E Shtunë, 31 Tetor 2026

Han, sulm kundër sulmuesve kuqezinj

Trajneri Ari Han mbeti i pakënaqur nga ajo që pa në ndeshjen Partizani-Shkumbini (0-2) dhe disi më i lehtësuar në takimin e së dielës Tirana-Besa (1-1), por holandezi e tha qartë se futbollistët që luajnë në kampionatin shqiptar ende nuk e kanë nivelin për të veshur fanellën e përfaqësueses.

Në Kombëtaren “portokalli” janë thirrur rregullisht Andi Lila, Ansi Agolli, Elvin Beqiri, Endri Vrapi dhe Elis Bakaj, por trajneri Ari Han synonte të merrte edhe një përshtypje tjetër nga mesfushori sulmues Gjergji Muzaka e mbrojtësi Tefik Osmani.

“Të gjithë lojtarët që pashë mendoj se kanë ende punë për të bërë. Nëse duan të synojnë Kombëtaren në të ardhmen duhet të japin më shumë në fushë”, - vlerësoi pa doreza ish-trajneri i Kinës.

“Sigurisht ndeshja Tirana-Besa, ishte shumë më e mirë se ajo së shtunës, Partizani-Shkumbini, por ata elementë që unë ndoqa duhet të punojnë më shumë. Eksperienca jashtë është më e mirë dhe më premtuese për ata që duan të veshin fanellën kuqezi, por ka disa emra që premtojnë shumë dhe në të ardhmen të jenë elementë të rëndësishëm”, - pohoi holandezi për mediat.

Han rivlerësoi paraqitjen e lojtarëve në ndeshjen kundër Portugalisë (0-0), por ritheksoi problemet në sulm, ku nga tre golat e shënuar deri tani në katër ndeshjet zyrtare – të tre kundër Maltës në fitoren 3-0 - vetëm një prej tyre i përket repartit të avancuar (Bogdani), ndërsa dy të tjerët i përkasin mbrojtjes (Dallku) dhe mesfushës (Duros).

Parimi tradicional për çdo trajner për të thirrur një lojtar në ndeshjet e radhës në Kombëtares bazohet në formën e momentit të lojtarit. Por sa e zbaton tekniku holandez këtë?

Nga katër sulmuesit e thirrur rregullisht nga Ari Hani vetëm Salihi e Berisha e kanë gjetur rrugën e rrjetës, ndërsa Bogdani e Kapllani ende jo. Gjithsesi, në një listë të “krijuar” jo nga njerëzit e FSHF-së, por nga “statistikat”, tabloja paraqitet si më poshtë:

Të thirrurit

Erjon Bogdani
Sulmuesi i Kievos në Serinë A italiane ende nuk ka shënuar golin e tij të parë sezonal.

Hamdi Salihi
Shkodrani që luan për SV Ried në Austri ka realizuar pesë gola në kampionat dhe 1 në Kupën e Austrisë.

Besart Berisha
Kosovari i Bërnlit, por i huazuar te Rozenborgu në Norvegji ka shënuar deri tani 3 gola.

Edmond Kapllani
Sulmuesi i Karlsruhes, 5 gola në eliminatoret e Euro 2008-ës, ende nuk ka shënuar për ekipin e tij.

Në listë pritje

Parid Xhihani
Ish-sulmuesi i Besës ka realizuar deri tani gjashtë gola me Zorjan në kampionatin ukrainas.

Migen Memelli
Sulmuesi i Tiranës ka shënuar në nëntë javët e para 6 gola, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë.

Dorian Bylykbashi
Sulmuesi e kapiteni shqiptar i Krivbasit ka shënuar deri tani 4 gola në kampionatin ukrainas.

E Hene, 03 Nentor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›