E Diel, 1 Nëntor 2026

TVSH, ARMIKU I EKONOMISE JOFORMALE

Po, është e vërtetë! TVSH-ja është e thjeshtë, me kosto të lirë për t‘u mbledhur, pasi nuk ka kompleksitet në funksionimin e saj. Ajo e paraqet strukturën e çmimit me një transparencë të lartë, gjë që inkurajon efektivitetin ekonomik.

Vlera e Shtuar në vetvete nuk është tjetër veçse shuma e gjithë pagave, interesave të paguara për kapitalin e vënë në punë, qiratë e ndryshme të paguara për pronën e shfrytëzuar, si dhe fitimi që rezulton nga aktiviteti. Të katër këto elemente, të shpërndara në mënyrë jouniforme te tatimpaguesit, përbëjnë atë që quhet Vlerë e Shtuar. Informacioni prej shumë administratave ka treguar se ky lloj tatimi garanton më shumë të ardhura tatimore në buxhetin e shtetit dhe ndikon më pak në zinxhirin e aktiviteteve ekonomike.

TVSH-ja në konflikt interesi

Një sistem ideal i TVSH-së është ai që bazohet vetëm mbi një shkallë tatimi, pa përjashtuar asnjë sektor ekonomik, neutralitet në aplikim dhe i barabartë mbi të gjithë pjesëmarrësit në skemë. Por, jeta e përditshme nuk është ideale dhe mbi të gjitha është e populluar nga evadorë, si dhe nga politikanët e interesat e tyre personale. Në komunitetin fiskal ka një hezitim për efektivitetin e TVSH-së në lidhje me propozimin e diferencimit të shkallëve të TVSH-së, duke zgjeruar edhe bazën e tatueshme. Megjithëse çdo ide e hedhur ka edhe argumentet e saj, ende ky debat i rëndësishëm dhe me efekte është i padiskutuar si duhet në grupet e interesit për të llogaritur rezultanten nga efektet pozitive dhe negative që do të bjerë ky aplikim.

Në një sistem TVSH-je me disa shkallë është e lehtë të bëhet deklarim fals për një grup të mallrave, apo shërbimeve që janë pjesë e skemës me shkallë të reduktuar. Në këtë rast, skema antievazion (krahasimi i hyrjeve me daljet) rrezikon të mos dallojë asnjë gjurmë të dyshimtë. Ndryshimi i shkallëve të TVSH-së jep ndikime që shkaktojnë konflikt interesi. Pavarësisht se nëpërmjet politikës tatimore çdo qeveri kërkon të zhvillojë edhe politikën sociale, nuk është e thënë se zgjidhja mund të vijë vetëm nga lehtësirat fiskale. Përjashtimi, apo reduktimi i shkallës standarde të TVSH-së për "mallrat e konsumit" ngre shumë pikëpyetje, qëkur është prezantuar si një opsion për të ardhmen. Aq më tepër kur kërkesat e biznesit për lehtësira nga TVSH-ja në këtë periudhë vijnë në rritje.

Unë po bëj disa pyetje për të ilustruar konfliktin e interesit për këtë opsion, duke marrë grupin e ushqimeve si ambienti për të vendosur këtë diskutim. Nëse ushqimet do të jenë me TVSH të reduktuar, a nuk do të ishte kjo një subvencion edhe për shtresat e pasura shqiptare, duke mos arritur objektivin për të ndihmuar shtresat e varfra? Mbi të gjitha, kush e përcakton se çfarë përfshihet në grupin e ushqimeve dhe çfarë jo? Më konkretisht: A është kaviari ushqim? A janë produktet për mbipeshën ushqime? Natyrisht që po të vazhdojmë me pyetje nuk është se do ta gjejmë përgjigjen kaq lehtë. Nëse shkalla e TVSH-së për këto produkte do të ulej, atëherë do të kërkohej shtrirja e aplikimit mbi produkte dhe shërbime të tjera, të cilët duhet të tatohen për të ruajtur të njëjtin nivel të ardhurash. Por disa sektorë ekonomikë janë të përjashtuar, sipas një praktike mbarëbotërore. Atëherë, një mënyrë tjetër për të "kompensuar" të varfrit për situatën e tyre ekonomike do të ishte transferimi direkt i fondeve të buxhetit në projekte shërbimesh publike. Apo dhënia nga qeveria e "bonove" (voucher), të cilat në shumë vende të botës kanë gjetur zbatim në përdorimin e tyre për të pasur zbritje çmimesh për arsimim, shërbimet shëndetësore, ushqime etj. Një sistem deri diku i ngjashëm në përmbajtje tashmë zbatohet nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në lidhje me rimbursimin e një shporte ilaçesh për qytetarët në nevojë. Thelbi i zbatimit të këtyre masave synon në mosdeformimin e vendimmarrjes së bizneseve. Ndërsa, tatimpaguesit të paktën do të kenë mundësinë e transparencës se sa fonde do të paguhen për këtë kategori qytetarësh.

