E Diel, 1 Nëntor 2026

“Hap i madh drejt integrimit në BE, Shqipëria ka përmbushur kriteret”

Heqja e vizave - flet shefi i kabinetit të Komisioneres së BE, Sesilia Malstrom, Michele Cercone

Heqja e vizave përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit europian të Shqipërisë. Kështu është shprehur Michele Cercone, shef i kabinetit të Komisioneres së BE, Sesilia Malstrom. Duke folur në një intervistë për Agjencinë Gjermane të Lajmeve “Deutsche Welle”, Cerkone thekson se qytetarët e Shqipërisë, do të lëvizin të lirë në vendet e zonës Shengen në vjeshtë të këtij viti. Komisioni Europian vlerëson përparimin që ka bërë Shqipëria dhe Bosnjë- Hercegovina në arritjen e standardeve të kërkuara për procesin e liberalizimit të vizave.
Sipas tij, autoritetet shqiptare duhet të vazhdojnë të shënojnë përparime edhe në tre drejtime: në zbatimin e një strategjie dhe politike që mbështet ri-integrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer nga vendet e BE: në zbatimin në mënyrë aktive dhe efikase të kuadrit ligjor për të konfiskuar asetet e vëna nga krimi i organizuar dhe në forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe financiare për të zbatuar me efikasitet kuadrin ligjor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zoti Cercone, propozimi i Komisionit Europian drejtuar Këshillit të Ministrave të BE-së dhe Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, u kushtëzua dje me përmbushjen e disa kërkesave shtesë. Pse ndodhi kështu, ku u mbështetet ky kushtëzim shtesë?
Propozimi është i kushtëzuar për të dyja vendet, por sidomos për Shqipërinë e cila duhet të përmbushë disa kërkesa ende të paplotësuara. Gjithsesi, Komisioni Europian vlerëson përparimin që ka bërë Shqipëria dhe Bosnjë- Hercegovina në arritjen e standardeve të kërkuara për procesin e liberalizimit të vizave. Fjala është lidhur me përmirësimin e masave të sigurisë së pasaportave, kontrollit kufitar dhe kuadrit institucional për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Megjithatë, Shqipërisë i duhet të shënojë përparime edhe në tre drejtime: së pari në zbatimin e një strategjie dhe politike që mbështet ri-integrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer nga vendet e BE në atdheun e tyre: së dyti në zbatimin në mënyrë aktive dhe efikase të kuadrit ligjor për të konfiskuar asetet e vëna nga krimi i organizuar. Drejtimi i tretë ka të bëjë me forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe financiare për të zbatuar me efikasitet kuadrin ligjor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është shumë e rëndësishme pasi heqja e vizave nuk duhet të krijojë probleme për vendet e BE-së, që janë destinacioni i fundit i një qytetari, në rastin konkret nga Shqipëria dhe në përgjithësi nga vendet që përfitojnë nga ky proces. Plotësimi i këtyre tre kërkesave shtesë është shumë i rëndësishëm për një vendim pozitiv. Komisioni Evropian do të monitorojë përmbushjen e tyre gjatë kësaj vere, që të sigurohet për këtë. Misioni monitorues do t`i japë Këshillit të Ministrave të BE dhe Parlamentit Europian një vlerësim të qartë dhe në detaje për përparimin e arritur në këto tre drejtime. Nëse kjo do të ndodhë ka shumë të ngjarë që Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Europian t’i i japin këtij propozimi, në vjeshtën e këtij viti, dritën e gjelbër.

Liberalizimi vizave e sjell më pranë realizimin e aspiratës për integrim në BE, të Shqipërisë dhe të B-H, në rastin e propozimit të fundit, të 27 majit, të KE. Por nuk mungon perceptimi i qytetarit të thjeshtë në Shqipëri, për t`u punësuar apo tentuar të vendoset në vendet e BE. Dhe kjo ka ndodhur edhe më parë me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Cili është mendimi juaj?
Ideja e procesit të liberalizimit të vizave lidhet me mundësinë e udhëtimit pa viza në vendet anëtare të BE-së dhe në ato të hapësirës “Schengen” edhe të qytetarëve shqiptarë që posedojnë një pasaportë biometrike. Pra, liberalizimi i vizave heq ose zhduk detyrimin për të aplikuar për një vizë afatshkurtër të personave që kanë të tillë pasaportë dhe u jep atyre të drejtën për të udhëtuar dhe hyrë në vendet e BE-së dhe të hapësirës “Schengen”, kryesisht për qëllime turistike, për një periudhë tremujore pa pasur nevojë për vizë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në BE, por liberalizimi i vizave nuk krijon mundësinë për të qëndruar më shumë se tre muaj, për t’u vendosur apo për të shkuar për të punuar në vendet e BE dhe në ato të hapësirës “Schengen”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›