E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, 5 pyetje Edi Ramës, se në cilin ligj apo kushtetutë flitet për të “drejtat” që ai kërkon

Zëdhënësja e Partisë Demokratike deklaroi se mazhoranca ka bërë lëshime lidhur me kërkesat e opozitës, duke mos qenë e detyruar nga ligji, por për hir të transparencës. Zëdhënësja e PD-së vuri në dukje se në asnjë prej ligjeve dhe kushtetutës në fuqi nuk përligjen kërkesat e Partisë Socialiste dhe për këtë Edi Rama ka të drejtë t’u përgjigjet 5 pyetjeve, të cilat janë bërë publike.

Partia Demokratike tha dje se kryetari i Partisë Socialiste ka të drejtë të përgjigjet për 5 pyetjet e adresuara, në bazë të interpretimit të ligjit dhe kushtetutës, se ku janë të bazuara kërkesat e ngritura prej tij. Zëdhënësja e selisë së PD-së u shpreh lidhur me deklaratën e Ramës, ku thotë se “qeverisë nuk i kërkon kush të ofrojë hapësirë për opozitën, po i kërkojmë të mos pengojë opozitën të shfrytëzojë hapësirën që i jep Kushtetuta, ligji dhe mandati i popullit” se kryesocialisti ka të drejtë të japë përgjigje se cilat janë ato ligje dhe cila është ajo kushtetutë në fuqi, që i jep kompetenca të plota kërkesave të tij.
“Cila Kushtetutë dhe cili ligj detyron Qeverinë dhe mazhorancën e saj të marrë pjesë në një Komision Parlamentar Hetimor për zgjedhje të cilat janë certifikuar si zgjedhje që plotësuan standardet kryesore të OSBE – ODIHR-it dhe në të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultatit apo numërim të parregullt? Meqë Edi Rama nuk i kërkon qeverisë hapësira atëherë pyesim se në cilën Kushtetutë apo cilin ligj të vendit bazon kërkesën për të pasur shumicën në Komisionin Hetimor Parlamentar ndërkohë që ligji për Komisionet Hetimore Parlamentare i miratuar nga qeveria e Partisë Socialiste përcakton se përbërja e këtyre komisioneve duhet të jetë proporcionale me përbërjen e Parlamentit?
Meqë Edi Rama nuk kërkon hapësira nga Qeveria le tu thotë shqiptarëve se në cilin ligj apo Kushtetutë e bazon kërkesën e tij për të pasur shumicën por dhe kryetarin e Komisionit Hetimor Parlamentar ndërkohë që ligji për Komisionet Hetimore Parlamentare i miratuar nga shumica socialiste në pushtet i njeh atij të drejtën vetëm për kryetarin por jo për shumicën? Në cilën Kushtetutë apo ligj të vendit ekziston e shkruar se Edi Rama ka të drejtën ekskluzive të hartimit të të gjitha amendamenteve për rekomandimet e OSBE – ODIHR-it për zgjedhjet e ardhshme? Dhe së fundmi në cilën Kushtetutë apo ligj të vendit garantohet hapësira e Edi Ramës për të shpallur publikisht se nuk njeh pikën 6 të nenit 178 të Kodit Elektoral të votuar me konsensualitet më shumë se çdo Kushtetutë apo ligj tjetër në këtë vend?”, deklaroi zëdhënësja e Partisë Demokratike.
Ajo tha se Partia Demokratike i bën të qartë Edvin Kristaq Ramës se qëndrimi i tij ndaj ligjeve është qëndrimi tipik i bllokmenëve të rinj që në trashëgiminë e etërve të tyre e konsiderojnë veten mbi ligjet, mbi Kushtetutën, mbi Gjykatat.
“Partia Demokratike e garanton Edi Ramën se shteti ligjor do predominojë mbi këtë psikologji totalitare dhe në rast se ai ofertat e qeverisë i konverton si një mandat për të ngritur veten mbi ligjet atëherë do të përballet me to”, theksoi zëdhënësja e PD-së.
E pyetur nga mediat për letrën që Rama i ka dërguar presidentit të Komisionit Evropian, Barroso, zëdhënësja e PD-së tha se kryesocialisti bën mirë të përgjigjet vetë më parë se “çfarë e pengoi atë që ta shkruante letrën një apo dy ditë më përpara se të merrej vendimi, por e shkroi atë mbasi u mor vendimi”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›