Trumbetojmë me të madhe arritjet, por po gënjejmë veten
Kjo qeveri nuk e fitoi dot luftën me korrupsionin dhe trafiqet; shenjtërinë e pronës e shkeli me këmbë, aq sa ka vënë në dyshim hapat e mëtejshëm integrues; praktikës së prodhimit vendas nuk i solli asgjë të re. Ata e dinë së statistikat e muajve të parë të vitit 2008, flasin për një rritje të vazhdueshme të deficitit tregtar; (përmbi 20 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar).
Qeveria e sotme ka lënë pas dore tema të mëdha e të rëndësishme, si varfëria dhe papunësia. Është harruar “Skema e kafshatës”. Rritja galopante e çmimeve, i ka sfumuar edhe ato pak lëvizje në sistemin e pagave, kurse përpara 3 korrikut 2005, bëhej fjalë për dyfishimin e pensioneve dhe të pagave të buxhetorëve. Nga ana tjetër, kakofonia e ligjeve dhe udhëzimeve fiskale, çmimet e referencës dhe termat e tjerë lloje-lloje, i kanë mbërthyer paq bizneset e këtij vendi dhe vetë fatin e qytetarëve të tij.
Le të vijmë më këtej. Të gjithë e panë se si u harrua tragjedia e Gërdecit dhe faji u bë qyrk; të gjithë e panë se si ish-emisarët e SHIK-ut akuzonin njëri-tjetrin për vrasjen e biznesmenit Hoxha, por u kthyen sërish në detyrat e tyre “të shenjta”, ku i kërkon Partia dhe Udhëheqësi.
Vetëm për një dokument, (pavarësisht termit), është dorëhequr këto ditë Ministri i Jashtëm i Kanadasë. Ne trumbetojmë me të madhe se shkojmë drejt komunitetit Euro-Atlantik, por jemi duke gënjyer veten; ç’është më e keqja, ne kemi instaluar, njëherë e mirë, një qetësi të rreme.