Kriza e ushqimeve, një cunami i heshtur
Rritja e çmimit të ushqimeve po bëhet sfida më e madhe me të cilën është përballur Programi Botëror i Ushqimit (WFP) në historinë e tij 45-vjeçare. "Një cunami i heshtur, që po kërcënon të zhysë më shumë se 100 milionë njerëz në të gjithë kontinentet, në uri", thanë zyrtarë të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara. Rreth 100 milionë njerëz janë zhytur më thellë në varfëri, si pasojë e kostos së lartë të ushqimit, tha agjencia me qendër në Romë në një deklaratë për shtyp. Organizata po planifikon të publikojë shifra të reja, javën e ardhshme, të cilat do të tregojnë se sa njerëz kanë nevoja urgjente për të zbutur urinë, thuhej në këtë deklaratë. "Kjo është fytyra e re e urisë, miliona njerëz që nuk ishin të varur nga ndihmat në ushqime, gjashtë muaj më parë, tani janë nën kërcënim", tha drejtoresha e përgjithshme e Programit Botëror të Ushqimit, Zhozet Shiran. Ashtu si cunami i vitit 2004, që goditi Oqeanin Indian dhe la një çerekmilioni njerëz të vdekur e mbi 10 milionë të tjerë të rrënuar, sfida e rritjes së çmimeve kërkon një përgjigje globale, tha Shiran. "Donatorët dhanë rreth 12 miliardë dollarë për të ndihmuar viktimat e cunamit. Ne kemi nevojë për atë lloj veprimi dhe atë bujari", tha Shiran. Shefja e Programit Botëror të Ushqimit ka kërkuar ndërhyrje urgjente për të stimuluar prodhimin e ushqimeve dhe për të ndihmuar të varfrit t‘u bëjnë ballë çmimeve në rritje të produkteve. Paralajmërimi i saj erdhi para një takimi në Londër, ku do të diskutohet rritja e çmimeve, si edhe politika evropiane për inkurajimin e biokarburanteve. Këto të fundit, mendohet se do të luftojnë ndryshimet klimaterike, por ndërkohë "po gllabërojnë" tokat bujqësore dhe prodhimet e tyre. Më herët, liderët e Amerikës Latine paralajmëruan se rritja e prodhimit të biokarburanteve po privonte njerëzit nga buka e përditshme. Në një intervistë dhënë BBC-së, Shiran tha se ajo do të donte të nënvizonte domosdoshmërinë dhe urgjencën e ndalimit të rritjes globale të çmimeve të ushqimeve. "Ne po shohim gjithnjë e më shumë njerëz të dëshpëruar, pasi nuk kanë mundësi të sigurojnë bukën e gojës. Duhet bërë diçka që këta njerëz të ndihmohen", tha ajo. "Shohim rreth 100 milionë njerëz, që deri gjashtë muaj më parë nuk kishin nevojë për ndihmë, por që sot nuk mund të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për familjet e tyre". Shiran tha se çmimi i orizit në Azi është rritur nga 460 dollarë për ton, në 3 mars, në më shumë se 1 mijë dollarë për ton, gjashtë javë më pas. Çmimet globale të grurit, orizit e misrit, janë dyfishuar në krahasim me një vit më parë. Shiran thotë se kriza kërkon një aksion në shkallë të gjerë të komunitetit ndërkombëtar, të fokusuar si te zgjidhjet emergjente, ashtu edhe tek ato afatgjata. Në planin afatshkurtër, sipas saj, Programi Botëror i Ushqimit ka nevojë për më shumë donacione për të bërë të mundur që të plotësojë nevojat e të gjithë atyre që janë të varur prej tij. Buxheti i domosdoshëm për ta bërë të mundur këtë, sipas Shiran, rritet me miliona dollarë në çdo javë, në përpjesëtim të drejtë edhe me koston e ushqimeve. "Ne mund të blejmë gjithnjë e më pak ushqime dhe kjo nuk ndalet", tha ajo.