E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Ultimatume ka dhënë vetëm Edvini, por edhe ato tashmë i ka marrë Lana”

Mazhoranca mohon edhe njëherë mashtrimet e Edvinit për takimin e Strasburgut

Deputeti demokrat, Aldo Bumçi garanton opinionin publik se ndaj kësaj mazhorance nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë ultimatum nga asnjë institucion apo vend i lirë në Europë dhe në botë

Partia Demokratike përsëriti edhe njëherë dje se nuk ka asnjë ultimatum të ndërkombëtarëve në adresë të mazhorancës. Deputeti dhe kreu i PD-së për degën e Tiranës, Aldo Bumçi deklaroi pak më parë se kasnecët e opozitës po mashtrojnë për ditë e me radhë opinionin publik me mashtrime dhe gënjeshtra të pazakonta. Sipas deputetit demokrat se institucionet demokratike nuk japin kurrë ultimatume ndaj një mazhorance demokratike dhe një vendi të lirë.
“Ultimatumet dhe dialogu përjashtojnë njëri- tjetrin. Ultimatumet japin njerëz si Bin Ladeni. Ultimatume mazhorancave demokratike të vendeve të tjera mund t’i japin njerëz si Bin Ladeni apo politikanë me mentalitet totalitare”, u shpreh Bumçi.
Deputeti i Partisë Demokratike deklaroi se që pas darkës në Strasburg dhe deri dje Edvin Kristaq Rama dhe kasnecët e tij deklarojnë dhe mashtrojnë çdo ditë se në darkën e Strasburgut është lëshuar ultimatum ndaj mazhorancës.
“Këtë trillim përsëriti dje Rama në konferencën e tij te shtypit kur deklaroj se, ‘Afati dyjavor ka padyshim një përmbajte ultimative të cilën Berisha, njësoj si unë, nuk ka asnjë arsye as ta dyshojë dhe as të mohojë përderisa na është thënë fare shkoqur nga miqtë dhe partnerët e Shqipërisë...’. Unë jam sot këtu për të denoncuar këtë mashtrim të paskrupullt te Edi Rama, gënjeshtër që ka në themel psikologjinë dhe botëkuptimin e bllokmenëve të rinj”, tha ai.
Bumçi shprehu se ndaj kësaj mazhorance nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë ultimatum nga asnjë institucion apo vend i lirë në Europë dhe në botë.
“është e vërtetë se gjatë një viti Edi Rama dhe bllokmenët e rinj i kanë lejuar vetes t’i adresojnë një seri ultimatumesh mazhorancës aktuale, por të gjitha ato i mori Lana kurse autorëve të tyre ju mbeti ajo që meritojnë. Po kështu nga kampusi 19 ditor i ngritur në Bulevardin kryesor të Tiranës Rama, bllokmenët e rinj si dhe kasnecët e tyre të pavlere adresuan një seri pafund ultimatumesh ndaj mazhorancës qeverisëse, por dhe ato patën fatin e të parave. Dhe kjo sepse e ashtuquajtura grevë e urisë së bllokmenëve të rinj u injorua tërësisht nga mbarë shqiptarët dhe bota atë e mbështeti vetëm diktatori i fundit shqiptar Ramiz Alia dhe unë sot duhet të përgëzoj Rama për mbështetjen që mori”- deklaroi ndër të tjera deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›