E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata, shpërblimi në fundvit 10 mijë lekë

Administrata publike do të marrë shpërblimin prej 10 mijë lekësh të reja këtë muaj, dikur e cilësuar paga e 13-të. Lajmin e dha dje ministri i Financave, Ridvan Bode, në një komunikim me mediat në ambientet e Panairit të Verës që po zhvillohet këto ditë në Tiranë. "Deri më sot ne nuk kemi mundësi, pasi ky është një vit tepër i veçantë, kështu që ato shpërblime që kemi përdorur herë pas here nuk do të jenë në dispozicion për këtë vit. Po për administratën publike sigurisht do të jetë nga fondi i veçantë, pjesë që e kemi paguar dhe vitet e fundit, një shpërblim prej 10 mijë lekësh për çdo të punësuar", - tha ministri i Financave, Ridvan Bode. Sipas detajeve që gazeta “Mapo” mori nga Ministria e Financave, shpërblimi në fund të vitit për punonjësit buxhetorë përballohet nga fondi i veçantë që është 5 % e fondit të pagave. Kështu, shpërblimi në fund të vitit i jepet çdo punonjësi buxhetor për festat e fundvitit, në masën 10 000 lekë, pavarësisht shpërblimeve të mëparshme për punë të mirë dhe përballohet nga fondi faktik i veçantë. Ndërsa në një vendim të mëparshëm qeveria ka pezulluar këtë vit fondet që institucionet buxhetore përdornin për të shtruar darkën e Vitit të Ri për punonjësit e tyre, për shkak të krizës në të cilën u gjend buxheti i shtetit këtë vit. I vlefshëm është vetëm shpërblimi në masën 10 mijë lekë për të gjithë punonjësit buxhetorë. Punonjësit e administratës publike nuk do të festojnë darkat tradicionale të fundvitit, siç është bërë vitet e kaluara me fondet e buxhetit. Në fakt, ky vendim që lë punonjësit e administratës pa festën tradicionale është me natyrë të përkohshme, pavarësisht se u zbatua edhe vitin e kaluar, ndërsa këtë fundvit për shkak të krizës në të cilën është përfshirë buxheti i këtij viti janë anuluar të gjitha shpenzimet operative jo emergjente. Me një vendim të mëparshëm, gjatë muajit gusht qeveria ka bllokuar për këtë vit të gjitha shpërblimet për punë të mirë, shpenzimet për dieta dhe udhëtime jashtë vendit. Kjo për shkak se buxheti i vitit 2011 u shkurtua me rreth 18 miliardë lekë gjatë korrikut. Veprimtaritë e ndryshme që kanë karakter social apo kulturor, sikurse janë ato të organizuara për rastet e daljeve në pension, të festimeve të fundvitit dhe të tjera organizime të realizuara nga institucioni, përballohen nga fondi i veçantë. Në këto veprimtari social-kulturore, kur ato organizohen jashtë qendrës së punës, shpenzimet e transportit dhe akomodimit paguhen nga vetë punonjësit sipas rregullave të reja të kursimit. I njëjti vendim nuk lejon që për vitin 2011, fondi i veçantë të përdoret për shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë dhe veprimtari social-kulturore, si edhe festa e fundvitit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›