Partia Demokratike denoncon përdorimin politik të tragjedisë së Gërdecit
“Edi Rama, spote të manipuluara për të mbuluar mungesën e alternativës”
Edi Rama nuk ndal çmendurinë e tij, nëpërmjet manipulimeve të fatkeqësive njerëzore, si pasojë e kolapsit të afërt politik, i tmerruar së tepërmi, kur dihet se zgjedhjet e së dielës do të kenë vetëm një alternativë, atë të Shqipërisë Evropiane, programin racional të Partisë Demokratike. Këtë çmenduri të paprecedentë e denoncoi dje Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses së fushatës Majlinda Bregu, e cila deklaroi se i vetmi njeri që kërkon të përfitojë nga dhimbja dhe të shkelë mbi të për interesa të ngushta politike, është Edi Rama.
“Në një kohë kur banorët e Gërdecit ia kanë bërë mjaft të qartë se nuk duan dhe nuk pranojnë të përdoren për interesat politike të asnjërës parti, Edi Rama nuk heziton të manipulojë edhe një herë më shumë me fatkeqësinë e dhimbjen e tyre. Jam këtu para jush për të faktuar skenarin e tij makabër. Po ju tregoj pamjet e vërteta, që u servirën të montuara e të kuruara në spotin e Edi Ramës, me bojërat që i shërbejnë vetëm interesave të tij politike. Ky është Gëzim Cani, djaloshi i keqpërdorur pa dhimbje, pa skrupuj, ashtu siç është bërë me viktimat e Gërdecit, me të aksidentuarit e tjerë të shpallur të vrarë, ashtu siç di të bëjë vetëm Edi Rama. Ajo që nuk thotë Edi Rama në këtë spot është se shtëpia pas krahëve të Gëzim Canit dhe vëllait të tij nuk është e ndërtuar e as nuk është dhuratë e Edi Ramës, por është një nga ndërtesat e ngritura me financimet e qeverise shqiptare. Ky është vërtetimi i llogarisë bankare me nr 815613 në Raiffeisen Bank në emrin e Gëzim Shefki Canit që mban shumën prej 4. 419.520 lekësh të dhëna nga Qeveria Shqiptare. Por për ne kjo nuk është çudi. Gëzim Cani ka përfituar ashtu si gjithë familjet e tjera të dëmtuara në Gërdec, nga reagimi i menjëhershëm i qeverisë shqiptare”, deklaroi Bregu.
Ajo u shpreh se i vetmi njeri që kërkon të përfitojë nga dhimbja dhe të shkelë mbi të për interesa të ngushta politike, është Edi Rama.
“Manipulimi që Edi Rama bën me njerëzit nuk fillon e as nuk mbaron me këtë spot elektoral. Kjo është një fushatë në të cilën Rama përdor Bashkinë dhe njerëzit afër tij, është shefja e kabinetit të Ramës, e cila instrukton personazhin e spotit që ai ta shfaqë humbjen e të afërmeve të tij në funksion të llogarive elektorale të Edi Ramës. Nuk është hera e parë që Edi Rama manipulon me dhimbjen e tragjedisë së të tjerëve, por shqiptarët me votën e tyre në 28 qershor do të sigurojnë që kjo do të jetë hera e fundit. Në 28 qershor, qytetarët do të votojnë për punësimin, lëvizjen e lirë dhe rritjen e rrogave dhe pensioneve të tyre, premtime që vetëm PD di t’i mbajë dhe realizojë”, tha më tej Bregu.
...