Han projekton formacionin anti-HungariLuajmë me Salihin në sulm, të mbështetur nga Skela e Duro. Cana në mbrojtje

Jorgis Memo - Deklaratat e shumta dhe replikat në distancë midis institucionit të futbollit shqiptar dhe drejtorisë së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, morën fund, sepse ekipi kuqezi dje u stërvit normalisht në fushën, ku të shtunën do të presë Hungarinë. Pak orë para seancës së programuar për më 20:00, gjithçka dukej e ngrirë. Kombëtarja ishte e bindur që të shkonte për ta zhvilluar këtë stërvitje, teksa për trajnerin Ari Han ishte e domosdoshme. Holandezi e kërkonte patjetër, sepse kishte parashikuar një stërvitje nga ana taktike në stadium. Gjithsesi, çdo gjë shkoi në favor të Kombëtares. “Duke parë që edhe fusha ishte në një gjendje më të mirë, menduam të ndihmonim Kombëtaren”, u shpreh për “Panorama Sport”, drejtori i stadiumit, Perikli Dhales, që garantoi se të shtunën fusha do të jetë në parametrat e kërkuara.
Stërvitja
Kombëtarja mbërriti në “Qemal Stafa” që në 19:40, duke nisur menjëherë seancën. Krerët e FSHF-së, disa tifozë dhe një prani e paktë e medias, ndoqën nga afër stërvitjen. Spektatori më i veçantë ishte pa dyshim portieri Arjan Beqaj, i dëmtuar, që gjatë gjithë kohës vëzhgoi shokët, edhe pse në temperatura të ulëta. Trajneri Ari Han, bashkë me ndihmësit e tij dukeshin shumë të angazhuar. Seriozitet aty ku duhet dhe pa dyshim shaka me lojtarët. Holandezi i ndau kuqezinjtë në dy grupe. Në njërin grup bënin pjesë ata lojtarë që pritet të jenë titullarë kundër Hungarisë dhe nga ana tjetër, ndihmësi Vim Surbier punonte me rezervat. Gjithçka ishte e qartë: kuqezinjtë duhet të luanin me një takim me topin. Hani kërkon saktësi në pasime dhe agresivitet. Në këtë aspekt kuqezinjtë dukeshin në formë. Lojtarë si Skela apo Curri, rrallë mund të gabonin në pasime, ndërkohë që Lala, si gjithnjë luftarak, përdorte edhe sparkatën. Fillimisht, variantin me një takim, trajneri kuqezi e përdori në zonë të ngushtë. Më pas, holandezi aplikoi një mini-ndeshje në gjysmën e fushës. Pas disa lëvizjeve nga një portë në tjetrën dhe pritjeve të portierëve Hidi dhe Ujkani, ishte Salihi, i cili gjeti golin me kokë. Nga ana tjetër, shënoi Agolli, ndërkohë që spikatën edhe goditjet e forta të Memellit nga jashtë zone. Kuqezinjtë dukeshin shumë të angazhuar. Skela me lëvizjet e tij i jepte bukuri lojës. Në fund të stërvitjes 70 minutëshe, trajneri Han urdhëroi lojtarët që të provonin portën. Saktësia mungonte, por meritë kanë edhe Hidi me Ujkanin.
Formacioni
Pas një serie ndeshjesh, ku trajneri Ari Han, e ka lënë në momentet e fundit shpalljen e formacionit, prag-Hungaria duket një ndryshim i madh, pasi nuk ka ndonjë sekret. Të paktën këtë e vërtetojnë ato që u panë dje në “Qemal Stafa”, por edhe gjatë javës. Ashtu siç dhe e kishte parashikuar një ditë më parë në “Panorama Sport”, ish-zëvendëstrajneri i Kombëtares, Shpëtim Duro, holandezi Han do të luajë kundër Hungarisë me variantin taktik: 4-3-2-1. Kështu, lëvizjet e mëdha janë ato të Canës në mbrojtje dhe konfirmimi i Salihit, si sulmuesi i vetëm. Kështu në portë do të luajë Hidi, ndërsa në mbrojtje me katër: në të djathtë Dallku, në qendër Beqiri dhe Cana, ndërsa në të majtë Curri. Në mesfushë para mbrojtjes do të vendoset Lala, djathtas Bulku, ndërsa majtas Lika. Në sulm Salihi, i mbështetur nga Duro në të djathtë dhe Skela, i cili do të ketë më shumë detyra sulmuese.
Formacioni
Hidi, Dallku, Beqiri, Cana, Curri, Lala, Bulku, G.Lika, Duro, Skela, Salihi.
Presidenti i FSHF-së: Na mbështesni për fitoren!
