E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kazanovat e Evropianit

 

Niveli i ulët i këngëve në Festivalin Evropian fshihet pas justifikimit për votime nepotike të vendeve fqinje. Pjesëmarrja e Shqipërisë dhe rregullat që funksionuan për delegacionin shqiptar në Beograd

Beograd

Në anën lindore të Arenës së Beogradit, edhe syrit të shqiptarit më pak vigjilent në punë nacionalizmash nuk do t’i shpëtonte sllogani mamuth në ballkonin e një apartamenti: “Kosovo and Metohia is the heart of Serbia”. Në qendër i bëm hije një flamur grek. Formën e shkruar “Kosovo is Serbia” e pamë dhe në ca tip stemash që shiteshin në shëtitore në dyqanet për turistët, bashkë me zemra të kuqe prej rrobe apo simbole të Beogradit prej porcelani dhe xhingla-minglash.

Ishin katër ditët e Festivalit Evropian të Këngës që zhvillohej në zemër të kryeqytetit serb. Se sa e rëndësishme është për kulturën dhe spektaklin e gjallë Beogradska Arena, mjaft të themi se në qershor aty pritet të këndojnë Hulio Iglesias, Police, Mark Knoplfer dhe në shtator Madonna. Biletat kishin filluar të shiten. Arena mban deri në 20 mijë vetë. Kaq plot nuk u mbush dot për Eurosongun e 53-të, për të cilin thuhej se priste rreth 15 mijë të ftuar.

Vendin e frymës agresive të hamendësuar nga ne shqiptarët e zuri pritja krejt normale që iu bë si fillim përfaqësimit të Shqipërisë me Olta Bokën dhe këngën e saj dhe më pas komentet pozitive në mediat vendase, në njerëz dhe spektatorë të rregullt të festivalit. Boka 16-vjeçare vazhdon të na bindë se është e mençur dhe e matur dhe se një ditë do dijë të bëjë zgjedhje të ndërgjegjshme edhe në mos qofshin muzikë, me të cilën çau e vetme deri në finalen e Eurosongut. Tani mund ta themi me siguri se Olta nuk ka një zë të jashtëzakonshëm, “të lindur”, ka një personalitet të fortë e të padukshëm që i jep atë siguri që talenti jo gjithnjë e toleron.

Është e tepërt nga ana e përfaqësueses së Shqipërisë që duke u kthyer për në atdhe, pasi ishte renditur e 16-ta, bën komente për një votim politik dhe nepotik të vendeve të Ballkanit dhe ish-vendeve sovjetike. E tepërt do të ishte dhe për ne t’i binim të njëjtit fyell. Vetë Olta ndër shumë këngë të Eurosongut pëlqeu këngën e rusit Dima Bilan që për hir të së vërtetës kishte një lirikë – e shkruar dhe e kompozuar nga Bilan - të veçantë për besimin tek njeriu dhe tek kufijtë e të pamundurës.

Veç kësaj, ky këngëtar ka vite që vërtitet në pesë vendet e para të Evropianit kurse vendi i tij ka 50 vjet që është pjesëmarrës.

Kritikë të Festivalit Evropian dhe artdashës që kanë mbetur të zhgënjyer nga edicionet e fundit për shkak të vlerësimit të këngëve nga votat e publikut, e shohin të domosdoshëm kthimin e vlerësimit nga juritë profesioniste të paktën në masën 50%.

Po këta edhe thonë që festivali është koti edhe u dhimbset votimi.

Le të hedhim një sy tek përmbajtja e lirikave të disa këngëve. Për çfarë flet muzika e Evropës? Kujt i drejtohet?

Ja ca vargje nga kënga e Malit të Zi: “Mesnatë në qytetin tonë/ mendoj për ty, ku je/ baby, jam keq/ nga mendja dot s’të heq”.

Ja, Andorra: “Oh Kazanova/ kujtoja se dashuria zgjat përgjithnjë/ se bashkë do të ishim gjithmonë/ zemra jote nuk e ndjen këtë?”

