Judmir Meta rimerr postin e trajnerit te Borusia Fulda
Shqiptari Judmir Meta do të drejtojë skuadrën gjermane të futbollit amator, Borusia Fulda, e cila militon në Hessenliga. Lajmi u publikua nga mediat lokale, të cilat theksojnë se bëhet fjalë për një rikthim të shqiptarit në postin e trajnerit në këtë skuadër. Meta (33 vjeç), në moshën 10-vjeçare ka filluar të merret me futboll në qytetin jugor shqiptar, ku studionte në shkollën sportive. Nga viti 1986-1991 luajti për të rinjtë e Flamurtarit. Së bashku me Altin Lalën, Ervin Skelën e Geri Çipin, ai u transferua në Bundesligë, menjëherë pas një ndeshjeje Shqipëri-Gjermani. Së bashku me Lalën, ai u bë pjesë e skuadrës Borusia Fulda, ku luajti për disa vite (1991-1999). Në vitet 2001-2005 u transferua në radhët e FC Britannia. Pas një dëmtimi të rëndë, Metës iu desh të largohej nga futbolli i luajtur, duke e ndërprerë kështu në mes ëndrrën për të luajtur në futbollin profesionist. Por Borusia Fludi i ofroi atij perspektivën e trajnerit të ekipeve të të rinjve E-, C-, B-, A-, Borusia Fulda II (të rriturit). Aktualisht ai drejton ekipin e FV Horas. Por tashmë do të rikthehet te Borusia Fulda. "Është një kënaqësi e madhe për mua, të jem për këtu, u shpreh Meta. E njoh skuadrën, pasi kam stërvitur më parë. Dëshiroj të formoj një ekip të mirë, që të luajë me zemër". Puna e tij fillon më 1 korrik, kur dhe do t‘i duhet të përgatisë skuadrën për sezonin tjetër.