E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidi: Jam gati të mbroj portën kuqeziKjo është ndeshja e dytë eliminatore që Hidi do të luajë si titullar, pas asaj kundër Maltës më 11 shkurt. Nën drejtimin e Hanit, ai ka luajtur si titullar edhe ndaj Polonisë dhe Azerbajxhanit.

Isli Hidi është gati të zërë vendin e Beqajt. Portieri i Krivbasit, padyshim që nuk ka festuar për dëmtimin e rivalit të tij, por pohon se do ta shfrytëzojë më së miri këtë mundësi, me qëllim që të jetë gjithnjë e më pranë rolit të titullarit në kuadratin kuqezi.

Çfarë menduat në momentin që mësuat se Beqaj nuk do të mund të luajë ndaj Hungarisë?

Sinqerisht u mërzita. Askush nuk mund të gëzohet pse kundërshtari në sport dëmtohet. Duhet të mendojmë si për veten tonë dhe dëmtimet nuk ia uroj askujt në futboll. Shpresoj që Arjani të rikuperohet sa më shpejt.

Megjithatë, ky është një shans i mirë për ju, apo jo?

Po, duhet ta pranoj se është kështu. Madje, po ju them se do të bëj të pamundurën që të mos pësoj asnjë gol, sepse kështu do të mund të jem gjithnjë e më pranë vendit të titullarit. Mendoj se pas ndeshjes me Maltën kam fituar më shumë siguri dhe ndihem shumë mirë.

Në atë takim thyet edhe tersin e pësimit të golit që në pesë minutat e para...

Mos ma kujtoni atë. Nuk kam ndrojtje ta pohoj se mezi po prisja të kalonin ato pesë minutat e para të mallkuara, sepse gjithnjë e kisha pësuar në fillim të ndeshjes.

Beqaj konsiderohet gjithnjë titullar i padiskutueshëm, a ju vë kjo nën presion, meqë tani do të ketë më shumë vëmendje te ju?

Paksa, por tani jam ambientuar dhe nuk më bën përshtypje. Pastaj, unë nuk jam më 20 vjeç...

Hungarinë e patë nga stoli në ndeshjen e parë, ç’mendim keni për sulmuesit e tyre?

Ata kanë një mesfushë shumë të mirë. Megjithatë, edhe sulmin e kanë të kompletuar, pasi janë ekip që ato pak raste që kanë i shfrytëzojnë më së miri.

Cili është lojtari që bën diferencën tek ata?

Kanë disa të tillë, por unë i druhem Hushtit. Ai më ka shënuar dy gola kur luaja me Tiranën. Bëhej fjalë për ndeshjen kundër Ferencvaroshit (3-2) në paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve, disa vjet më parë. Një gol ma shënoi me penallti, ndërsa tjetrin nga jashtë zone.                          

Jetmir Halilaj (Panorama Sport)

E Premte, 27 Mars 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›