E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa paguhet për shtëpitë e para 90-s dhe ato me çmime false

Autori i Lajmit: red.
Noterët pohojnë se kontratat e bëra deri vitin e kaluar përmbanin shpesh vlera shitjesh nën ato realet. Për të paguar sa më pak në Hipotekë, qytetarët shitës të banesave, në marrëveshje me blerësit deklaronin një çmim që ishte gjysma e atij real të shitjes së apartamentit, dhe pagesa u binte 0.5% e vlerës së shitjes (kur shitjet ishin në 2 milionë). Ata i kanë kursyer xhepit me këto “manovra” disa qindra mijë lekë të vjetra, që tani do t ia kthejnë shtetit shumëfish. Natyrisht, ata nuk e kishin menduar se do të vinte një ditë, kur çmimi i blerjes së një objekti do të merrte një rëndësi të tillë, që do t i rriste detyrimet. Për këtë arsye, blerësit thuajse asnjëherë nuk kundërshtonin kërkesën e shitësve të pasurive të paluajtshme, që të shënonin në kontratë një tjetër vlerë blerjeje pasi nuk humbisnin gjë. Por janë pikërisht blerësit tolerantë dhe jo shitësit ata që e pësojnë tashmë. Por marrëveshja e kundraligjshme nuk ka më kthim. Nëse e kanë të shënuar në kontratë blerjen e një objekti kundrejt 3 milionë lekëve, nuk mund të pretendojnë më se e kanë blerë 6 milionë, aq sa kanë paguar në të vërtetë. Ky çmim më i ulët në blerje, do të thellojë diferencën mes çmimit të shitjes me atë të blerjes, dhe do të konkludojë në një vlerë më të madhe tatimi. Pra, në mënyrë artificiale qytetarët i kanë atribuar vetes “fitime” më të mëdha se ato reale nga shitja e pronës.
Ndryshe është situata për apartamentet e para-90s, të privatizuara në 92-shin , të cilat nuk janë shitur asnjëherë. Për këto, çmimi i blerjes (që është në fakt çmimi i privatizimit, duke qenë në vlera shumë të ulëta, vendimi i Ministrisë së Financave ka “skontuar” çmimin referencë duke e llogaritur metrin katror me 70% të çmimit që kanë banesat në zonën ku apartamenti ndodhet. Eshte njësoj si t i vësh blerjes 30% të çmimit të shitjes. Rrjedhimisht, edhe qytetarët që nuk kanë manipuluar asgjë, por kanë përfituar shtëpi nga privatizimi, janë kategoria tjetër që ndëshkohen (këtë herë jo nga vetja), sepse tatimi u bie më i lartë se atyre personave të cilët të njëjtat ndërtime të para 90-s i kanë shitur e blerë.
Përshembull; Nëse ndodhen në të njëjtën zonë dy apartamente të para 90-s dhe kanë të njëjtën sipërfaqe 100 m2, nga të cilat njëra nuk është shitur asnjëherë që nga privatizimi dhe tjetra është shitur disa herë, pëshembull, 5 milionë lekë, tani e dyta e ka çmimin fiskal të plotë; p.sh. 90 mijë lekë/m2, kurse tjetra e ka 70% të 90-mijëshit ose 63 mijë lekë/m2. (të reja). Kështu: shtëpia 100m2 e parë, e pashitur që nga privatizimi do të tatohet me 10% të 6.3 milionëve, kurse shtëpia e dytë, e blerë 5 milionë do të tatohet për diferencën e shitjes me blerjen: pra qytetari do të paguajë 10% të 4 milionë lekëve. Ky krahasim tregon qartë se shtëpitë e privatizuara e të pashitura që nga ajo kohë, kanë mbetur të paindeksuara për çmimet me të cilat janë privatizuar në atë kohë, ndërsa çmimi fiskal që u vendoset është një lehtësi e pamjaftueshme.

