E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hand: Shqipëria ka bërë përparime

Njëzetë vjet pas rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë, një prej anëtarëve të delegacionit të parë zyrtar nga Shtetet e Bashkuara që shkoi në Shqipëri në prag të vendosjes së marrëdhënieve, dhe që ka vëzhguar më pas pothuajse gjithë zgjedhjet në Shqipëri, thotë se vendi ka bërë përparime shumë të mëdha, por mundësitë i ka patur për shumë më tepër. Bob Hand, këshilltar politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, thotë se e kaluara nuk mund të përdoret më si justifikim se përse Shqipëria nuk mund të përparojë më shpejt. Në një intervistë për Zërin e Amerikës Hand thekson se zgjedhjet e fundit krahasuar më ato të 2005 dhe 2009 përmirësimet kanë qënë shumë të mëdha.
“Në 1991, siç mbaj mend, fletët e votimit plotësoheshin me shkrim dore, kishte shqetësime nëse do të kishte fletë-votime të mjaftueshme, apo nëse do të arrinin të shtypeshin, të mos flasim pastaj se sa të lira e të drejta mund të ishin ato. Pra sa i takon infrastrukturës dhe administrimit bazë të zgjedhjeve, ka patur përmirësime të mëdha. Në një përvjetor si ky i tanishmi, mund të thuash se sa të mëdha kanë qënë ndryshimet, sa shumë janë përmirësuar gjërat, por nga ana tjetër, më duhet të them se 20 vjet janë një kohë e gjatë dhe përmirësimet mund të ishin shumë më të mëdha. Vende të tjera kanë bërë përmirësime shumë më të mëdha brenda 10 vjetësh, se sa ka bërë Shqipëria për 20 vjet, përsa u përket zgjedhjeve. Në vitin 2001 unë sugjerova që në zgjedhjet parlamentare të mund të merrnin pjesë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë. Vende të tjera, edhe ato që kanë kaluar rishtazi në demokraci e kanë bërë këtë pa rrezikuar procesin. Por tani, 10 vjet më pas, Shqipëria nuk është ende gati dhe i duhet të përqëndrohet në sistemin e numërimit të votave duke i monitoruar ato me video në mënyrë që ruajë integritetin e procesit. Megjithë masat që janë synuar të ndërmerren, problemet ende vazhdojnë për shkak të mungesës së besimit. Dhe ky besim duhet të jetë pjesë e sistemit elektoral nga të gjitha palët. Pra përparime ka patur, por ato mund të ishin shumë më të mëdha dhe ky është zhgënjimi që unë kam tani me Shqipërinë, se mund të kishte bërë më shumë, si përsa u përket zgjedhjeve ashtu edhe zhvillimeve të tjera demokratike, si sundimi i ligjit dhe çështjet gjyqësore, për të cilat duhet bërë shumë e shumë më tepër. Pikërisht në këtë aspekt, shqiptarët duhet ta lënë të kaluarën pas. Unë e kam të vështirë t’u jap shqqiptarëve leksione demokracie, pasi unë nuk kam përjetuar vuajtjet e tyre nën komunizëm. Por në këtë 20 vjeçar që Shqipëria u bë demokraci pluraliste është formuar një brez i ri dhe e kaluara nuk mund të përdoret më si justifikim se përse vendi nuk mund të ecë më shumë. Shqipëria mund të ecë shumë më shpejt përpara. Nuk ka më konflikte rajonale si në vitet ’90, periudha komuniste ka mbetur shumë pas dhe ka ardhur koha që vendi të reflektojë dhe të përparojë me shpejtësi për zgjedhjet dhe aspektet e tjera të demokracisë” tha Bob Hand, këshilltar politik i Komisionit amerikan të Helsinkit.
I pyetur për polarizim mes dy forcave kryesore politike Hand thekosn se kjo klimë ka penguar seriozisht zhvillimin e shoqërisë civile, ku ose duhet të jesh me njerën anë ose me tjetrën dhe nuk mund të jesh në mes, për të mirën e vetë vendit.
“Unë jam optimist se brezat e rinj të votuesve do të ngrenë zërin, do të refuzojnë të jenë pjesë e kësaj klime dhe do të kërkojnë ndershmëri nga udhëheqësit, do të kërkojnë të ndërtojnë një të ardhme të mirë për fëmijët e tyre dhe të kërkojnë përgjegjësi nga udhëheqësit dhe jo akuza reciproke siç shohim sot, apo protesta rruge, apo problemet e tjera me të cilat ndeshet Shqipëria si korrupsioni” vazhdon me tej Hand. Për vëç të tjerash thekosn se Në Shqipëri, në se je në pushtet ke shumë përfitime që vijnë me postin dhe mundësi për të fituar para padrejtësisht, përmes kontratave, a formave të tjera.
“Këtu ekziston një ndryshim i madh për shembull me situatën në Amerikë, ku ndonëse ka shumë kritika për qeverinë federale, ata që punojnë në sektorin publik fitojnë më pak se sa ata në sektorin privat dhe shpesh njerëzit largohen nga qeveria për të shkuar në sektorin privat, për të patur më shumë të ardhura. Në se fiton shumë dhe ke gjithë këto përfitime duke qënë në qeveri, duke patur pushtet, pashmangshmërisht kjo të çon në korrupsion, të bën të jesh gjithnjë e më pak i përgjegjshëm para popullit dhe më pak i prirur të pranosh ndryshimin, nëse njerëzit votojnë për të patur një udhëheqje tjetër”.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›