E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan dorëzon pyetësorin: Dialogoni që të bëni progres

Helmut Lohan, kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, bashkë me dosjen e trashë të pyetësorit të BE-së për Shqipërinë, i ka dhënë Kryeministrit Berisha një mesazh që vjen drejtpërdrejt nga Brukseli zyrtar. Gjatë ceremonisë së dorëzimit të pyetësorit që shërben për ecurinë e statusit kandidat, ambasadori Lohan ka bërë të qartë se progresi kërkon dialog politik, por që ai duhet të zhvillohet në Parlament. "Ecuria apo progresi i mëtejshëm drejt Bashkimit Europian kërkon reforma të mëtejshme, reforma të vështira. Në procesin e integrimit në Bashkimin Europian këto reforma të vështira duhet të bazohen në konsensusin më të gjerë të mundshëm. Për këtë arsye, ne e themi dhe njëherë se vendi për debatin politik është në Parlament. Dhe për ta thënë atë me fjalët e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, në konkluzionet apo përfundimet që ky këshill ka nxjerrë: Bashkimi Europian u bën thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri që të ndjekin një dialog politik konstruktiv duke u përfshirë në Parlament", deklaroi kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë. Lohan tha se "e mbajta shënim thirrjen që u bë nga Kryeministri për të hapur këtë dialog". Diplomati gjerman që drejton përfaqësinë e Brukselit në Tiranë, i ka dorëzuar Kryeministrit Sali Berisha një dosje të madhe me 384 faqe, ku janë të shënuara 2280 pyetje të

ndryshme për të gjitha sektorët. Ambasadori Lohan, ndërkaq ka bërë të ditur se për të marrë statusin e vendit kandidat, qeverisë i duhet të respektojë kushtet politike të vëna nga Bashkimi Europian. "Në këtë kontekst, unë do të dëshiroja që të theksoja edhe një herë rëndësinë tepër të madhe të atyre që quhen kriteret politike, funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, sundimin e ligjeve apo shtetit të së drejtës, respektin e të drejtave për minoritetet. Komisioni Europian do t‘i analizojë me kujdesin më të madh përgjigjet që do të jepen", vlerësoi Lohan. Po ashtu, Komisioni Europian do të përpiqet që të bëjë një vlerësim të ecurisë së prekshme që do të jetë bërë pikërisht në këto fusha. Sigurisht, garantoi Lohan, bëhet fjalë për ato aspekte që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit apo me shtetin e së drejtës, me luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Nga ana e tij, Berisha nuk e ka humbur rastin për të përfituar politikisht dhe i ka bërë thirrje liderit të opozitës, Edi Rama, që të përshëndesin së bashku dorëzimin e pyetësorit. Kryeministri Berisha ka deklaruar se "qeveria mbetet shumë e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës, ekspertëve të saj në të gjithë problematikën e madhe që trajton pyetësori". Berisha nuk e ka mbajtur pyetësorin shumë kohë në dorën e tij, por në prani të kamerave ia ka dorëzuar ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, duke i kërkuar të përmbushen detyrimet. Pyetësori përbëhet nga 2280 pyetje të shënuara në 384 faqe. Ato kanë të bëjnë me të gjithë segmentet e kuadrit ligjor europian dhe kriteret e Kopenhagës për anëtarësim në BE. Pyetësori u jep rëndësi të veçantë kritereve politike. Mirëqeverisja, shteti i së drejtës, reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, liria e medias - këto janë çështjet kyçe të cilat do të formojnë thelbin e vlerësimit tonë. Opinioni i Komisionit Europian mbi përgatitjen e vendit për t‘u bërë shtet kandidat do t‘i prezantohet Këshillit të Ministrave të BE-së i cili më pas do të marrë një vendim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›