Shikohet si ndeshja e sezonit dhe në këtë aspekt, vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, kërkon më shumë se çdo herë tjetër mbështetjen e tifozëve kuqezinj, që gjithnjë kanë qenë pranë ekipit kombëtar. Duke ndjekur i qetë stërvitjen e Kombëtares, Duka gjeti momentin për t’u bërë thirrje tifozëve. “Kemi përpara një ndeshje shumë të rëndësishme, që bëhet e tillë, sidomos pas barazimit me Maltën. Si unë dhe gjithë Shqipëria pret maksimumin nga ekipi kombëtar. Jam i bindur që futbollistët do të japin maksimumin të shtunën, për të arritur te fitorja kundër Hungarisë. Shpresoj që tifozët të dalin të kënaqur, - theksoi Duka. – Me këtë rast, u bëj thirrje tifozëve kuqezinj, për ta mbështetur maksimalisht ekipin, në një ndeshje kaq të rëndësishme”. Edhe pse interesimi nuk është i lartë, përsëri pritet që të shtunën në “Qemal Stafa”, të jenë një numër i konsiderueshëm tifozësh. Këtë herë, institucioni i futbollit ka menduar që të ulë edhe çmimet e biletave, në krahasim me ndeshjet e kaluara. Kështu, një biletë në tribunën qendrore do të kushtojë 3000 lekë. Ndërkohë, në tribunën D2 700 lekë, ndërsa D1 dhe D3 nga 500 lekë. Çmimet më të ulëta janë për dy tribunat anësore, C dhe E, nga 200 lekë.
Batutat, nga presidenti Duka te futbollistët
Një pjesë e mirë e stërvitjes së djeshme ka qenë e mbushur me humor, që natyrisht vinte e imponuar nga pista e stadiumit, ku qëndronin shumica e atyre që ndiqnin kuqezinjtë. Edhe stafi teknik dukej në formë, ku natyrisht, ai që binte më shumë në sy ishte trajneri i portierëve, Nikolas De Bre. E bërtitura e tij oshëtinte në “Qemal Stafa”, ndërkohë që trajneri Ari Han, lëshonte pasthirrma në momentet kur kuqezinjtë nuk bënin atë që ai kërkonte. Në rastet kur gjithçka ishte “OK”, holandezi mjaftohej me një “Good” (mirë). Duke mos pasur me vete në fushë përkthyesin, Ajet Xeka, (ky i fundit ishte në pistë), presidenti i FSHF-së, nuk ngurroi ta thumbonte. “Ti Xeka pse nuk po stërvitesh, apo je si lojtarët e kampionatit shqiptar, që vetëm një herë në ditë bëjnë stërvitje”, tha Duka. Më pas radhën e kishin futbollistët, që kapeshin pas ndërhyrjeve në fushë, ndërsa Ervin Bulku gjeti momentin për të ngacmuar shefin e klubit “Tirana”, Eduard Gjini, i cili ndiqte gjithashtu, stërvitjen nga pista. Pas thirrjes së tij, Bulku duke nga tuneli i “Qemal Stafës”, me shaka i tha: “Çfarë do, unë nuk jam më pjesë e Tiranës.” Edhe në momentet e gjuajtjeve në portë të kuqezinjve kishte ilaritet, pasi në fillim thuajse të gjithë topat dilnin disa metra jashtë.
Menaxherët do të vëzhgonin Beqajn
Krejt i pafat ka qenë portieri i Kombëtares, Arjan Beqaj. Jo vetëm se dje pësoi një dëmtim të rëndë në shpatull, por gjithashtu, ka humbur vëzhgimin menaxherëve të njohur. Burime të sigurta në kampin kuqezi, bënë të ditur se portieri do të ndiqej të shtunën në “Qemal Stafa” nga njerëz, të cilët bashkëpunojnë me klubet e mëdha Evropiane. Disa herë është përfolur që portieri i Anorthosis mund të kalojë në një klub me emër. Gjatë merkatos së janarit u përmend Olimpiakosi, por nuk u arrit gjë. Ndërkohë, për të vëzhguar lojtarët e tjerë të Kombëtares, në ndeshjen me Hungarinë, gjithashtu pritet një dyndje menaxherësh.
Duka-Dhales, batuta dhe përqafime
Në media janë kundërshtarë, por dje treguan se dinë t’i zgjidhin situatat në momentin dhe kohën e duhur. Bëhet fjalë për presidentin e FSHF-së, Armand Duka, si dhe drejtorin e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, Perikli Dhales. Në orarin e stërvitjes së kuqezinjve, dy krerët e institucioneve, pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes për fushën, kaluan disa minuta mes batutave. Fillimisht ishin larg njëri-tjetrit, por Duka, në humor të mirë, nuk ngurroi t’i thoshte Lutfi Nurit: “Hajde të takojmë pak Perikliun.” Përqafimi mes tyre, shkaktoi të qeshura në pistën e stadiumit, nga ku ndiqnin stërvitjen zyrtarë të FSHF-së, gazetarë dhe tifozë.
Pas golit, Skela godet kameramanin
Ervin Skela ishte goditësi më i mirë i portës në fundin e seancës së djeshme, ku kuqezinjtë vunë në provë, portierët Isli Hidi dhe Samir Ujkani. Nëse lojtarët e tjerë nuk e shënjestruan mirë portën, fantazisti shumicën e topave të goditur nga jashtë zone, i futi në rrjetë. Por mjaft interesant ishte momenti, kur Skela nuk gjuajti saktë. Pasi shënimit të një supergoli, duke ia kaluar topin Hidit në krahun e kundërt, vlonjati goditi me top një kameraman, i cili ishte vendosur në krah të shtyllës. Ky çast shkaktoi të qeshura, ndërkohë që futbollisti, pasi i kërkoi falje kameramanit, i tha me shaka: “Nuk është faji im, por ke gjetur vendin e gabuar për të filmuar. Mirë që shpëtove të paktën”.
E Premte, 27 Mars 2009