E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapet autostrada “Berisha”, korridori i shqiptarëve


Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje autostradën Rrëshen-Kalimash, në të cilën qeveria e tij punoi për më shumë se dy vite, për ndërtimin e njërës prej veprave më të vështira inxhinierike, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropë. Kjo është vepra më e madhe për kombin shqiptar, pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pavarësisë së Kosovës. Kryeministri deklaron se ky korridor i jep fund përfundimisht ndarjes mes trupit të kombit shqiptar. Në këtë solemnitet ishte i pranishëm edhe kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan 


Kryesfida e të gjitha projekteve infrastrukturore të këtyre katër viteve të qeverisë së Partisë Demokratike, mori jetë zyrtarisht dje, përmes një ceremonie të jashtëzakonshme, kryeministri Sali Berisha bashkë me homologun turk Rexhep Taip Erdogan, prenë shiritin e inaugurimit të rrugës së shqiptarëve, duke e afruar Shqipërinë me Kosovën në vetëm dy orë. Gjatë kësaj ceremonie që justifikon plotësisht përmasën e investimit me rëndësi ekonomike po aq sa dhe gjeopolitike, kryeministri Berisha e vlerësoi si nyjën e bashkimit të trupit të kombit të ndarë në mes. Mijëra qytetarë krahas autoriteteve të larta nga Shqipëria e Turqia morën pjesë në këtë ceremoni inaugurimi të rëndësishme, për të festuar këtë moment të bashkimit simbolik të dy kombeve.


Kryetari i qeverisë do ta cilësonte këtë një ditë historike që shndërron në realitet ëndrrën e shqiptarëve. 


“Ditë historike, mik i shquar, mirënjohje të gjithë atyre që shndërruan në  realitet një ëndërr shqiptare. Sot ne inaugurojmë korridorin e kombit, inaugurojmë Rrëshen-Kalimash vepra më e madhe. Vepra më e madhe pas anëtarësimit në NATO dhe pavarësisë së Kosovës. Korridori që i jep fund ndarjes në mes të kombit shqiptar. Është nderimi më i madh ata që ranë për liri në Kosovë dhe Bashkim Kombëtar. Dalje në det të shqiptarëve kudo që janë. Korridori i miqësisë dhe bashkëpunimit. Dua të siguroj se shqiptarët do të udhëhiqen gjithnjë nga fryma e bashkëpunimit. Korridor që do t’u shërbejë të gjithëve për bashkëpunim dhe integrim evropian. Qytetarë të Kosovës, sot merrni shpërblim të madh për luftërat vigane për dinjitet. Është dëshmia e madhështisë së lirisë. Korridori u ndërtua në dy vjet”, u shpreh kryeministri Berisha.


Me një fjalim të përshkruar nga nota miqësore, si një vlerësim për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, kryeministri turk Erdogan e vlerësoi gjithashtu rrugën Durrës-Kukës si një projekt gjigant. Erdogan gjeti rastin të bëjë publike interesin e bizneseve turke për të rritur prezencën në Shqipëri, sikundër faktin se qeveria që po drejton do të bëjë të mundur që projekti gjigant i gazsjellësit që do të kalojë nga Azia në Evropë të kalojë edhe nëpër Shqipëri. 


“Takim kuptimplotë, uroj të jetë e mbarë për të gjithë popujt tanë. Kënaqësi e veçante që do të lidhë Kosovën me Portin e Durrësit. Jam akoma më i emocionuar se ka kontribuar edhe firma turke. Të falënderoj miku im Berisha, për praninë time këtu dhe të gjithë ata që punuan për këtë vepër. Kam bindjen që kjo rrugë do të bashkojë, jo vetëm kombet dhe zemrat tona. I nderuar Miku im Berisha. Të jemi afër me njëri-tjetrin dhe të realizojmë idealet tona për një jetë më të mirë. Kemi gjithnjë së bashku e kemi çarë malet dhe jemi afruar. Theksoj se shtetasit tanë shqiptarë, i konsiderojmë si tanët. Gëzimi i Shqipërisë është edhe për ne. Çdo rrugë është qytetërim ne jemi kombe të qytetëruara”, u shpreh Erdogan. 


Rruga Durrës-Kukës është 170 km e gjatë. Një nga investimet më moderne të ndërtuara në vend në infrastrukturën rrugore me katër korsi dhe që përshkohet në të gjithë gjatësinë e saj prej 29 urave me e larta në aksin Rrëshen-Kalimash plot 80 metra e lartë. Me mbylljen e punimeve në aksin më të vështirë Rrëshen-Kalimash, Rruga konsiderohet e përshkueshme në të gjithë gjatësinë e saj, dy prej korsive të saj janë në funksion të plotë, ndërsa viti tjetër do të japë pamjen përfundimtare atij që njihet si korridori i kombit.


Ky projekt është realizuar nga Bechtel-Enka një ndërmarrje  e përbashkët ndërmjet dy sipërmarrjeve Inxhinierie-ndërtimi-prokurimi. Bechtel është një nga sipërmarrjet më të mëdha të botës, në fushën e projektimit inxhinierik, ndërtimit dhe menaxhimit të projekteve. Ndërsa Enka është një prej sipërmarrjeve më kryesore, në industrinë e ndërtimit në Turqi dhe një nga më të mëdhatë në botë. Këto dy sipërmarrje të fuqishme u bashkuan në vitin 1988 në ndërtimin e autostradës Ankara-Gerede, në Turqi.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›