E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria në dietë, shteti ndërron llambat

Në kushtet e pasojave të krizës ekonomike botërore, qeveria "Berisha" ka vendosur ta thellojë edhe më shumë dietën e saj. Kryeministri Sali Berisha gjeti dje rastin të lajmëronte në mbledhjen e qeverisë shtrëngimin edhe më shumë të shpenzimeve operative të administratës shtetërore. Në këtë kuadër Kryeministri urdhëroi ndërrimin e të gjitha llambave inkandeshente të institucioneve publike shqiptare dhe zëvendësimin e tyre me ndriçues të cilët harxhojnë më pak energji elektrike. Po kështu, Kryeministri Berisha deklaroi se administrata në blerjet e saj për transportin, duhet të mbante parasysh marrjen e makinave me fuqi të vogël motorike, të cilat harxhonin edhe më pak karburant. Sipas Berishës, këto masa ishin të nevojshme në kuadër të filozofisë për shkurtimin e sa më shumë shpenzimeve operative që të ishte e mundur.

Llambat

Kryeministri Berisha dha porosi të qartë për të gjithë sekretarët e përgjithshëm të institucioneve shqiptare, që të merrnin masa të menjëhershme dhe të rrepta për sa i përket zëvendësimit të llambave inkandeshente me ato luminishente, në mënyrë që këto institucione të arrinin të kursenin sa më shumë të ishte e mundur energjinë elektrike. "Llambat inkandeshente nuk mund të ekzistojnë më, në asnjë institucion shtetëror", deklaroi Berisha, duke i kërkuar sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të bashkëpunonte për të vënë në jetë këtë urdhëresë. Sipas Berishës, dalja nga funksioni i llambave inkandeshente është bërë prej kohësh në vendet e Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, Berisha kërkoi me shpejtësi që ky standard të vendosej edhe në institucionet shqiptare. "Bashkimi Europian që është nga ana tjetër edhe bashkimi i zengjinëve të botës i ndaloi ato llamba, me vendim të veçantë të tij", kujtoi Kryeministri Berisha. Sipas tij, në këtë shembull duhet të ecte edhe vendi ynë. Kryeministri shpjegoi se vendosja e llambave luminishente duhej të ndodhte edhe në institucione si shkollat, kopshtet, spitalet dhe çdo vend tjetër që administrohej nga qeveria.

Veturat

Berisha kërkoi që veturat, të cilat përdoren për transportin e administratës duhet të kenë një kapacitet shumë të ulët për sa i përket fuqisë së tyre motorike. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Financave vënien në dispozicion të një fondi për blerjen e makinave, më të mira dhe më të lira, të cilat konsumojnë më pak karburant. Sipas Berishës, operacioni për veturat e zyrtarëve dhe administratës me këtë nismë do të shtrihet edhe më thellë. "Do të disponohet një fond me të cilin do të blejmë veturën më të mirë dhe më të lirë që konsumon më pak, sepse është interesi më i mirë. Duhet të jemi rigorozë, përveç veturave të krerëve të institucioneve kushtetuese dhe ministrave, vetura të tjera që janë për angari do të jenë vetura që konsumojnë minimumin e mundshëm të benzinës", theksoi Berisha. Në këtë kuadër, Kryeministri deklaroi se edhe vendi fqinj, Greqia që është shumë më i pasur se Shqipëria ka vendosur një limit për blerjen e veturave deri 1,5 kuaj fuqi për administratën. Në mënyrë të përsëritur, qeveria e drejtuar nga Kryeministri Berisha ka marrë masa për të shkurtuar sa më shumë të ishte e mundur shpenzimet e administratës. Filozofia e qeverisë në dietë ka qenë një nga premtimet e Kryeministrit Berisha edhe përgjatë kohës së fushatës së vitit 2005. Por shkurtimet më të mëdha për sa u përket shërbimeve administrative, duket se kanë ardhur gjatë mandatit të dytë të qeverisë "Berisha", nisur edhe nga fakti se kriza ekonomike dhe financiare ka qenë nëpër këmbë. Ata të cilët janë "penalizuar" më së shumti nga dieta e qeverisë kanë qenë deputetët, të cilët pak kohë më parë humbën veturat dhe shoferët, privilegje këto që i kishin përfituar nga statusi i tyre si deputetë. Por deputetët e mazhorancës nuk kanë replikuar në lidhje me këto vendime të qeverisë, nisur edhe nga fakti se ata e kanë pranuar më herët faktin se mazhoranca e tyre është në dietë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›