën që drejton, por edhe me "eksperimentet" e detyrueshme që nisi dje (Hidi në portë, Dallku qendërmbrojtës, në pjesën e parë, Hyka e Bylykbashi me detyra sulmuese, Vrapi në të majtë të mbrojtjes, në pjesën e dytë), mund të rezultojmë një kombëtare, ku trajneri dhe lojtarët t'i hipin të njëjtës biçikletë, por secila palë të pedalojë në të kundërt të tjetrit. Loja e paqartë, me gabime jo të pakta në të gjithë sektorët, veçanërisht në atë të mbrojtjes, si në pësimin e golit të parë, që në minutën e 3-të të ndeshjes, nuk premtojnë shumë. Mandej, nëse trajneri holandez i kuqezinjve, Ari Han, e konsideron dështim strategjinë e tij të mbrëmshme, kjo do të thotë se atij i duhet të ngrihet mbi "rrënojat" e kësaj miqësoreje, mbi atë lojë jo fort bindëse, e sërish t'ia nisë nga themelet. Mirëpo koha nuk i premton. Prandaj, skuadra përfaqësuese duhet të nxitojë për të riparuar ato mangësi që paraqiti në ndeshjen me polakët. Sistemi i lojës që zakonisht kemi aplikuar, 4-4-2, është provuar mbrëmë edhe nga Hani, ndoshta ngaqë e ka parë sa e vështirë është të aplikojë brenda lojës një sistem tjetër. Dikur kjo ndodhte nga pamundësia e lojtarëve që trajneri i kombëtares kuqezi kishte në dispozicion, ndërsa Hanit do t'i duhet të precizojë më shumë në këtë drejtim. Sidoqoftë, duke u fokusuar sërish te sistemi i lojës kuqezi, ndaj Polonisë, ai përbëhet nga disa karakteristika, si loja vertikalisht apo horizontalisht, loja në trekëndësh, distancat e llogaritura ndërmjet reparteve dhe mbulimi reciprok, mbrojtja individuale dhe e përzier. Me gjithë orientimet dhe vendosmërinë e Hanit para ndeshjes, për të aplikuar një lojë sulmuese, këto karakteristika të sistemit që ai përdori nuk gjetën aplikim, siç u pa edhe gjatë gjithë pjesës së dytë, ndoshta edhe për mungesë të freskisë fizike. Duke u përqendruar te vazhdimësia e ritmit të lojës, aftësia për të rrezikuar, ndihma reciproke dhe krijimtaria dirigjuese në mesfushë, që kërkojnë lojërat e këtij niveli, themi se trajneri Han ka përpara një punë të madhe për të arritur objektivat që ka në lidhje me këto probleme. Mbrëmë, duke qenë se "sfilonin" për herë të parë në sytë e Hanit, por ishin edhe në "lupën" e menaxherëve të shumtë në stadium, kuqezinjtë u munduan të tregojnë vendosmëri, shpirt sakrifice, sidoqoftë nuk pamë në fushë nga ata futbollistë me personalitet, që ishin në gjendje të dinin se çfarë duhej bërë në momente të rëndësishme të lojës (kujtojmë manovrat me dhe pa top të Canës, Salihit, Bogdani, Vangjelit). Trajnerit Han, i njohur për frymën e tij sulmuese në futboll, në vazhdim do t'i duhet të jetë i saktë në ngjarjet që ndodhin rreth tij. Ndoshta mbrëmë e ka kuptuar më mirë se, kur skuadra nuk është në gjendje të shënojë, atëherë vlen më shumë të mundohesh as të mos pësosh gol. Çka na risjell në skenë problematikën tonë të përhershme në mbrojtje, e kuruar sa mundej me mjeshtëri nga kroati Oto Bariç. Mbrëmë, dy mbrojtësit tanë anësorë në pjesën e parë, Lila dhe Vangjeli, në disa raste kanë mbuluar dobët, ndërkohë që dyshja e qendrës, Dallku-Curri, nuk kanë treguar sinkronizimin e duhur. Pak a shumë edhe reparti i mesit të fushës, i përbërë me katër lojtarë, u pa qartë që nuk është shumë i disiplinuar dhe i anashkalon kriteret e rolit, të cilin ata duhet të aplikojnë. P.sh. Duro, si mesfushor i krahut të djathtë, vononte lojën me veprime individuale, po kështu, Skela, si "dirigjent" i lojës së kombëtares sonë, ishte mjaft episodik. Duhet nënvizuar edhe fakti se lojtarë kyç, si Lala dhe Cana, ishin joproblematikë për kundërshtarët, të cilët, me pak pasime gjendeshin para portës sonë, ku Hidi nuk jepte edhe aq siguri. Sulmi vepronte jo në harmoni, por më shumë individualisht, duke e humbur rrezikshmërinë. Dueti i pjesës së parë në repartin ofensiv, Salihi-Bogdani, nuk tregoi aq rrezikshmëri sa ai i pjesës së dytë, Salihi-Kapllani. Kjo, ndoshta edhe nga fakti se në pjesën e dytë pamë në fushë një Hykë inspirues, mjaft të lëvizshëm dhe që dha asiste të volitshme për shënim tek sulmuesit. Madje, "fleksibiliteti" i Hykës në lëvizjet me dhe pa top, i dha tjetër "ngjyrë" edhe mesfushës, pa fantazi e kreativitet në pjesën e parë. Por jo aq sa për ta gjetur golin. Mungesën e këtij të fundit mund ta justifikojë vetëm të qenit ndeshje miqësore, ku pikët nuk kanë vlerë. Justifikim që nuk shkon për mentalitetin e Hanit, i cili, sikurse njihet, edhe para ndeshjes kishte deklaruar për lojë sulmuese. Gjithsesi, pavarësisht këtyre, miqësorja me Poloninë e ka kryer misionin e saj. Falë 90-minutëshit të mbrëmshëm, kuqezinjtë dhe Hani dinë më shumë për njëri-tjetrin, janë një hap më përpara për eliminatoret e Botërorit 2010.