Sa kushton TVSH-ja për shtetin?

Përshkrimi i konceptit të mbledhjes së TVSH-së përfshin edhe koston e administrimit për mijëra biznese që operojnë në vend. Në vitin fiskal 2008, për të mbledhur 1 lek TVSH, për administratën ka kushtuar 6 qindarka, apo 2.02% kosto. Ndërkohë, kjo kosto e mbledhjes së TVSH-së, p.sh. në Belgjikë, ishte 1.2%, në një mesatare evropiane që shkon afër 0.6%. Ky tregues do të thotë se TVSH-ja në fund të fundit nuk ka një kosto të lartë për administratën fiskale, madje në raport dhe me tatimet e tjera.

Por, çfarë është e mirë për qeverinë nuk është domosdoshmërisht e tillë dhe për tatimpaguesit. Është fakt, që në vendin tonë 10% e tatimpaguesve në total paguajnë 80% të tatimeve në buxhetin e shtetit. Në Britaninë e Madhe po kështu, 10% e bizneseve paguajnë 70% të tatimeve. Shembuj të ngjashëm ka në çdo vend. Kostoja e mirëkuptimit midis tatimpaguesve dhe administratës është një tregues që e konfirmon këtë argument. Kostoja e mirëkuptimit është më e lartë në vendet e pazhvilluara dhe më e ulët në vendet e zhvilluara ekonomikisht. Ajo është e ndryshme edhe midis segmenteve të biznesit, duke rënduar më shumë për bizneset me qarkullim të vogël dhe më pak për ato me qarkullim të madh. Kjo kosto llogaritet të jetë mesatarisht 40 herë më e lartë për bizneset me qarkullim të vogël në raport me tregtarët e prodhuesit e mëdhenj. Në këtë aspekt është e pashmangshme përjashtimi i biznesit të vogël nga skema e TVSH-së. Por, këtu flasim për ata që janë realisht biznes i vogël dhe jo ata që vërejmë nga praktika shqiptare e të ashtuquajturve "biznes i vogël" i këtyre 18 viteve. Aktualisht, 75% e numrit total të tatimpaguesve janë pjesë e kategorisë së biznesit të vogël. Nëse nga numri total i tatimpaguesve, volumi i pjesëmarrjes së biznesit të vogël zbret në 50%, atëherë kostoja e mbledhjes së TVSH-së përllogaritet të shkojë në 15%. Ndërsa të ardhurat mund të rriten deri në 10% nga ky kontingjent tatimpaguesish prej 25% që hyjnë rishtazi në skemën e TVSH-së.

Megjithatë, bizneset e vogla e paguajnë TVSH-në në rolin e konsumatorit, pasi gjithë furnizimet kryesore të tyre ata i marrin me fatura me TVSH nga tatimpagues, që janë pjesë e skemës së TVSH-së. Shumë nga ata do të kishin më tepër interes të regjistroheshin në TVSH, në rast se do të kishte një mirëkuptim ndryshe të TVSH-së dhe një administrim më të fortë të skemës nga shteti. Ky ende mbetet një handikap dhe njëkohësisht edhe sfidë për strukturat tatimore, pasi zvogëlon në masë të konsiderueshme produktivitetin tatimor.
TVSH-ja lufton ekonominë joformale

Ekonomia joformale e ka një kundërshtar të deklaruar, TVSH-në. Për ta luftuar sa më efektivisht gjithsesi duhet të dimë se si është kundërshtari. Ky krah ilegal i ekonomisë përbëhet nga tri elemente:

1. Transaksionet e padeklaruara të mallrave dhe shërbimeve që janë pjesë e sistemit ligjor;

2. Transaksionet e padeklaruara të mallrave dhe shërbimeve kontrabandë;

3. Pastrimi i parave në aktivitete ligjore.

Në rastin e planifikimit të ndonjë biznesi për qëllime evazioni, për t‘i shpëtuar pagesës së TVSH-së mbi një produkt apo shërbim nevojitet bashkëpunimi i disa klientëve, furnizuesve dhe konsumatorëve. Një skemë e tillë evazioni është shumë me rrezik. Pikërisht, vendosja e TVSH-së në çdo fazë dhe cikël prodhimi e qarkullimi e bën të rrezikshëm këtë plan evazioni.

Natyrisht që rastet nuk përbëjnë fenomene, por vështirësia në administrim do të bëhet edhe më e madhe se ç‘është aktualisht, me futjen e ekonomisë në ekonominë evropiane dhe më tej globale. Aplikimi i një mekanizmi të ri të funksionimit të TVSH-së kërkon të prezantohen sa më shumë opinione me sens kritik, për të konkluduar në një qëllim final, që përmbush si objektivat buxhetore të qeverisë, po ashtu edhe kërkesat e qytetarëve në rolin e klientit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›