E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet Panairi i Punës me 2000 vende bosh

Autori i Lajmit: red.
U hap dje Panairi i Punës në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Mbi 2000 vende të lira pune do të promovohen sot për të papunët. Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje në mbrëmje çeljen e panairit "Tregu i Punës, Tiranë 2008" duke theksuar se Shqipëria ka hedhur bazat për një rritje të shpejtë ekonomike. Sipas tij vendi ynë ka një stabilitet makro- ekonomik të sigurt, e cila ka për rezultat punësimin masiv dhe çdo ditë e më i madh bëhet numri i kompanive të huaja që investojnë në të gjitha fushat.Sipas burimeve nga Zyra e Punësimit, janë 70 biznese që janë ofruar për të punësuar kategoritë në nevojë. “Këto kompani janë nga më të suksesshmet në treg. Ofertat e punësimit që këto biznese do të prezantojnë në hollin e Pallatit të Kongreseve, në një sipërfaqe prej rreth 2200 metër katrorë, u adresohen të gjitha kategorive të të papunëve, duke nisur që nga ata me arsim të lartë, të mesëm dhe për ata punëkërkues që janë pa kualifikim”, - tha Thoma Melo, drejtor i Zyrës së Punësimit në Tiranë. Ofertat e punës, sipas tij, do të jenë të fushave të ndryshme, si në telekomunikacion, shërbimin bankar, linjave prodhuese, menaxhim, marketing, sektorin e ndërtimit, instalimeve hidraulike dhe elektrike, etj. Veç biznesve të tjera, rreth 25 vende të lira pune do të ofrohen nga kompanitë Ferlut, Ferlat, gazeta “Ballkan”, ANAS, Fiat, Olimpia dhe Europcar.
Ky lajm është publikuar: 24/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›