E Diel, 1 Nëntor 2026

Hanoveri gati ta mbajë Lalën, por me kusht: ulje të rrogës

Hanover dëshiron ta mbajë Altin Lalën të paktën edhe për një sezon tjetër. Por për këtë ka një kusht, shqiptari duhet të pranojë ulje të rrogës. Lajmi u bë i njohur dje nga e përditshmja gjermane HAZ. Presidenti Martin Kind është i bindur për ta mbajtur ish-kapitenin shqiptar. Lala, në moshën 33-vjeçare, pret shumë shpejt të marrë ofertën për rinovimin e kontratës së tij. Kohët e fundit ka qenë në qendër të kritikave, por gjithsesi ai nuk dorëzohet. Të shumtë ishin ata që i dolën në krah: "Është një lojtar model, luftarak, askush nuk mund të injorojë kualitetin e tij, i cili ka ndihmuar në përmirësimin e imazhit të Hanoverit në Gjermani dhe Evropë. Lala mbërriti te Hanoveri (në Bundesligën 2) në vitin 1998 nga Borusia Fulda. Ish-kapiteni shqiptar ka meritë në ngjitjen skuadrës në Bundesligën I. Në këtë sezon është aktivizuar pak për shkak të disa dëmtimeve (në 12 ndeshje, 11 herë si zëvendësues). Por Lala synon rikthimin titullar. "Po rikthehem në formë. Dhe kur të jem në 100%, dëshiroj të luaj titullar. Por nuk do të bëj polemika". Apeli i tij duket se ka rënë në veshët e shefit Kind, i cili thotë: "Natyrisht Lala e di, se koha e tij si futbollist po perëndon". Por shefi i klubit i njeh meritat e shqiptarit. Ai e përkufizon atë një "lojtar që ka merituar gjithçka", që kur ka mbërritur në këtë skuadër dhe ka kontribuuar në përmirësimin e imazhit të Hanoverit. Lala është shndërruar në një ikonë të Hanoverit, ndërsa shumë profesionistë thjesht kanë kaluar transit në këtë skuadër. Janë këta faktorë, të cilët do të luajnë një rol jo të vogël gjatë tratativave mes palëve. "Kemi shumë gjëra për të diskutuar", shton Kind. E thënë qartë: Ish-kapiteni i adhuruar në Hanover do të duhet të pranojë reduktimin e rrogës, nëse ai dëshiron të qëndrojë. Ende nuk është përcaktuar një ofertë konkrete. Por sigurisht Lala është i gatshëm: "Unë do të luaj futboll edhe dy vite të tjera. Nëse jo te Hanoveri, atëherë diku tjetër". Gjithsesi brenda 14 ditëve të ardhshme do të ketë një vendim përfundimtar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›