E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllani optimist: “Pres shansin tim”

Pas pesë humbjeve rresht vështrimi i Karlsuhes shkon poshtë e më poshtë. Statistikat janë të “zeza”. Skuadra e shqiptarit Edmond Kapllani ndodhet në vendin e 14-të në renditje nga 18 skuadra që ka Bundesliga gjermane. Humbja e fundit ishte ajo 4-1 me Hofenhajmit.

“Ne bëmë në përgjithësi shumë pak kundër Hofenheimit, për të marrë një apo tre pikët”, - tha Edmond Kapllani për gazetën gjermane “Manheimer Zeitung”. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare - 6 gola me fanellën kuqezi, po aq sa Loro Boriçi e Bledar Kola – pohoi se problemet te Karlsruhe nuk janë në sektorin krijues, por në të gjithë repartet e ekipit.

Kapllani - 17 gola të realizuar në sezonin 2005-2006 kur Karlsuhe ndodhej në Bundesliga 2, -  ishte një ndër aktorët kryesorë të  ringjitjes së klubit të tij midis 18 ekipeve më të mira në Gjermani, por gjatë këtij sezoni është aktivizuar shumë pak minuta: 60 minuta në 5 ndeshje, në të cilat ka hyrë në të gjitha si zëvendësues.

Edhe në ndeshjen e fundit kundër Hofenhajmit shqiptari 26-vjeçar qëndroi gjatë gjithë 90 minutave në bankinë, madje është parë jo pak herë duke turfulluar në stolin e rezervave, teksa shokët e tij kanë humbur edhe ndonjë rast të pastër për gol.

“Unë jam duke pritur ende shansin tim”, - thotë Kapllani, autori i 2 golave gjatë sezonit të kaluar në Bundesligën 1 (24 gola në Bundesliga 2). Golashënuesi më i mirë shqiptar në eliminatoret e Euro 2008 (5 gola) luan për Karlsruhen nga viti 2004 dhe tashmë ka luajtur 103 ndeshjen me fanellën bardheblu të skuadrës nga Baden-Vytembergu, duke qenë edhe ndër më të “vjetrit” në ekip.

Gazeta gjermane i kërkon opinionin e tij në lidhje me gjendjen që po kalon skuadra. Kapllani: “Situata është e hidhur, por ne duhet të punojmë akoma më shumë si ekip. Pas kësaj do të rikthehet edhe suksesi”.

Lala me “3”-sh

Altin Lala për kontributin e dhënë në fitoren 3-0 kundër Hamburgut është vlerësuar me notën “3” (mirë) nga revista e njohur sportive gjermane “Kicker”, duke qenë ndër lojtarët e mirë të ekipit të Hanoverit. Lojtari më i mirë i “96”-ës u vlerësua mesfushori Jan Shlaudraf: 1.5, shumë mirë, një gol dhe një asist.

Skela me “5”-ë

Ervin Skela nuk ka marrë një notë pozitive nga revista “Kicker” në vlerësimet e saj pas ndeshjes së humbur 0-2 në shtëpi kundër Shalke 04. Fantazisti shqiptar i Energi Kotbusit është vlerësuar me notën “5” (dobët), duke qenë ndër tre lojtarët më pak të vlerësuar në ekipin e tij: më i keqi Shao me notën 5.5.

E Hene, 03 Nentor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›