E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Erdogan: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme do fuqizojnë edhe më tej demokracinë në Shqipëri


Marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, të shkëlqyera, të lidhura me mijëra fije


Pas përmbylljes së ceremonisë zyrtare të inaugurimit të përfundimit të punimeve në segmentin Rrëshen-Kalimash, duke e bërë të përshkueshme autostradën Durrës-Morinë, kryeministrin Sali Berisha zhvilloi një takim të ngrohtë me homologun e tij turk, Rexhep Tayyip Erdogan, i cili vizitoi Shqipërinë për të marrë pjesë në inaugurimin e përfundimit të rrugës Rrëshen-Kalimash.


Berisha deklaroi se me kryeministrin Erdogan patëm rastin të shprehim të gjithë konsideratat tona për rëndësinë jetike të kësaj rruge për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin, të falënderoj me përzemërsi kompani Bechtel & Enka që e ndërtoi atë në një kohë rekord. 


“Unë shfrytëzova rastin e kësaj vizite miqësore t’i shpreh edhe një herë kryeministrit Erdogan mirënjohjen e thellë të qeverisë sime dhe të shqiptarëve për mbështetjen shumë të madhe që personalisht kryeministri Erdogan dhe qeveria e tij i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë si për anëtarësimin e saj në NATO, ashtu edhe në të gjitha zhvillimet dhe reformat në vend, por edhe mbështetjen e fuqishme të kryeministrit dhe qeverisë turke për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e kësaj pavarësie nga vende të tjera në Europë dhe në botë”, u shpreh kryeministri.


Berisha vlerësoi se marrëdhëniet midis dy kombeve dhe vendeve tona janë marrëdhënie të shkëlqyera miqësore, të lidhura me mijëra fije. 


“Dëshmi e kësaj janë pothuajse dhjetëfishimi, gjatë pranisë si Kryeministër i zotit Erdogan, i shkëmbimeve tregtare, shtatë apo tetëfishimi i investimeve turke në Shqipëri”, tha Berisha.


Ndërsa, nga ana tjetër, kryeministri Erdogan vlerësoi se për të ishte lumturi që u ndodh mes njerëzve të mirë të Shqipërisë në ceremoninë e inaugurimit të rrugës Rrëshen-Kalimash. 


“Ne jemi të kënaqur që firma jonë turke Enka e ndërtoi këtë rrugë bashkë me firmën amerikane Bechtel. Ne jemi të lumtur që u realizua një praktikë e tillë e suksesshme, e cila do të lidhë vendet ballkanike me njëri-tjetrin. Unë me këtë rast përgëzoj mikun dhe kolegun tim, zotin Berisha dhe ekipin e tij. Dihet që rruga është qytetërim dhe një rrugë që kalon përmes malesh është akoma edhe më shumë. Është tepër kuptimplotë fakti që ky investim bëhet për një autostradë, e cila kalon nëpër male, ku ka edhe tunele”, u shpreh Erdogan.


Ai vlerësoi gjithashtu se këto 6 vitet e fundit, marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë po zhvillohen në të gjitha fushat, në fushën politike, ekonomike, kulturore. 


“Ne ndajmë të njëjtat vlera dhe po të shohim shumë kushërinj të shqiptarëve banojnë në Turqi, ose shumë turq kanë kushërinjtë e tyre në Shqipëria dhe anasjelltas dhe këto fuqizojnë akoma më shumë lidhjet tona. Aktualisht ne jemi bashkë me Shqipërinë në NATO. Anëtarësimi në NATO është rezultat i punës dhe luftës që ka bërë vetë Shqipëria për këtë. Ne ndjekim dhe vlerësojmë përpjekjet që po bën Shqipëria për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Edhe zhvillimi ekonomik në Shqipëri ecën në mënyrë pozitive dhe është për t’u vlerësuar. Siç e tha zoti Kryeministër, vëllimi tregtar midis dy vendeve para 6 viteve ishte 35 milion dollarë, sot ka kaluar 350 milion, por duam që kjo shifër të jetë akoma më e lartë, sepse shikojmë që mes nesh ka mundësi për këtë. Turqia do të vazhdojë të punojë me këmbëngulje me Shqipërinë, mike dhe motër. Mes nesh nuk ka asnjë problem politik dhe ne jemi të vendosur të punojmë në solidaritet me njëri-tjetrin”, deklaroi më tej Erdogan.


Kryeministri Erdogan nuk harroi të përmendë as zgjedhjet parlamentare që pritet të zhvillohen të dielën. 


“Unë uroj që zgjedhjet që do të zhvillohen në Shqipëri ditën e diel do të kontribuojnë dhe do t’i japin një hov të ri paqes, bashkëpunimit e mirëkuptimit midis gjithë shqiptarëve. Unë kam bindjen se këto zgjedhje do ta fuqizojnë akoma më shumë demokracinë në Shqipëri”, theksoi Erdogan.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›