LSI: Kodi Zgjedhor të garantojë barazinë e votës
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon një debat të hapur dhe të gjerë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ka qenë kreu i kësaj force, Ilir Meta, ai që duke folur gjatë një takimi me strukturat e kësaj force në Maliq, ka vlerësuar si të domosdoshme ndryshimet në Kod, por duke kërkuar që ato të jenë transparente. Sipas tij, Kodi aktual nuk garanton barazinë e votës dhe lë vend për diskriminim të disa forcave politike. “LSI pret një debat publik për Kodin Zgjedhor. Kodi i vjetër s’premton realizimin e interesave. Me ndryshimet e Kodit, vendi do ecë përpara. Reforma zgjedhore të garantojë barazinë e votës. LSI ka qenë promotore e reformave”, - tha Meta në fjalën e tij për mediat pas takimit. Ndërkohë që duke iu referuar debateve politike dhe zhvillimeve që kanë ndodhur pas marrëveshjes së arritur mes dy forcave të mëdha, kreu I LSI-së ka theksuar se ajo që po ndodh ka qenë parashikuar prej kësaj force. “LSI ka bërë parashikime të sakta për situatën politike. Kjo parti ka dhënë kontribut për liberalizimin e vizave. Të tjerët sajonin konflikte për t’u bërë protagonistë. Politika shqiptare ka reflektuar”, - tha Meta në fjalën e tij.