E Diel, 1 Nëntor 2026

Grosruk: Ruani sistemin, reforma zgjedhore të jetë e pjesshme

05/10/2011  Kryetarja e Kuvendit takim me përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së

“Dialogu duhet të jetë i hapur, pa parakushte dhe të zhvillohet brenda institucioneve”

Në përfundim të takimit me kryeparlamentaren Jozefina Topalli zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Volfang Grosruk deklaroi se sistemi elektoral shqiptar nuk duhet ndryshuar plotësisht. Dhe për këtë ai sugjeroi që reforma e ardhshme zgjedhore të jetë e pjesshme dhe të prekë vetëm ato problematika që u hasën në zgjedhjet vendore të 8 majit. “Sistemi elektoral u ndryshua 2-3 vjet më parë. Nuk mendoj se është e nevojshme të ndryshojë tërësisht. Ndoshta ka disa pika që duhen ndryshuar, por mendoj se është një vendim i parlamentit shqiptar dhe i politikanëve shqiptarë për të bërë sistemin e tyre elektoral dhe ligjet e tyre zgjedhore. OSBE–ODIHR-i bëri rreth 50 rekomandime. Mendoj se janë gati të bisedojnë për të negociuar për to. Kam shpresë që një ditë ato të konkretizohen, sepse është e rëndësishme për zhvillimin e këtij vendi të këndshëm. Diskutuam për paketën dhe me kryeparlamentaren dhe maxhoranca është gati të negociojë për këto pika”, - tha Grosruk. Pas vizitës në zyrën e Kryetares së Kuvendit numri dy i OSBE-së u shpreh se ka marrë garanci se maxhoranca është e gatshme të negociojë për reformën zgjedhore dhe paketën 10-pikëshe të propozuar nga kryetari i opozitës Edi Rama. Në takimin e djeshëm me kryeparlamentaren Grosruk ishte së bashku me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë Eugen Volfart. Sipas njoftimit të Kuvendit, zyrtarët e delegacionit kanë deklaruar se dialogu duhet të jetë i hapur, pa parakushte dhe të zhvillohet brenda institucioneve. Ndërkohë Kryetarja e Kuvendit është shprehur pro ngritjes sa më parë të komisionit të reformës zgjedhore pas një bllokimi dyvjeçar si pasojë e bojkotit të opozitës. “Një bllokim i ri është edhe mosvotimi i ligjeve të integrimit që kërkojnë 3/5 e votave të Kuvendit”, - ka thënë Topalli, e cila ka treguar gatishmërinë për të ndryshuar Rregulloren e Kuvendit në bazë të asaj të përdorur në Parlamentit Evropian. Më pas delegacioni i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së zhvilloi një takim edhe me Kryeministrin Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›