Kroacia zhytet në krizë pas vrasjes mafioze të një gazetari
Presidenti kroat thërret një mbledhje emergjente të Këshillit për Siguri Kombëtare pas shpërthimit të një bombe të enjten, që solli vdekjen e një gazetari të njohur dhe shefit të tij të marketingut
Presidenti Stjepan Mesiç iu bëri thirrje institucioneve që të bëjnë gjithçka munden për të ndaluar këto incidente.
“Terrorizmi ka mbërritur në rrugët e kryeqytetit kroat. Është një sfidë krejt e re për secilin. Institucionet e shtetit duhet të reagojnë menjëherë dhe fuqishëm. Shoqëria duhet të jetë e bashkuar, nuk ka më kohë për të humbur - ose ata, ose ne”, - u shpreh ai.
Një gazetar kroat i profilit të lartë, Ivo Pukaniç dhe shefi i tij i marketingut, Niko Franjiç, u vranë gjatë një shpërthimi bombe në qendër të Zagrebit në orën 18.20, sipas orës lokale.
Bomba ishte vendosur ngjitur me makinën e tij, një “Lexus”, i parkuar në parkingun e kompanisë së Pukaniç, ‘NCL Media Group’. Makina kishte qenë e parkuar që nga mëngjesi.
Dy punonjës të tjerë - teknikë të grafikës, u plagosën.
Këshilli për Sigurinë Kombëtare arriti në përfundimin se masat e marra pas vrasjes shokuese të Ivana Hodak, vajza e një avokati të njohur, në mes të ditës në rrugët e qytetit, në fillim të muajit, duhet të forcohen akoma më shumë.
Zyrtarët kanë në vëmendjen e tyre dhe mundësinë për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, e ngjashme me atë që u deklarua në Serbi pas vrasjes së kryeministrit, Zoran Xhinxhiç, në mars të vitit 2003.
E përditshmja “Novi List” pretendon se pak pas vrasjes, presidenti Mesiç ka marrë mesazhe ku kërkohet krijimi i një qeverie emergjence, edhe pse gjendja e jashtëzakonshme është refuzuar gjer më tani.
“Nuk ka as nevojë dhe as bazë ligjore për këtë”, - tha kryeministri, Ivo Sanader.
“Ne nuk kemi nevojë për gjendjen e jashtëzakonshme, por ne mund të premtojmë se Kroacia do të jetë një vend i sigurt”, - shtoi ai.
Megjithatë, policia e Zagrebit ka mbledhur 250 policë nga qytete të tjera të Kroacisë për t’u përballur me krizën.
Ndërkohë, raportuesi i Parlamentit Evropian për Kroacinë, Hannes Svoboda, tha se ishte i shokuar nga vdekja.
“Ky është një hap gjigant prapa dhe kryeministri Sanader duhet më në fund që të përballet me peshqit e mëdhenj”, - kërkoi Svoboda.
Komentet e Svobodas vijnë në një moment frike se dhuna në rritje mund të kërcënojë suksesin e arritur nga Kroacia në bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm, ndërsa pritet që të publikohet dhe një raport kyç nga Komisioni Evropian gjatë muajit që vjen.
Kroacia shpreson të bëhet anëtare e BE në vitin 2011.
Kryeministri Sanader largoi nga detyra ministrin e Brendshëm dhe atë të Drejtësisë, si dhe shefin e policisë kombëtare në fillim të këtij muaji, si përgjigje ndaj krimit në rritje.
Policia heton vënien e bombës
Policia tha se po bën gjithçka mundet për të hetuar vënien e bombës.
Policia dhe ambulancat menjëherë mbërritën në vendngjarje, së bashku me shefin e policisë, Vladimir Faber dhe kryebashkiakun e Zagrebit, Milan Bandiç.
Kompania e Pukaniç ka në përbërjen e saj dhe një shkollë gazetarie dhe një duzinë studentësh ishin afër vendit të ngjarjes.
Në dëshmitar pa një burrë rreth të tridhjetave që po vraponte poshtë në rrugë dhe një piktor që jeton ngjitur me godinën e NCL filmoi zonën e shpërthimit me një kamera.
Zëdhënësi i policisë, Krunoslav Borovec, tha të premten në mëngjes së policia kishte folur me mbi 150 persona përgjatë gjithë natës.
“Sigurisht, ne kemi informacion të vlefshëm për këtë ngjarje dhe do e bëjmë publik në orët në vijim”, - tha Borovec.
Ata pritet që së shpejti të publikojnë një identikit të të dyshuarit.
