E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita në shesh/ Rama: Protesta deri në hapjen e kutive

PS ka zbritur në shesh në protestë, e mbështetur nga parti të majta e të djathta për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Protesta u zhvillua me moton "Ku është vota ime? Hapni kutitë".
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama tha se dita e sotme ishte fillimi i protestës për lirinë e votës. "Ne do të vazhdojmë protestat derisa të fitojmë të drejtën tonë. Ne do vazhdojmë protestat në çdo shesh dhe rrugë të Shqipërisë", tha ai. Ai shtoi se PS-ja nuk hyn në parlament për t'u bërë bashkëfajtore për dhënien fund të mundësisë për t'u mbajtur zgjedhje të lira në Shqipëri. Rama theksoi se fati i betejës për hapjen e kutive varet nga kurajoja për të luftuar për lirinë e votës dhe barazinë para ligjit. "Fatin e kësaj beteje nuk e dikton dot pushteti i korruptuar, por e drejta që ka njeriu për t'u ngritur në këmbë kur shkelet ligji", vlerësoi ai.
Kryesocialisti Rama tha se e gjithë Shqipëria do të bëhet pjesë e protestës për hapjen e kutive. Ai tha se kjo protestë kërkon që dhunimi i votës të marrë fund së bashku me këtë qeveri. Sipas tij, mospranimi për të hetuar në parlament zgjedhjet është prova e së vërtetës së madhe që opozita do të mbrojë.
Edi Rama deklaroi se hapja e kutive të votimit janë prova e së vërtetës. "Zgjedhjet e 28 qershorit u minuan. Votat u grabitën për të thithur të gjithë prurjen e korrupsionit", pohoi ai.
Rama i ka bërë apel kryeministrit Sali Berisha që të lejojë hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas tij, me Berishën, në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira.
Kryetari i Partisë Socialiste shtoi se ministri Fatmir Mediu mban peng Berishën me sekretet që ai di.
Në fund të fjalës së tij, kreu i PS-së u ka kërkuar qytetarëve që të firmosin projektin e hartuar nga një grup qyetarët dhe në bazë të kushtetutës t'i adresojnë parlamentit kërkesën për hetimin e zgjedhjeve.
Deputeti i PS-së, Pandeli Majko tha se selia rozë nuk mund të lejojë që fati i Shqipërisë të mbyllet në kutinë e Sali Berishës. Ai tha se opozita nuk mund të hyjë në Kuvend pa hapjen e kutive. "Ne kërkojmë vetëm të hapet kutia e votimit, të bëhet transparent rezultati", tha ai. Majko tha se qeveria nuk ka guxim të hapë kutitë e votimit.
Kryetari i partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule kërkoi respektimin e votës duke e numëruar atë. "Vetëm në këtë mënyrë garantojmë të ardhmen tonë europiane', tha ai.
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi u shpreh se Berisha është hajduti më i madh i votave të lira. Ai tha se në zgjedhje nuk u respektua vota e fshehtë, shteti u bë njësh me partinë dhe shumë votues nuk i gjetën emrat në listë.
Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo deklaroi se hapja e kutive të votimit është më themelorja për demokracinë e Shqipërisë. "Jemi këtu për të mbrojtur votën e lirë. Vjedhja e votës është kthyer në një epidemi që ka zënë për gryke shoqërinë shqiptare", pohoi ai. Sipas Milos votat janë vjedhur në Shkodër, në Gjirokastër, Berat, Elbasan. Ai shtoi se hapja e kutive të votimit duhet bërë për t'u ndarë nga hija e dyshimit aftësitë tona për të qenë qytetarë evropian. "Hapja e kutive të votimit duhet të jetë filozofia e aksioni qytetar për shqiptarët që duan një Shqipëri evropiane", theksoi Milo.
Kreu i G99, Erjon Veliaj bëri apel për hapjen e kutive. Ai tha se demokracia është shumë e shtrenjtë për ta lënë në dorë të matrapazëve. "Jemi këtu sepse besojmë se në 28 qershor nuk humbi opozita, por Shqipëria nga vjedhja e Berishës dhe opozitës", tha ai. Veliaj shtoi se protesta e opozitës sot tregon se shqiptarët nuk dorëzohen deri në hapjen e kutive.
Anëtari i larguar i LSI-së, Ndre Legisi u shpreh se duhet t'i jepet fund manipulimit të votave. Ai tha se zbardhja e krimit elektoral është një domosdoshmëri historike. "Votat tona u trafikuan djathtas", tha ai.
Deputeti i PS-së, Taulant Balla nënvizoi se Internacionalja Socialiste është shprehur se kërkesat e PS-së për parregullsitë në zgjedhje duhet të pranohen. "Internacionalja Socialiste na mbështet në protesta, dhe në bojkot. Ne duhet të jemi çdo ditë bashkë për të rrëzuar Sali Berishën", tha ai.
Kreu i Shoqatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri tha se Shqipëria është e kapur nga kuçedra me tre koka Berisha-Meta-Nano.
Blerta Kraja, avokate e viktimave të Gërdecit theksoi se qeveria e Gërdecit nuk hap kutitë e votimit. Ajo kërkoi drejtësi për tragjedinë e Gërdecit.
Protestës së opozitës i janë bashkuar edhe PBDNJ, PDK, PBL, PSD, G99 apo PDS, si edhe Konfederata e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
Në protestë ishin të pranishëm qindra vetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›