Armenia me këngën Qele-qele thotë: “Në vend që të më shohësh/ mundohu të më kapësh/ eja qele, tundu qele/ Qele, qele! Qele, qele! Qele, qele!”

Ja, Rumania: “Do të besoja se gjithë bota është e imja/ dhe të gjithën ty do ta jepja

Një jetë me ty/ është ëndrra më e bukur.../ Të lutem më thuaj se gjithmonë do të jesh e imja.”

Kalomira, përfaqësuesja e Greqisë, fituese e vendit të tretë, u paraqit edhe me një koreografi që të kujton koreografitë e para të lira të spektakleve të Grabockës. Autor ishte një balerin shqiptar për të cilin mediat në Shqipëri e përmendën posaçërisht si një tjetër shqiptar në skenën e Beogradit. Kurse Kalomira këndon: “Një libër i hapur, e pra një libër i hapur, më vjen keq, po nuk jam/ herë sillem si Shën Mëri, herë si grua, herë si baby.”

Nuk mbetet pas Ani Lorak, fituesja e vendit të dytë nga Ukraina me këngën për “Zonjën dyshuese”. Këngëtari që përfaqëson Bjellorusinë e ndjen veten një kazanovë, që i bie të jetë një nga të shumtët kazanova të këngëve kitsch të Evropianit kushtuar dashurisë. Thotë: “Hasta la vista baby/ do të më marrë malli-ndoshta/ hasta la vista - faji është i imi/ po vonë s’më bëhet.”

Bullgaria me këngën “DJ take me away”, për çudinë e shijeve të publikut nuk u votua për në finale. Një vajzë dhe tre burra që në vend të muzikës duket sikur kontrollonin flakët që dalin nga CD, këndonin: “Kur bie nata të dëshiroj/ DJ merrmë me vete/ Kur dritat shuhen kam nevojë për ty/ Dj të lutem më merr me vete/”.

Morena nga Malta i këndonte afshit që ndez vodka: “Vodka/ kjo është fjala sekret/ vodka/ dhe ata e dëshirojnë kaq shumë.”

Apo Qipro: “Hej ti djal i fortë/ unë jam femër dhe i përkas të ashtuqujturit “seks të dobët”/...kam hyrë në ëndrrat e tua dhe ja, ti je i dënuar/ sepse unë jam perëndeshë.”

As Maqedonia me Tamarën dhe shqiptarin Adrian Gaxha që kishte marrë leksione kërcimi nga kroeografi i Tina Turnerit po që nuk e shqepi asnjëherë gojën në skenë, nuk u fut në finale. Ja çfarë thoshte kënga e tyre: “Let’s go, let’s go, let’s go/ çfarë ndodh nëse të them/ ti ishe e vetmja që kam ëndërruar/ kurrë më parë si kjo dashuri s’kam provuar.” Tamara, “vokali i fortë”, do të thoshte në Green Room se suksesin për këtë këngë do t’ia dedikonte ëngjëllit që mbron Maqedoninë (!).

Është aq i lehtë kalimi nga pseudokëngët tek gjoja epika etnike për këtë lloj tipi artisti që merr pjesë në Festivalin Evropian. Në fund të fundit kjo arenë evropiane ku duket se dëgjon të njëjtën këngë reflekton krizën e tregut muzikor, krizat sociale e të identitetit që vendet pjesëmarrëse kalojnë sot. Pas rënies së Murit, shumë federata kanë fituar pavarësinë dhe shtete të rinj kanë nevojë të njihen dhe të njohin. Ka vende që nuk e kanë marrë akoma veten nga shpërbërja e sovjeteve dhe e ish -Jugosllavisë. Kriza duket e pashmangshme, kurse publiku, i neveritur, ai publik që thuhet se ka ndryshuar shijet e Eurosongut.

