Hapet Jarinja, serbët ngujohen në barrikada
Mediat kosovare bëjnë të ditur se ushtarët e KFOR-it rreth orës 10 hapën pikëkalimin në Jarinje për këmbësorët si dhe për automjetet. Sipas medieve drejtë Leposaviqit dhe Mitrovicës, ende është i pamundur për shkak të barrikadave që serbët kanë vendosur 200 metra nga baza e re e forcave ndërkombëtare, pas zgjerimit të zonës së tyre të sigurisë.
Dje është shtuar numri i ushtarëve të KFOR-it gjerman në këtë pikë, ndërsa me helikopterë është sjellë edhe mjetet për eliminimin e barrikadave.
Pas heqjes së barrikadave nga KFOR-i serbët lokalë të revoltuar nga ky akt janë ngujuar pranë barrikadave të tjera, të cilat po pengojnë qarkullimin e automjeteve të KFOR-it. Serbët kanë ngritur një barrikadë të re në territorin e komunës së Leposaviçit duke kundërshtuar kështu aksionin e forcave të KFOR-it që zgjeruan rrethin e sigurisë drejt pikës kufitare të Jarinës.
Vendkalimi kufitar në Jarinje vazhdon të mbetet i mbyllur dhe i rrethuar me tela me gjemba. Ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut, Farid Zarif vizitoi dje serbët e rebeluar në barrikadën pranë kufirit të Jarinje-s, të cilëve u kërkoi të largonin pengesat nga rruga.
Serbët lokalë që përbëjnë shumicën e veriut të Kosovës vijojnë të kundërshtojnë me aksione vendosjen e doganierëve të Kosovës në dy pikat në veri të vendit, 1 dhe 31, që erdhi për shkak të hyrjes në fuqi në 16 shtator të marrëveshjes për vulat doganore. Të martën e kaluar serbët lokalë sulmuan me gurë dhe me granata KFOR-in, ku u plagosën katër ushtarë.