Hapësira detare "dhënë" grekëve, zbulohet vlera
Stacionet dhe rrjeti i shtrirë në tre kontinente kalon në Otranton shqiptare
Territori që qeveria do t'i kalojë Greqisë, nisur nga viti 2012, do të jetë një nga nyjat e rrjetit të energjisë së "pastër"
Zbulohet vlera e hapësirës ujore të territorit shqiptar, të cilin së shpejti mund ta përvetësojë shteti grek. Pjesa e dizenjuar në marrëveshje, jo shumë larg në kohë, do të jetë një urë lidhëse midis gadishullit Ballkanik dhe pjesës tjetër të Evropës, për përçimin e një prej motorrëve më të fuqishëm të botës së industrializuar, të energjisë. Bëhet fjalë për projektin më të madh prodhimit dhe shpërndarjes të energjisë së të ardhmes, i kryer ndonjëherë, falë bashkëpunimit të dhjetëra shteteve në tre kontinente.
Në një projekt të iniciuar nga presidenti francez, Sarkozy, për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme dhe infrastukturës së rrjetit shpërndarës së kësaj energjie drejt Evropës, vihet re se një nga degëzimet kalon në kanalin e Otrantos, në territorin detar shqiptar. Është pikërisht, ajo pjesë detare e territorit shqiptar, e ndodhur në detin Jon, e cila sipas marrëveshjes mes dy qeverive, shqiptare dhe helene, mund t'i kalojë së shpejti shtetit grek. Duket se nëse territori detar në fjalë do t'i kalojë shtetit grek, atëherë Shqipëria nuk do të arrijë të shijojë atë që i takon nga "torta" e madhe e revolucionit diellor, që do të udhëheqë ekonominë e së ardhmes.
Prej muajsh në mediat shqiptare po përflitet marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke, për kalimin në favor të Greqisë të rreth 354.4 kilometrave katrorë nga ujërat detare të territorit tonë. Një marrëveshje aq e përfolur dhe e lakuar edhe nga shoqëria civile. Janë hedhur hipoteza nga më të ndryshmet, lidhur me përfitimet e shtetit grek në këtë histori. Madje, studiues të ndryshëm shqiptarë kanë hedhur dyshimet e tyre se tabani i zonës në fjalë është naftëmbajtës. Ndërkaq, nga autoritetet e vendit tonë nuk është bërë asnjëherë e ditur se kush është arsyeja e kalimit të këtij territori detar fqinjit. Gjithashtu, nuk është sqaruar opinioni publik se çfarë përfitimesh mund të ketë shteti shqiptar apo ai helen nga kjo marrëveshje.
Iniciativa e Bashkimit të Vendeve të Mesdheut për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë së rinovueshme në të ardhmen është vendosur të startojë në vitin 2012. Është një publikim i marinës italiane i datës 25 korrik të vitit të kaluar, e cila mund të gjendet në sitin: (http.ecoblog.it). Artikulli është i ilusturar edhe me një hartë, në të cilën përshkruhen të gjitha stacionet e prodhimit të energjisë së rinovueshme në vendet e pellgut të Mesdheut dhe atyre evropiane. Po në këtë hartë është dizenjuar edhe gjithë rrjeti shpërndarës i energjisë. Stacionet e shtrira në gjithë hapësirën e shkretëtirës së Saharasë dhe të Gadishullit Arabik, janë ato të cilat do të prodhojnë kryesisht energji të marrë nga dielli.
Ndërsa në pjesën veriperëndimore të Afrikës dhe të Kontinentit Evropian vihen re stacionet e prodhimit të energjisë me anë të erës. Gjithashtu në hartë, vihet re edhe rrjeti shpërndarës i energjisë që lidh të gjitha stacionet njëra me tjetrën dhe përshkon vendet në fjalë. Një nga degëzimet e rrjetit e cila përmbledh stacione të prodhimit të energjisë diellore, të cilat ndodhen në Egjipt, kalon nëpër Detin Mesdhe, fillimisht në Kretë e pastaj në Greqinë kontinentale. Pikërisht, ky degëzim drejtohet në veriperëndim të Greqisë dhe hidhet në Itali duke kaluar në ujërat e detit Jon. Në hartë duket qartë, se në projektin e revolucionit të energjisë diellore degëzimi i rrjetit që kalon nga Greqia drejt jugut të Italisë duhet të kalojë në ujërat e territorit shqiptar. Zona ujore, ku do të kalojë rrjeti përcjellës i energjisë, përkon me ato kilometra katrorë të cilat sipas marrëveshjes së qeverisë sonë me atë helene, i kalojnë Greqisë. Autoritetet e qeverisë shqiptare dhe ato helene nuk janë shprehur lidhur me arsyen dhe strategjinë e kësaj marrëveshjeje. Por, duke ju shkëputur kjo pjesë e detit territorit shqiptar, vendi ynë humbet të ardhura financiare të përhershme që duhet të jepen si pasojë e kalimit të rrjetit brenda kufijve, derisa këta të fundit të pushojnë së ekzistuari. Kjo, pasi Shqipëria nuk do të ketë privilegjin e të qënit përfituese e kësaj nisme të Bashkimit të Vendeve të Mesdheut, nismë e cila parashikon plotësimin e nevojave energjetike të tre kontinenteve në të ardhmen, kur edhe nafta, ndoshta, do të ketë shteruar.
Botuar më 25 korrik 2008 nga Marina Italiane
Projekti i revolucionit të energjisë diellore starton më 2012
Projekti i Presidentit Francez, Sarkozy, për të krijuar një bashkim të Mesdheut që do të përmbledhë nevojat e Pellgut, ku më të rëndësishmet janë ato energjetike, po bëhet gjithmonë dhe më real. Pas mbledhjes së 13 korrikut të vitit të kaluar, ku morën pjesë 27 vendet pjesëtare të Unione Europea si edhe Algjeria, Egjipti, Izraeli, Jordania, Libani, Maroku, Mauritania, Siria, Tunizia, Turqia, Shqipëria, Kroacia, Bosnja-Hercegovina, Mali i Zi e Autoritetin Palestinez, në kuadër të asaj që do të jetë në të ardhmen, në vitet 2050 u duk më qartë: "Lamtumirë naftë dhe rrugë e hapur për të gjitha burimet e energjisë së rinovuar, e mbi të gjitha ajo diellore".
Sarkozy ftoi vendet e Unionit Evropian për të nisur dhe ndërtuar bazat e revolucionit diellor ne dhjetë vitet e fundit, nga 2012 deri më 2020, kur do të jetë e nevojshme të përgatiten të gjitha infrastrukturat, me qëllim për të mos u gjetur të papërgatitur nga ajo që edhe nëse nuk do të jetë fundi i naftës, do t'i ngjajë shumë asaj situate. Në këtë kontekst nis edhe projekti për të kapur energjinë diellore në shkretëtirën e Saharasë që do të hyjë në kuadrin më të gjerë të TREC (Trans-Mediterranean Renewable Energy Cooperation) e ideuar dhe vënë në lëvizje nga Club of Rome, Hamburg Climate Protection Foundation e NERC (National Energy Reasearch Center of Jordan).
(Botuar më 25 korrik 2008 nga Marina në: Energia Tecnologia Internazional Europa Persone Risparmio energitico Rinovabili Politica Nucleare Solare Idroeletrico Eolico)