--------------------------------------------------Gay Albanian Delegation

Akreditimi në Festivalin Evropian të Këngës në Beograd nëpërmjet palës shqiptare është një histori më vete. Duhet durim nëse nuk je gazetar “i shtetit”. Gazetari “i privatit” duhet të zvarritet deri në atë pikë sa më mirë do të qe ta refuzoje fare shërbimin që aq lehtë mund ta bënte delegacioni shqiptar i RTSH. Shërbimi konsiston në futjen e emrit në listën e këtij delegacioni çka do të lehtësonte së pari në Tiranë marrjen e vizës në ambasadën serbe. Rregulli i pashkruar thotë se në aktivitete të këtij lloji duhet të akreditohen vetëm gazetarët “e shtetit”.

Pengesa numër dy është në Beograd. Është bileta. Oferta për gazetarin “privat” është një biletë për të ndjekur festivalin. Kushton 35 euro. Duhet ta blejë. Një kolege nga Hollanda që erdhi të bënte tifo për Shqipërinë në gjysmëfinale tha se nëse ajo do të ishte e akredituar, shteti i saj nëpërmjet ambasadës do t’i kishte siguruar të paktën biletën për ndjekur aktivitetin. Po kjo as u tha, as u dëgjua, as ndodhi me tanët në Beograd. Sipas kësaj logjike gazetari shqiptar me “pronar privat” duhej të paguante 35 euro për secilën natë dhe për tri ditë prova që mund të ndiqeshin vetëm me bileta. Por kjo s’ndodhi, sepse për dy netët e gjysmëfinales biletat dolën tepër, madje një shuk rrinte në borsën e një përfaqësuesje të delegacionit. Me sa mësuam këto janë bileta që TVSH i përfshin tek zërat e buxhetit për pjesëmarrjen në Eurosong. Pikërisht për këtë krerët e Televizioni Publik, kanë për detyrë të jenë transparentë për biletat e shpenzuara për farefisin e rreshtuar tek Albanian Delegation.

Surpriza e fundit me tanët nuk i ngjan befasisë tek fjala e urtë “ku hyn dielli nuk hyn mjeku”. Ata që përfaqësonin “albanian fans” në ballë të platesë së Arenës e që duhej të tundinin flamurin me shqiponjë, ishin një grup djemsh nga Londra, që me miniera prezantuan kartat që mbanin në qafë në të cilat shkruhej: “Albanian Delegation”.

Duhet të sqarojmë këtu që Festivali Evropian i Këngës gjithnjë ka qenë një pikëtakimi për gay-t dhe lesbiket. Dihet po ashtu që Serbia nuk është mjedisi që e pranon hapur dashurinë apo lidhjet mes personave të të njëjtit seks. Një grup homoseksualësh dhe lesbikesh që guxoi të organizojë më 2001 një gay-parade për të treguar se duhej të gëzonin të drejta të barabarta si gjithë të tjerët, u rrah dhe u dhunua. Në Beograd thonë se ka aq homoseksualë dhe lesbike sa ç’mund të ketë kudo gjetkë në botë. Por nuk shfaqen hapur. Kjo është arsyeja përse vizitorët gay dhe lesbike të Eruosongut – sidomos ata që vijnë nga jashtë – ishin këshilluar të tregohen të matur gjatë ditëve të festivalit.

Duke pasur parasysh mundimin që ish dashur që si gazetar “privat” të bëje akreditimin tek Delegacioni Shqiptar, i pyetëm djemtë bjondë që kishin edhe humor: si e keni siguruar “nënshtetësinë e përkohshme shqiptare”. Na thanë se ishte “punë lehtësisht e kryme” falë një përfaqësuesi të shoqatës për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri në bashkëpunim me kreun e delgacionit shqiptar për në Eurosong. Djemtë-burra, siguruan edhe disa flamuj të vegjël shqiptarë dhe na lanë të kalonim të parët në atë turmë që ngjishej në hyrje të Arenës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›