E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta shënon një tjetër rekord

"Vrapi" i naftës, nuk ndalet. Çmimi i arit të zi ka shënuar një rekord tjetër të radhës, duke kapërcyer kuotën e 118 dollarëve për fuçi në Nju Jork. Në tabelat elektronike parashikohet ndërkohë një tjetër shifër, rekord historik i naftës bruto, prej 118.05 dollarësh. Rekord i të gjitha kohërave është shënuar edhe në Londër, ku nafta Brent ka shkuar në 115.03 dollarë për fuçi, duke regjistruar kështu një rritje prej 60 centësh. Në këtë rritje të fundit çmimesh kanë ndikuar sulmet mbi disa impiante nafte në Nigeri, që kanë kompromentuar seriozisht furnizimet e prodhuesit më të madh të Afrikës kontinentale. Tensioni vazhdon të qëndrojë i lartë edhe nga sulmi mbi një naftëmbajtëse gjigante, ndërsa shpresat për ndalimin e kësaj "çmendurie" janë gjithnjë e më të pakta. "Ka gjasa që çmimet e larta të naftës të çojnë në një recesion në shkallë globale". Deklarata vjen nga drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Nabou Tanaka, në ditën e fundit të punimeve të Forumit Ndërkombëtar të Energjisë, në Romë. Po Tanaka, të hënën kishte thënë se çmimet e larta janë të rrezikshme për të gjithë, si për konsumatorët ashtu edhe për prodhuesit, ndërkohë që dje ai ka përsëritur se rrjedha e ngjarjeve mund të rëndojë mbi kërkesën për naftë. Alarmet e vazhdueshme mbi rritjen e çmimit të naftës kanë nxitur më në fund edhe një reagim të OPEC-ut, që ndryshe nga sa kishte deklaruar të hënën, do të rrisë prodhimin e naftës me pesë milionë fuçi në ditë, brenda vitit 2012. Sekretari i Përgjithshëm i organizatës së vendeve eksportuese të naftës, Abdullah Salem El-Badri, e dha këtë lajm në përfundimin e punimeve të Forumit të Romës. Ai ka thënë gjithashtu se OPEC-u synon edhe të rrisë kapacitetin prodhues me nëntë milionë fuçi në ditë, brenda 2020-ës. Rritja e pandalshme e çmimeve të naftës ka sjellë edhe një rekord të ri të benzinës, që në shumë vende evropiane është shitur me 1.413 euro për litër, ndërkohë që gazi ka kapur kuotën 1.4 euro për litër. Bëhet fjalë edhe këtu për nivele maksimale, historike, ndërkohë që monedha evropiane është këmbyer dje me 1.6 dollarë amerikanë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›