Borovec tha gjithashtu se tre zyrtarë të qeverisë së Bosnjës, Bullgarisë dhe Serbisë, që ndodheshin në Zagreb në ditën e shpërthimit, i kërkuan shefave të policisë në vendet respektive që të ndihmojnë hetimin.
Sipas të përditshmes “Novi List”, ekspertët mendojnë se eksplozivi i përdorur për bombën është një eksploziv plastik që quhet PEP, i prodhuar nga ushtria e ish-Jugosllavisë.
Tentativat e mëparshme për vrasje
Pukaniç pretendon se ka qenë objekt sulmi dhe në prill të këtij viti, në mes të një skandali ku ai e detyroi të shoqen, Mirjana, të vendosej nën kujdesin mjekësor.
Pukaniç pretendonte se e shoqja, e cila është pronare formale e disa prej pronave të tij, është mendërisht e paqëndrueshme, ndaj dhe nuk është në gjendje të menaxhojë asetet e tyre.
Mirjana Pukaniç më vonë kërkoi nga një grup i të drejtave të njeriut, Komiteti kroat i Helsinkit, që ta mbronte.
Grupi më vonë arriti në përfundimin se të drejtat e saj ishin dhunuar, por asnjë, qoftë nga doktorët, qoftë nga palët e përfshira në shtrimin e saj me forcë në spital, përfshi këtu zyrtarë të Zyrës për Siguri Sociale në Zagreb, nuk u gjetën fajtorë për abuzim me detyrën.
Pasi raportoi tentativat që rrezikonin jetën e tij, Pukaniç u vendos nën mbrojtje policore, edhe pse kjo mbrojtje iu hoq në gusht.
Ministri i ri i Brendshëm i Kroacisë, Tomislav Karamarko, tha gjatë një konference për mediat të enjten në darkë se mbrojtja policore i ishte hequr “në konsultim me vetë Pukaniç”.
Megjithatë, të premten e përjavshmja “Nacional” e Pukaniç publikoi një përgënjeshtrim, duke pretenduar se “policia e vuri nën presion Pukaniç që të hiqte mbrojtjen” dhe pretendon se “ata nuk kishin mjaftueshëm njerëz për të mbajtur atë dhe vajzën e tij, Sara, në mbrojtje konstante.”
Vonë të premten, policia hodhi poshtë këto pretendime, duke thënë se Pukaniç ishte akoma nën mbrojtje, por masat ishin thjeshtuar.
Ndërkohë, kolegët e Pukaniç insistojnë se bosi i “Nacional” “kishte informacione, përfshi dhe kaseta video” për përpjekjet për vrasjen e tij në prill, por “policia i kishte injoruar ato.”
Karrierë kontroverse
Pukaniç e nisi karrierën e tij si fotograf në vitet 1980 dhe në vitin 1991 iu bashkua të përjavshmes “Globus”, ku dhe mbuloi botën e show biznes-it.
Në fund të vitit 1995, ai së bashku me një grup gazetarësh të “Globus”, u larguan nga e përjavshmja dhe themeluan të përjavshmen “Nacional”.
“Nacional” mbuloi disa histori që kishin të bënin me programet ilegale të privatizimeve dhe krimin e organizuar. Më vonë ai u lidh me grupe të botës kriminale, edhe pse asnjë nga këto akuza nuk u provua. Megjithatë, miqësia e tij me Hrvoje Petraç është e njohur. Petraç ishte një nga bosët kryesore të mafies së Zagrebit në vitet 1990 dhe aktualisht ndodhet në burg i dënuar për rrëmbimin e djalit të Vladimir Zagorec.
Vladimir Zagorec është ekstraduar nga Austria në fillim të këtij muaji për t’u përballur në gjyq për vjedhjen e 3.25 milion eurove në bizhuteri që u përdorën për të blerë armë në një periudhë sanksionesh gjatë viteve 1991-‘95, në luftën kroate.
Ivana Hodak, që u vra në fillim të këtij muaji, është e bija e avokatit që do të mbronte Zagorec.
Pukaniç është vlerësuar për kontributin e tij në gazetari tri herë, përfshi këtu dhe për një intervistë me gjeneralin e ushtrisë kroate, Ante Gotovina, i cili në atë kohë po fshihej nga Gjykata e Hagës për krime lufte.
Në fillim të këtij viti, Shoqata e Gazetarëve Kroatë, e cila e kishte nderuar me çmim atë, ia hoqi, pasi “Nacional” botoi dokumentacionin e plotë mjekësor të gruas së tij, Mirjana.