Sa shitet dhe sa tatohet një apartament në rrugët “Murat Toptani”, “Punëtorët e Rilindjes”, Fadil Rexha”, “Xhorxhi Martini”, “Luigj Gurakuqi”, “28 Nëntori”, “Sait Toptani”, në një pjesë të rrugës “Kostandin Kristoforidhi”?
Të gjitha këto rrugë, pa llogaritur edhe shumë rrugica, së bashku me sheshin “Fan Noli”, Sheshin “Avni Rustemi” dhe Sheshin “Luigj Gurakuqi” i përkasin zonës 2/2 sipas hartës së çmimeve referuese që ka vendosur Ministria e Financave. (Duhet patur parasysh, se zona sipas çmimeve nuk janë e njëjta gjë me zonat kadastrale në të cilat janë të rregjistruara pronat). Zona 2/2 quhet sipas një tjetër shtojce të udhëzimit si zona e “Sheshit Avni Rustemi-Unazë-Rruga e Elbasanit), por me sa duket nga harta, rruga e Elbasanit nuk është as e përfshirë dhe as kufizuese e kësaj zone të shënuar 2/2, gjë që tregon edhe një mospërputhje (diskordancë mes hartës dhe tabelave e që e vështirëson së tepërmi si punën e noterëve edhe të punonjësve të Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Palujtshme).
Le të supozojmë se në këtë zonë, qytetari që shet apartament në njërën prej rrugëve të mësipërme, nuk e ka privatizuar atë vetë në vitin 92, por e ka blerë nga pronari i parë kundrejt 5 milionë lekëve të reja në vitin 2000 (p.sh). Apartamenti i tij 3+1 ka sipërfaqe prej 100 metrash katrorë (po e supozojmë kaq, për lehtësi në llogaritje).
Duke iu referuar çmimit minimal fiskal (çmim reference i quajtur ndryshe, i cili është çmimi i shitjes që vendos qeveria për efekt tatimi), apartamentet në rrugët e mësipërme e kanë çmimin fiskal për m2, 109 800 lekë (gjithjë të reja). Atëherë, qytetarit do t i shënohet në kontratën e shitjes çmimi 109 800 x 100 m2= 10 980 000 lekë të reja (ose rreth 109 milionë e 800 mijë lekë të vjetra). Ky çmim është i njëjtë për të gjithë apartamentet 100 m2, qofshin të vjetër, qofshin të rinj, të rikonstruktuar ose jo.
Dallimi fillon tani, kur do të llogaritet tatimi mbi këtë çmim fiskal. Në këtë zonë ka jo pak pallate të kohës së socializmit, sikurse edhe ndërtime të mëpasme e deri të kohëve të fundit. Sipas udhëzimit të 26 shkurtit 2008, të gjitha “ndërtesat e privatizuara me Ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” i ndryshuar, çmimi për m2 është 70 përqind e çmimit sipas zonave të tabelës.” Pra, nëse për apartamentet e tjera, çmimi i zonës është 109 800 lekë m2, për apartamentet e fituara nga privatizimi është 70% e 109 800, pra 76 860 lekë m2. Dhe kështu do të llogaritet, pavarësisht nëse banesa e ka kalimin e parë të pronësisë apo të disatin. Pra, çmimi fiskal për shtëpinë 100 m2, do të jetë 7 686 000 lekë të reja. Por qytetari do të tatohet mbi fitimin dhe jo mbi vlerën e shitjes.
Si do të llogaritet vlera e blerjes?
Atëherë, këtu merr rëndësi vlera e blerjes. Le të shohim se sa do të tatohet qytetari për një apartament të ndërtuar para 90, por që e ka blerë atë vite më pas privatizimit dhe që ka një kontratë me një vlerë të caktuar blerjeje).
Nëse qytetari e ka blerë apartamentin në vitin 2000, pra 8 vjet më parë, kundrejt 5 milionë lekëve të reja, dhe nëse kjo vlerë figuron në kontratë, ai do të tatohet për diferencën e shitjes 10 980 000 me 5 000 000 lekë. Pra, do të paguajë 598 000 lekë të reja tatim (10% të çmimit referencë të caktuar nga qeveria).
Por, shumica e qytetarëve nuk kanë të shënuar në kontrata, vlerat reale të blerjes, por më të vogla. Nëse kontrata thotë, se një shtëpi 3+1 është blerë 1 900 000 mijë lekë (sepse kështu qytetari paguante tatimin më të vogël mbi shitjen, 0.5%), atëherë ai do të penalizohet këtë herë kur të dojë ta shesë shtëpinë. Tatimi që do t i bjerë të paguajë, është 909 000 mijë lekë të reja.
Kjo masë më e rëndë do të vlejë edhe për të gjithë ata qytetarë, që kanë blerë shtëpi në çdo kohë, por nuk kanë deklaruar në kontratë vlerën e saj reale në marrëveshjet me shitësin.

Ky lajm është publikuar: 24/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›