Dekori i Tiranës, si rrugët e Parisit me drita të kuqe

Dekori i bulevardit, Berisha: Tirana si Pigali, të ndryshojë protokolli. “Qytetarët, ankesa për zgjedhjen e ngjyrave nga bashkia”
Ngjyrat e kuqe në qendër të Tiranës, që ngjajnë me ato të lagjes Pigal në Francë, do të zëvendësohen me ngjyrat dhe dritat që përfaqësojnë të gjithë shoqërinë shqiptare. Këtë kërkoi dje në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Sali Berisha përmes ndërhyrjes së protokollit të shtetit për të ndryshuar mënyrën se si është zbukuruar bulevardi qendror i Tiranës për festat e fundvitit. Shqetësimi i Kryeministrit duket se ka të bëjë me ngjyrën e përzgjedhur për zbukurim, që, siç tha Berisha, ka nxitur edhe reagimin e qytetarëve.
“Place Pigale” është një prej rrugëve me dyqane “seks shop” dhe shtëpi publike më të njohura në Francë, rrugë që e ka marrë emrin nga piktori Jean Baptiste Pigale (Pigal). Pikërisht me këtë rrugë i krahasoi Kryeministri Sali Berisha ngjyrat e dekoreve të vendosura nga Bashkia e Tiranës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Ndaj, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Berisha kërkoi që të përcaktohet në protokollin e shtetit mënyra se si duhet të dekorohen rrugët për festat e fundvitit.
“Në kryeqytet po përballemi me fenomenet më të çuditshme. Protokolli i shtetit duhet të përcaktojë qartë dekorin e këtij qyteti. Sot, bulevardi kryesor “Dëshmorët e Kombit”, më thotë një veteran, ka marrë ngjyrat e Pigalit, një lagje e veçantë e Parisit dhe absolutisht, veterani kishte të drejtë. Shikojini, janë identike ngjyrat e Pigalit. Por ky shesh nuk është Pigali, por bulevardi “Dëshmorët e Kombit””, - theksoi z. Berisha.
Më tej ai u shpreh se duhet ndërhyrje e protokollit për të vendosur ngjyra normale. “Interesohem dhe këtë nuk e ka bërë vetë, por ka porositur ngjyrat vetë. Ka futur kompanitë, me sponsor dhe për këtë ka bërë mirë, por ngjyrat të atilla nuk mund të vihen. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të ketë ngjyrat e dritat që duhen. Pastaj e bën këtë dy muaj pas martese. Protokolli i shtetit të ndërhyjë, në qoftë se është e mundur me kode të ndërrohen ato ngjyra dhe të bëhen ngjyra normale”, - theksoi z. Berisha.
Duke u ndalur në përvojën franceze, Berisha u shpreh se në sheshet kryesore ata vendosin ngjyra të përshtatshme.
“Francezët, që i bëjnë sheshit ndriçimin më fantastik, nuk i vënë në Champs Elysees ato ngjyra. As kullën Eiffel nuk e ndriçojnë në atë mënyrë. Ndaj protokolli i shtetit të ndërhyjë dhe bulevardi të marrë të gjitha ngjyrat, të cilat përfaqësojnë tërë shoqërinë. Është i papranueshëm siç është. Është shqetësuese. Veteranët ndihen shumë të lënduar. Dhe unë qëndroj prapa tyre”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Madje, Berisha bëri edhe humor me këtë çështje, teksa tha: “Për çudi Rama e bëri këtë 2 muaj pas martesës, por ne mezi e shpëtuam parlamentin nga këto ngjyra tani i ka vendosur në bulevardin qendror të Tiranës”. Në përfundim Berisha deklaroi: “Bulevardi të marrë të gjitha ngjyrat, të cilat përfaqësojnë tërë shoqërinë. Është i papranueshëm siç është. Është shqetësuese. Veteranët ndihen shumë të lënduar. Dhe unë qëndroj prapa tyre”.