E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoton sërish Dule

05/10/2011  Kreu socialist fton në një drekë pune Ndokën, Gjinushin, Ngjelën e Zogajn

Në takimin informal u diskutua reforma zgjedhore dhe pikat e paktit të PS-së

Krerët e majtë u ritakuan dje në një tjetër drekë pune, por me disa ndryshime në përbërjen e tryezës së radhës. Kështu, me ftesë të kryetarit të PS-së Edi Rama në restorantin pranë kësaj force politike u panë të vijnë kreu i “Ligj e Drejtësi” Spartak Ngjela, ai i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi dhe koordinatori i Opozitës së Bashkuar Preç Zogaj. Takimi ishte informal dhe mësohet se pakti prej 10 pikash i propozuar nga PS-ja ishte kryesore e bisedës mes drejtuesve të majtë. Në tryezë mungonin kreu i PDS-së Paskal Milo, ai i PBDNJ-së Vangjel Dule.

Takimi

Kryetari PS-së, Edi Rama, thirri dje në takimin e përjavshëm aleatët e tij, që i informoi me nismat e forcës politike që ai drejton. Kështu, në takimin informal të zhvilluar dje në drekë drejtuesit e majtë diskutuan mbi paktin e PS-së për Shqipërinë si Europa, si dhe me axhendën e socialistëve në kuadër të këtij pakti. Gjithashtu mësohet se në këtë drekë pune krerët e majtë janë fokusuar në një nga pikat e këtij pakti, që lidhet konkretisht me reformën zgjedhore, ku sikundër dihet përfaqësuesit e Opozitës së Bashkuar po përgatitin propozimet përkatëse për t’ua vënë në dispozicion të mandatuarve të PS-së, që do të zhvillojnë negociatat me palën kundërshtare.

Deklarata

Në përfundim të këtij takimi koordinatori i Opozitës së Bashkuar Preç Zogaj informoi se “kjo është një drekë pune dhe takimi ishte i fokusuar te grupi i punës që u krijua para një jave për reformën zgjedhore. Pati jo vetëm shkëmbim pikëpamjesh, por dhe analizë, një diskutim të gjerë për ecurinë e gjithë këtij procesi, i cili shpresojmë të fillojë. Nuk ka filluar akoma, por është një proces jetik për zhbllokimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ishte takim informal. Ne sot (dje) kemi rënë dakord që të bëjmë një takim rishtas të Opozitës së Bashkuar, takim formal, në ditët e ardhshme.” Sipas tij, të gjitha partitë kanë propozime konkrete për reformën zgjedhore. “Natyrisht, grupi i punës i opozitës, i ngritur në takimin e fundit të zhvilluar mes drejtuesve të majtë, është në kontakt të vazhdueshëm me dy deputetët e PS-së që janë ngarkuar për të negociuar me mazhorancën”, - vlerësoi Zogaj gjatë prononcimit të tij për shtyp.

Propozimi

“Të ngrihet menjëherë komisioni i përbashkët parlamentar ad hoc për të miratuar reformën institucionale të Kuvendit. Të vendoset me marrëveshje dypalëshe përfundimi i reformës zgjedhore brenda marsit të vitit 2012, bazuar në të gjitha rekomandimet e dy raporteve të fundit të OSBE–ODIHR-it, duke rënë dakord që çdo propozim i opozitës që merr dritën jeshile të OSBE-së apo Komisionit të Venecies, të miratohet me konsensus”, - thuhet në paktin e PS-së.

Pretendimet

Në çdo diskutim për ndryshime në reformën zgjedhore përfaqësuesit politikë rendin të ndryshojnë sistemi zgjedhor. Për këtë arsye dhe në këtë rast, kur pritet të nisë puna për hartimin e reformës së re zgjedhore, përballemi me pretendime, që nisin nga kalimi në sistem proporcional me korrektim kombëtar në atë proporcional kombëtar. Të paktën këto janë pretendimet e para që vijnë kryesisht nga partitë e vogla, pjesë ose jo e Kuvendit.

Qëndrimi

“10 pikat e paktit janë vetëm për të kthyer në normalitet disa nga shtrembërimet që janë bërë në këto vite. Megjithatë, nuk mund të zgjidhet kriza, as të kthehet normaliteti me qeverinë që i ka shkaktuar, e cila tashmë ka hyrë në rrugën antiligjore, antikushtetutë, antireformë dhe nuk del dot. Nuk mund t’i kërkosh qeverisë më të korruptuar në Europë të luftojë korrupsionin”, - është shprehur Gjinushi lidhur me 10 pikat e paktit të PS-së “Një Shqipëri si Europa”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›