“Boshti i Jugut do të jetë projekti më i madh infrastrukturor i këtyre 4 viteve”
Kryeministri Berisha në Berat, përuron përfundimin e punimeve të një sërë veprash publike
Në vijim të vizitës në Berat, Kryeministri Berisha përuroi edhe përfundimin e punimeve për rrugën Ura e Goricës-Mbreshtan, me gjatësi 7.5 kilometra, investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit me vlerë 2.5 milion dollarë dhe njëkohësisht, fillimin e punimeve për rrugën Mbreshtan-Sinjë. Kryeministri Berisha, pas përshëndetjeve të përzemërta me banorët, i siguroi ata se qeveria do të mbajë dhe shndërrojë në realitet çdo premtim që ka dhënë, sepse vetëm një Shqipëri e zhvilluar dhe moderne mund të arrijë objektivin e saj madhor, integrimin në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha ritheksoi se brenda këtij mandati qeveria do të ndërtojë Boshtin e Jugut, që do të jetë edhe projekti më i madh infrastrukturor i këtyre 4 viteve. Ndër projektet për këtë zonë, kryeministri përmendi ndërtimin e unazës së Shpiragut, në mënyrë që të gjitha fshatrat të lidhen me rrugë moderne automobilistike.
“Sot, inauguruam këtë rrugë, por po sot inaugurojmë edhe fillimin e punimeve deri në Sinjë. Qeveria do të ndërtojë tërë unazën e Shpiragut. Të gjitha fshatrat, kudo që ndodhen do të lidhen me rrugë moderne automobilistike. Sikundër Boshti i Jugut do të jetë projekti më i madh infrastrukturor i këtyre 4 viteve. Një Shqipëri që do të integrohet në Bashkimin Europian mund të integrohet vetëm si një Shqipëri e zhvilluar, me infrastrukturë dhe shërbime moderne, e cila ecën me shpejtësi drejt moshës dixhitale”, u shpreh kryeministri Berisha.